Nga shenjtorët e muajit
Shën Andoni i Lerinit
28 dhjetor
Ky shenjt lindi në Panoninë e Poshtme, në shekullin e pestë. Në atë kohë Panonia po vuante nga invazionet barbare. I ati quhej Sekundin dhe ishte mjaft i njohur në krahinën e tij. Ai ishte vetëm tetë vjeç kur i vdiq i ati. Të afërmit e tij, e lanë nën kujdesin e shën Severinit, apostullit të guximshëm të Norikut. Ka mundësi që, Andoni i vogël, jetoi me atë në manastirin që ai kishte themeluar në Faviana dhe ishte ende fëmijë kur pa Odoakrin të kalonte andej, gjatë marshimit të tij triumfues për në Romë.
Shën Severini vdiq në 8 janar të vitit 482, kështu që për Andonin u kujdes xhaxhai i tij Konstanti, i cili ishte peshkop i Lorshit në Norik (sot në Bavari). Ilirët luajtën një rol të madh në përhapjen e krishtërimit në Eropën Qendrore dhe Perendimore. Kjo shihet edhe nga numri i madh i prelatëve ilirë që shërbenin në ato zona.
Andoni ishte rritur në mes të murgjërve dhe në shpirtin e tij ishte ndezur dëshira për t’u bërë i tillë. Ai dëshironte të bënte një jetë të tërhequr dhe gjithë kohën t’ia kushtonte lutjes. Ndjente një gëzim të madh kur ishte vetëm dhe i lutej Zotit. Prandaj, vendosi të bëhej murg. Në atë kohë ishte rreth njëzet vjeç. Së bashku me disa të tjerë u largua nga Noriku për në Itali. Andoni po kërkonte një at shpirtëror, i cili do të mund ta drejtonte në shtigjet e vështira të betejava shpirtërore.
Dëgjoi se në rrethinat e Liqenit Komo, një prift i shenjtë, i quajtur Marius, drejtonte një numur të madh dishepujsh. Pa humbur kohë, ai shkoi atje dhe u vu nën drejtimin shpirtëror të këtij prifti të shenjtë. Përparimi i Andonit ishte shumë i madh, prandaj dhe priftit Marius i lindi një admirim i madh për të. Mariusi, duke parë virtutet e Andonit, i propozoi që ai të dorëzohej prift dhe kështu ta ndanin së bashku përgjegjësinë e priftërisë. Por Andoni i përulur nuk pranoi, duke e parë veten të padenjë për një gradë kaq të lartë dhe dëshira e tij ishte për një jetë vetmitare. Për këtë arsye, ai u largua nga ai vend, dhe shkoi e u bashkua me dy heremitë, të cilët banonin pranë varrit të shën Feliksit, në anën tjetër të liqenit.
Atje ai vendosi të jetonte vetëm. Kështu që u vendos në një shpellë, duke e kaluar kohën në lutje, agjërime, meditime dhe duke punuar kopështin e tij. Nga prodhimet e kopështit, ai mbante shumë pak për vete, ndërsa pjesën tjetër ia jepte të varferve. Ai jetoi në këtë mënyrë për shumë kohë. Perëndia i bëri shumë dhurata: dhuratën e profecisë dhe të shërimeve. Jeta e tij asketike, shenjtëria e tij, e bënë të njohur në gjithë zonën. Prandaj filluan ta vizitonin shumë njerëz. Kjo filloi ta shqetësonte shenjtin tonë, i cili donte të bënte një jetë të përulur e vetmitare. Një herë, një vrasës, duke dashur t’i fshihej drejtësisë, erdhi tek shenjti duke simuluar devotshmëri dhe duke i kërkuar Andonit të bëhej nxënësi i tij. Por, Andoni ishte i pajisur me dhuratën që “të lexonte në zemrat e njerëzve”. Kështu, ai ia tregoi atij mashtrimin që kishte bërë dhe vrasësi u largua i trembur. Kjo ngjarje e bëri atë akoma më të famshëm. Njerëzit filluan të vërshonin drejt tij, duke kërkuar shërime apo drejtime shpirtërore. Kur shenjti pa se nuk mund të jetonte më i vetmuar në paqe dhe fama mund të ishte një rrezik për përulësinë, u largua përsëri. Ai i kapëceu Alpet e shkoi në Galinë Jugore, në Lerin. Edhe atje shenjti bëri një jetë asketike. Për pak kohë ai u bë një shembull për tërë murgjërit e Lerinit. Shenjti bëri shumë mrekulli dhe shumë njerëz vinin vazhdimisht ta takonin, për këshilla e drejtim shpirtëror.
Etërit shpirtërorë të Kishës së Krishtit, mësojnë në bazë të përvojës së tyre personale dhe jo të disa mësimeve abstrakte e akademike. Përvoja e gjallë në kungim me Perëndinë e Gjallë ishte baza e mësimit të Etërve. Mbi këtë përvojë mbështeteshin këshillat shpirtërore të shën Andonit, ndaj ato kishin efekt të madh tek të gjithë ata që i zbatonin.
Mbas një jete të gjatë e të devotshme shenjti ynë fjeti në Zotin, i nderuar nga të gjithë për virtutet dhe mrekullitë e tij. Kisha jonë Orthodhokse e nderon në 28 Dhjetor.