EmailFacebookKontakt

Tek Lindja e Tij – lindja jonë

Eshtë i njohur kremtimi solemn i Krishtlindjeve në qytetin tonë, por në këtë vit final të mijëvjeçarit, çdo gjë ishte më festive, me e gjerë, duke bërë që jehona e misterit 2000-vjeçar të grazhdit të Betlehemit të kumbonte më ndjeshëm në zemrat e shpirtrat e besimtarëve. Rol të veçantë për këtë lozi edhe përgatitja serioze nga Mitropolia e Korçës dhe angazhimi i plotë i Hirësisë së Tij Joanit.

Siparin e veprimtarive e çeli koncerti i madh festiv, që u bë në pallatin e sportit të qytetit, jehona e të cilit zuri një vend të rëndësishëm në edicionet informative të TVSh dhe u transmetua i plotë nga ky institucion publik. Koncerti përbën një model, falë angazhimit të të gjithë artistëve dhe shoqërive korale të qytetit, të cilët, duke i harmonizuar të gjithë elementët artistikë me gjuhën dhe pathosin e festës, bënë që njerëzit të “harronin” përmasat e sallës.

Dhe kështu, festa trokiti pandalshëm, duke përhapur “magjinë” e saj nëpër rrugët e zbardhura nga dëbora, tek dekoracioni i pasur i kishave e mjediseve publike e private, duke shpallur ndritshëm triumfin e dritës mbi errësirën, të shpresës mbi mjerimin e vdekjen, madhështinë e pamposhtur të Orthodhoksisë në ketë fundshekulli.

Veprimtaritë do të vazhdonin në institucionet sotiale, të ngritura nga Kisha jonë, në Klinikën Ungjillëzimi, kopshtin e fëmijëve, në mencën ditore, ku ushqehen falas njerëzit më të varfër e të papërkrahur (mbi të gjitha Krishtlindja është festa e tyre), ku nuk mungoi pjesëmarrja e Hirësisë së Tij. Veçanërisht, gëzimi dhe hareja e jubileut do të dukej tek shfaqja artistike e vogëlushëve të kopshtit të Kishës, ku fytyrat e bukura, fjalët e sinqerta të zemrave të tyre, të tregonin qartë se përse Perëndia erdhi mes nesh si fëmijë.

Meqë jemi tek fëmijët, nuk mund të lemë pa përmendur edhe traditën e njohur të “kolendrave”, në vigjilje të festës, ku protagonistët më të “zhurmshëm” janë pikërisht ata. Fëmijët kalonin shtëpi më shtëpi, duke uruar me këngët traditionale dhe, duke shfaqur tablonë e Lindjes së Jisuit.

Nuk mund të mos shkruajmë edhe për çastin kryesor të kremtimeve – atë të shërbesave të shenjta nëpër të gjitha kishat, ku vend të veçantë zë agripnia në vigjilje të festës. Në të u këndua shërbesa e Orëve të Krishtlindjeve dhe u krye Liturgjia. Natyrisht, kulmi ishte data 25, kur mijëra njerëz vërshuan në kisha, duke marrë me vete Mesazhin e Pashkës dhe fjalët e Hirësisë së Tij, për kuptimin e përjetshëm të Lindjes së Zotit Krisht, që është vetë lindja jonë.

Pastaj, festa do kalonte në mjediset e Mitropolisë, ku u pritën për urimet e rastit autoritetet e larta laike e fetare, politikanë, deputetë, diplomatë, qytetarë etj., si dhe kryetari i Partisë Demokratike Z. Sali Berisha.