EmailFacebookKontakt

Ftesë për t’u gëzuar më Krishtin

“Ja Krishti lindet – Lavdërojeni!”. Eshtë ky mesazhi që përcjell e kremtja e Krishtlindjeve. Perëndia u mishërua dhe kjo mrekulli e jashtëzakonshme na fton të gjithëve ta jetojmë këtë gëzim sipas shembullit të Krishtit. Shembull që e ndoqën shenjtorët, shembull që duhet ta ndjekim edhe ne në jetët tona.

Më 25 dhjetor edhe Tirana, si qytete e fshatra anembanë botës, u zgjua nga tingujt e ëmbël të këmbanave të Kishës “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”. Pa u gdhirë ende, hapat e besimtarëve mbushën rrugët, si për ta shpërndarë më shpejt errësirën. Qindra e mijëra të krishterë orthodhoksë do të vinin në shtëpinë e tyre të përbashkët, për të kremtuar festën e madhe…

Kori i Kishës psal himne lavdërimi për Perëndinë, për mrekullinë e misterit të madh të Lindjes së Shpëtimtarit: “Virgjëresha Lindi sot të përmbiqenëshmen Fjalë…”.

Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, bashkë me klerikë të tjerë të nderuar.

Ky vit, i dymijti në historinë e krishterimit, është një jubile tepër i veçantë. Me këtë rast ishte unik dhe i pari në llojin e vet mesazhi që u lexua para besimtarëve: Ai ishte hartuar e firmosur së bashku nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Konferenca Ipeshkvnore Katolike, si një urim e shpresë për mijëvjeçarin e tretë.

Vend qendror në Liturgjinë e kësaj të kremteje, që u transmetua drejtpërdrejt nga TVSH, kishte Mesazhi i Kryepiskopit Anastas (i cili botohet i plotë), të gjithë popullit shpresëtar orthodhoks.

Por, edhe pas Liturgjisë Hyjnore lumi i besimtarëve nuk pushoi së mbushuri kishën, deri në orët e vona të mbrëmjes, duke e theksuar edhe më tepër atmosferën festive.

Gjithashtu, u zhvillua edhe pritja e rastit, ku erdhën për të uruar Kryepiskopin dhe gjithë Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë Presidenti, Prof. Dr. Rexhep Meidani, Kryeministri, Z. Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Popullor Prof. Dr. Skënder Gjinushi, kryetarë e përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues të partive e shoqatave politike, ambasadorë e diplomatë, intelektualë të shquar etj.

N. M.