Qyteti i Beratit, me të drejtë ka traditën e tij të veçantë në kremtimet e mëdha, që janë sa madhështore aq dhe shpirtërore. Kështu, më 6 janar Osumi, që derdhet nën këmbët e kalasë legjendare, ishte dëshmitari i festës së bukur e madhështore të Epifanisë – Ujit të Bekuar.
Shërbesat filluan që herët e Liturgjia Hyjnore vazhdoi deri në orën 9.45. Ajo u krye nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit Ignati, i ndihmuar nga Stavrofor Vangjel Xoxe dhe At Petraq Simsia. Në fund, Imzot Ignati foli për këtë ditë të shenjtë e të bekuar, e cila simbolizon pastërtinë shpirtërore, duke theksuar, se “kjo rrobë e bardhë e veshur me Hirin e Perëndisë duhet të mbetet deri në mbretërinë qiellore e tillë”. Sot vazhdoi,- Imzot Ignati,- zbriti në tokë Perëndia dhe bëri bekimin e gjithë krijesave, pra sot u shfaq Trinia e Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.
Pas Liturgjisë, në orën 10.00, me mijëra besimtarë orthodhoksë, të ardhur jo vetëm nga rrethi i Beratit, por deri nga Shkodra, Vlora, Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja etj., kishin mbushur të dy anët e bregut të lumit dhe urën e Goricës, ku do të hidhej kryqi. Nga Kisha e Shën Spiridhonit u nisën besimtarët me në krye Imzot Ignatin dhe klerikët e tjerë, duke kënduar me një korale asambli të mijëra besimtarëve “Në Jordan kur pagëzohesh o Zot…”.
Ndonëse ishte ftohtë, në veçanti djemtë e tre lagjeve karakteristike: Goricë, Mangalem e Kala kishin kohë që e pritnin Kryqin e Shenjtë, që simbolizon trupin e Krishtit. Çasti më solemn ishte kur Hirësia e Tij bëri bekimin dhe hodhi kryqin.
Kryqin e kapi djaloshi nga Mangalemi Emiliano Arqile Hila, i shoqëruar nga goricari Armando Lili Avrami dhe nga djemtë e tjerë orthodhoksë Nikollaq Gorica, Skerdi Meroli, Emiliano Zire, Marko Qako, A. Mboqe, E. Koka e të tjerë. Grupi i djemve, ashtu siç dolën nga lumi me kryqin në dorë shkuan tek Imzot Ignati për t’i marrë bekimin, të shoqëruar përsëri nga himnet fetare që nuk pushonin.
Pastaj, grupi i djemve filloi traditën e bukur, duke e çuar Kryqin e bekuar në shumë shtëpi beratase.