Në kuadrin e përpjekjeve që bën Kisha jonë për edukimin e fëmijëve dhe në bazë të programit të kualifikimit për edukatoret e kopshteve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u krye një seminar kualifikimi, në mjediset e Akademisë Teologjike në Shën Vlash, nga data 3 deri më 8 janar 2000. Ai ishte organizuar nga Zyra e Katekizmit dhe e Kopshteve pranë Kryepiskopatës. Morën pjesë 39 edukatore, nga të gjitha qytetet, në të cilat ekzistojnë kopshtet tona: nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Lushnja, Korça, Pogradeci, Gjirokastra, Saranda dhe Elbasani. Të ftuara nderi të seminarit ishin Znj. Papavasiliu, pedagoge e shquar greke, e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj për të tretën herë, si dhe Znj. Sidheropulu, specialiste për anën praktike të edukimit parashkollor.
Dita e parë ishte një prezantim i përgjithshëm. Këtu, edukatoret shprehën mendimet, përvojat, problemet, si dhe rezultatet e tyre. Mund të quhej më tepër si një bashkëbisedim i ngrohtë, ku pjesëmarrëset treguan se çfarë dinin dhe çfarë u interesonte të mësonin më shumë rreth punës në orën e lirë.
Në ditën e dytë u bë një alternim i teorisë dhe praktikës. Zonja Papavasiliu u dha përgjigje problemeve që edukatoret kishin hasur në punën e tyre. Ndërsa znj. Sidheropulu na mësoi se si ta bëjmë më të gjallë procesin mësimor dhe si t’i largohemi rutinës së mësimdhënies. Në ndryshim nga herët e tjera, nga lektoret nuk u dhanë receta të gatshme për punën me fëmijët. Përkundrazi, iu vu theksi situatave më problematike që na shqetësojnë të gjithë ne, familjet dhe gjithë shoqërinë, si: gënjeshtra, vjedhja, mosbindja, zilia, kurioziteti seksual etj. Ndjekja me seriozitet e këtyre problemeve është themelore dhe e rëndësishme, pasi në këtë moshë formohet karakteri i njeriut dhe, nëse këto vese nuk çrrënjosen, ato do ta shoqërojnë fëmijën gjatë gjithë jetës.
Shkaqet e këtyre problemeve gjenden lehtë në shoqërinë ku jetojmë, dhe si pasojë e tyre viktima janë fëmijët.
Prandaj edukatorja ka një mision të vështirë. Ajo ka për detyrë jo vetëm edukimin, por edhe njohjen e thellë të personalitetit të fëmijës, të aftësive dhe dëshirave të tij, në bashkëpunim të ngushtë edhe me familjen, në mënyrë që të përballojë dukuri të tilla.
E veçanta e seminarit ishte kremtimi i Epifanisë në Manastirin e Shenjtë të Ardenicës. Gjatë kthimit, u bënë vizita në kopshtet e Lushnjës dhe Kavajës. Kjo ishte një përvojë e mirë për të gjitha edukatoret, sidomos ato të kopshteve të reja, të cilat nuk kanë ende shumë përvojë pune.
Larmisë së asaj jave iu shtua edhe kremtimi i Shën Joan Pagëzorit, me një Liturgji të zhvilluar nga At Justini, i cili solli edhe bekimin e Fortlumturisë së Tij, Anastasit.
Ditën e fundit u dhanë modele veprimtarish praktike, të cilat zgjojnë inteligjencën e fëmijës, u mësojnë koordinime lëvizjesh dhe e shkathtësojnë atë në veprime.
Seminari përfundoi me sukses dhe ky ishte mendimi i të gjitha pjesëmarrësve, që u larguan me përvoja të reja, me mësime të vlefshme, duke i vënë vetes shumë detyra për realizimin me sukses të misionit tonë. Ai na forcoi edhe më shumë besimin dhe shpresën tek Perëndia.
Le të lutemi që Perëndia ta bekojë punën tonë.