Përveç bashkëmeshimit të Krishtlindjeve në Jeruzalem (sipas kalendarit të vjetër), të të gjithë primatëve të Kishave Orthodhokse, janë në plan edhe një sërë veprimtarish të tjera celebrative përgjatë vitit jubilar të 2000-vjetorit të Mishërimit dhe Lindjes së Jisu Krishtit. Mjaft Kisha i kanë bërë tashmë publike dhe pritet që ato të shumfishohen me kalimin e muajve.
Një tjetër celebrim panorthodhoks është parashikuar përsëri në Jeruzalem, në 12-19 qershor, për të Kremten e Pentekostisë (Pesëdhjetores). Ai do të shoqërohet nga një konferencë teologjike ndërkombëtare me temë: “Kisha në mijëvjeçarin e tretë”. Secila Kishë lokale do të përfaqësohet aty nga një delegacion i përbërë nga një episkop dhe dy lektorë të tjerë.
Edhe mjaft Kisha lokale kanë bërë publike veprimtaritë e tyre. Kështu, Patrikana Ekumenike ka zgjedhur të kremten e Metamorfozës së Shpëtimtarit, më 6 gusht, për të shënuar në mënyrë të veçantë “kuptimin shpirtëror” të jubileut dhe diskutuar “perspektiva të të ardhmes për Kishën dhe njerëzimin”. Gjithashtu, Patrikana do të organizojë në Stamboll nga 28 gushti deri në 2 shtator, një konferencë ndërorthodhokse me temën: “Krijimi i botës dhe krijimi i njeriut, sfida dhe gëzimi i vitit 2000”. Në Stamboll do të mbahet edhe një kongres ndërkombëtar i rinisë orthodhokse, nga 18-25 qershor, me temë: “Të rinjtë në Kishën e mijëvjeçarit të tretë”.
Kisha e Greqisë synon ta theksojë jubileun me një Liturgji eukarestike solemne në katedralen e Athinës, më 15 tetor, në prani të të gjithë Primatëve Orthodhoksë, që do të hapë një periudhë manifestimesh fetare dhe kulturore, që do të zgjasin deri në datë 18, ku mund të veçohet konferenca teologjike “Orthodhoksia në vitin 2000; e shkuar, e tashme, e ardhme”.
Kisha e Sinait (Egjipt), do të organizojë një takim shkencor ndërfetar në dhjetor 2000, me teologë e përfaqësues jo vetëm të Kishave Orthodhokse, por edhe atyre parakalcedoniane, katolike, protestante, si dhe nga islami dhe judaizmi.
Kisha Ruse ka lajmëruar se do të organizojë një asamble plenare të episkopëve, që do të paraprijë kanonizimin e një numri të madh martirësh të epokës së komunizmit. Kjo do të bëhet me solemnitet në Katedralen e ringritur të Krishtit Shpëtimtar, në Moskë, e cila u hodh në erë me dinamit nga ai regjim. Gjithashtu parashikohen edhe konferenca teologjike, ku veçohet ajo ndërkombëtare në shkurt dhe botimi i një fjalori shumë të gjerë të teologjisë dhe spiritualitetit orthodhoks, me 25 vëllime.
Në Evropën Perëndimore parashikohet të zhvillohet edhe një kongres i madh ndërorthodhoks, në datat 27-28 tetor, në Blakenberg (Belgjikë), me temën “Liturgjia eukarestike” etj.
(Marrë nga SOP, “Shërbimi Orthodhoks i Shtypit”, France)