EmailFacebookKontakt

Koncert instrumental me muzikë bizantine dhe klasike

Në kuadrin e vitit jubilar të 2000-vjetorit të Krishtërimit, në zemrën e Myzeqesë, në qytetin e Fierit, u organizuan një koncert mjaft i bukur. Ai u mbajt në mjediset e shkollës së muzikës. Në të u ekzekutuan pjesë të ndryshme muzikore, si të Bahut, Joan Kukuzelit etj. Për organizimin e shfaqjes duhet përmendur puna e palodhur e të riut të diplomuar në teologji, Z. Gjergj Pulia, i cili jep mësim në Akademinë Teologjike.

Vendin kryesor në program e zinte muzika bizantine, interpretimi cilësor i të cilës u mirëprit nga besimtarët e shumtë që kishin mbushur auditorin e shkollës. Kjo veprimtari ishte gërshetuar dhe me fëmijët e katekizmit, të cilët psalën pjesë që i kushtoheshin Krishtlindjeve.

Në këtë veprimtari të bukur ndodheshin edhe Mitropoliti i Beratit Ignati, Stavrofor Vangjel Xoxe etj. Në fund të koncertit foli edhe Hirësia e Tij, duke vënë theksin tek muzika bizantine. Ai përmendi dhe Shën Vasilin e Madh, i cili ka thënë, se nëpërmjet muzikës mesazhi i Perëndisë merret më mirë. Pastaj, vetë Mitropoliti psali disa himne nga Krishtlindjet dhe më pas shpërndau ëmbëlsira dhe ikona dhe u uroi “Gëzuar Krishtlindjet!” të pranishmëve.