“Lavdi Perëndisë në më të lartin qiell, e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë” (Llk. 2,14).
Ky është mesazhi i engjëjve në Betlehem, që edhe sot ripërtërihet me rastin e kësaj rrethane të jashtëzakonshme, të Jubileut të madh të dy mijë viteve të lindjes së Krishtit.
Ne, peshkopët e Kishës Orthodhokse dhe të Kishës Katolike të Shqipërisë ndiejmë dëshirën e fortë dhe të gjallë, që të lajmërojmë me një zë të vetëm Lajmin e gëzueshëm: Shpëtimtari është në mesin tonë!
Me gjithë vështirësitë e mëdha që po përjeton populli shqiptar, i nxitim të gjithë, pa dallim, që të mos humbasim besimin dhe shpresën. Prandaj nuk lodhemi, duke shpallur se Zoti është me ne dhe që vetëm Ai ka fuqi të largojë çdo dëshpërim, pasiguri dhe frikë, dhe t’u japë zemrave tona dritë dhe shpresë.
Gjithashtu, si barinj të popullit tonë, ndiejmë detyrën për t’i drejtuar një apel të gjithë atyre që udhëheqin vendin, në nivelet e larta e të ulëta, nga qendra në periferi, të ndiejnë thellë përgjegjësinë e madhe që u është besuar, dhe të kenë më për zemër fatet e Shqipërisë, në mënyrë që populli ynë të realizojë aspiratat e tij për paqe, drejtësi, siguri, punë dhe begati.
Përfundojmë, duke kujtuar se gëzimi dhe shpresa për këtë mijëvjeçar të ri nuk do të ishin të plotë, po të mos i ngulim sytë në atë që besimi dhe devocioni i përbashkët e thërret “Hyjlindëse”, Virgjëra Mari, shembull i shkëlqyer i pranimit të Krishtit.
Perëndisë Atë, në Shpirtin e Shenjtë, i qoftë lavdia për dhuratën: Jisu Krishtin, që ishte, është dhe do të vijë.
Tiranë, 14 dhjetor 1999
Sinodi i Shenjtë
i Kishës Orthodhokse
Autoqefale
të Shqipërisë
Konferenca Ipeshkvnore
e Kishës Katolike