Me rastin e hapjes zyrtare të mijëvjeçarit të ri, gjatë kremtimit të Krishtlindjeve Orthodhokse (sipas kalendarit të vjetër, që zbatohet nga Kishat e Rusisë, Jeruzalemit, Gjeorgjisë etj.), më 7 janar 2000, në Vendet e Shenjta u mblodhën 13 kryetarët e Kishave Orthodhokse të botës. Mori pjesë edhe një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me në krye Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas.
Në Liturgjinë Hyjnore të përbashkët në Betlehem, nëpërmjet një Mesazhi (më poshtë po botojmë një përmbledhje të tij), Primatët e Kishave Orthodhokse, u drejtojnë “përqafim dashurie të gjithë vëllezërve në mbarë botën”, lëvdatë dhe lavdërim për Perëndinë, i Cili “me anë të ndërhyrjes së dashurisë të Tij e shndërron kohën, nga mbartëse të prishjes dhe të vdekjes, në një mjet jete dhe paprishmërie”, duke nënvizuar se “Mishërimi i Birit dhe Fjalës së Perëndisë në kohë të caktuar dhe në vend konkret, para së gjithash tregon shenjtërimin e historisë dhe të botës nëpërmjet transformimit të tyre në Mbretërinë e Perëndisë”.
Në Mesazh u theksua, se:
– Kisha Orthodhokse vazhdon t’i paraqesë botës moderne Kryqin e Zotit, i Cili “është i qetë dhe i përulur në zemër” dhe që e do çdo njeri, pavarësisht nga raca, ngjyra, seksi apo ndonjë dallim tjetër, madje edhe mëkatarin dhe “vëllanë më të vogël”, të cilin të fuqishmit e globit e sakrifikojnë shpesh si diçka pa vlerë për të arritur qëllimet e tyre.”.
– “Skandali i ndarjes së botës të krishterë … gjendet para nesh si një plagë e hapur, për shërimin e së cilës ftohemi të gjithë që të lutemi pa ndërprerje, të kujdesemi vazhdimisht dhe të punojmë pa përtim.
Gjithashtu, ata theksuan qartë se “dëshirojmë që të dënojmë ushtrimin e prozelitizmit nga ana e disa Kishave eterodokse dhe grupeve fetare”.
“U drejtojmë thirrje Udhëheqësve të fuqishëm të rruzullit që të sigurojnë dhe të konsolidojnë Paqen e shumëdëshiruar në këtë rajon dhe për të gjithë popujt që banojnë në të, duke respektuar statusin e Vendeve të Shenjta të sanksionuar prej shekujsh”.
“Ndaj feve të tjera të mëdha, në veçanti feve monoteiste të Judaizmit dhe Islamit, jemi të gatshëm tashmë që të ndërtojmë me to kushtet e Dialogut, me qëllim vendosjen e bashkëkzistencës paqësore të të gjithë popujve… Kisha Orthodhokse hedh poshtë intolerancën dhe dënon fanatizmin fetar, si dhe çdo dukuri që rrjedh prej tij.
“U shtrijmë përzemërsisht dorën humanitare të simpatisë dhe të ndihmës, të gjithë atyre që përndiqen për shkak të bindjeve të tyre dhe atyre që vuajnë diskriminime të çdo forme, vetëm për shkak të ndryshimit të tyre fizik, shoqëror ose kulturor”. “Hedhim poshtë çdo tendencë nacionalizmi dhe racizmi kombëtar, që tentojnë të shndërrojnë Kishtarologjinë Orthodhokse”.
Duke njohur mundësitë e reja nga përparimet e shkencës, në mesazh nxirren në pah rreziqet që ekzistojnë për prishjen e ekuilibrit të mjedisit natyror; u theksua edhe detyrimi i Kishës për të ndihmuar të rinjtë në zgjidhjen e problemeve dhe nevojën e forcimit të institucionit të familjes.
Së fundi, duke nënvizuar se “detyra e secilit prej të krishterëve është që të bëjë të vetin” mesazhin e Betlehemit, “si pikënisje të mijëvjeçarit të ri, nëpërmjet pastërtisë së zemrës, përulësisë dhe pendesës”, shpallën, se “duke u nisur nga kjo pikë, e Lindjes në botë të Zotit Shpërblyes dhe, duke shkuar gjithnjë drejt Tij, duke shpresuar, duke uruar e duke besuar, të ecim të gjithë, të rilindur nga Shpirti i Shenjtë edhe në mijëvjeçarin e ri”.
Shënim: Nga ana e Primatëve të Kishave Orthodhokse, iu ngarkua Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit, hartimi i përmbledhjes së mësipërme të tekstit të Mesazhit (i cili ishte 8 faqe i gjatë).