EmailFacebookKontakt

… dhe bekohet fillimi i punimeve për Kishën e re të Shën Kollit në Elbasan

… dhe bekohet fillimi i punimeve për Kishën e re të Shën Kollit në Elbasan.

Po të mërkurën, në qytetin e Elbasanit, Kryepiskopi bëri shërbesën e bekimit të gurit të themelit të Kishës së re të Shën Kollit. Merrnin pjesë qindra besimtarë, përfaqësues të komuniteteve fetare, autoritete lokale etj. Duke vënë në dukje vështirësitë e hasura, veçanërisht për gjetjen e një trualli të përshtatshëm, derisa u nisën punimet në sipërfaqen e mbetur midis pallateve të kishës së vjetër, Fortlumturia e Tij tha ndër të tjera, se “Shpresojmë në të ardhmen që autoritetet vendase, të cilat me gëzim i shohim të jenë pranë nesh, t’i japin mundësi edhe Kishës Orthodhokse për të pasur një truall të përshtatshëm, për të bërë edhe një kishë tjetër, e cila do të jetë një stoli edhe për qytetin.”

Nga nga besimtarët e pranishëm iu shprehën Kryepiskopit Anastas falenderimet e ngrohta dhe mirënjohja e thellë për këtë dhuratë të re për Komunitetin Orthodhoks të Elbasanit dhe për gjithçka ka bërë për këtë rreth dhe tërë Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale, si dhe e urua “Për shumë vjet, o Kryezot”, me rastin e 25-vjetorit të hirotonisjes së Tij episkop. Në fund të shërbesës, Kryepiskopi u rrethua, si gjithmonë, nga më të vegjëlit, të cilëve bashkë me bekimet iu shpërndau me dashuri si dhuratë simbolike nga një kryq.

Kisha e vjetër e Shën Kollit ishte ndërtuar rreth një shekull e gjysmë më parë, nga banorët aromunë të qytetit dhe kishte vlera të veçanta arkitektonike dhe e pasur me ikona e afreske. Në vitin 1967 ajo i shpëtoi furisë ateiste dhe kaloi në fondin muzeal, por në fillim të viteve ’70 u gjet mënyra për ta shkatërruar, duke e përfshirë qëllimisht në planin rregullues të qytetit.

Kisha e re, që ngrihet në pjesën e mbetur të territorit të kishës së vjetër, do ketë një sipërfaqe rreth 250 m2 dhe lartësi në këmbanare 18.5 m. Ajo do të ketë bodrum dhe një hajat të gjatë, i cili do krijojë një oborr të brendshëm, me disa mjedise për qëllime të ndryshme.

Punimet (pa përfshirë koston e mjediseve të kishës, që do të jetë parafabrikat), do të kushtojnë rreth 22 milionë lekë të reja.

Pas bekimit të ndërtimeve, Kryepiskopi Anastas pati një takim të përzemërt në Prefekturë me z. Durim Hushi, prefekt i Elbasanit.

Në fund të veprimtarive u bë një koktej, ku morën pjesë autoritetet lokale, klerikët, përfaqësues të besimtarëve elbasanas etj.

Korresp. i “Ngjalljes”