EmailFacebookKontakt

At Petro Doçi – Gjithmonë pranë halleve të njerëzve

“Papa Petron, të keqen nëna, e kishim të shtëpisë. Na vinte për ajazmë, për ditët e emrave, për trisai, për vdekje e për çdo gjë. Na njihte e na i dinte edhe ballet. E kishim priftin tonë, jo vetëm ne por edhe tërë orthodhoksët e lagjes sonë. Sa bukur psallte dhe e këndonte ungjillin. Apo s’kish një zë!”

Këto e më shumë, thotë nëna. Dhe menjëherë nis kujtesa:

Me të vërtetë, priftërinjtë e Tiranës e kishin ndarë qytetin në zona, e secili kryente ritet në tërë familjet e zonës. Qe diçka interesante, qe diçka intime. Sidomos në ditët e emrave. Kjo sepse ata, priftërinjtë kishin edhe miq të përbashkët që duhej t’i uronin në po atë ditë. Këtë vizitë përgjithësisht e bënin së bashku, por pasi kishin kryer detyrat në zonat e tyre. E aty ku mblidheshin, rritej gëzimi e kënaqësia, festonin si gjithë të tjerët.

Po kush ishte Papa Petro? Djali i një familjeje të varfër elbasanase, që lindi më 20.07.1909. Mësimet i kish qejf që i vogël e me sakrifica vazhdoi në qytetin e lindjes edhe të mesmen. Në vitin 1928 shkoi me bursë në Seminarin Orthodhoks të Manastirit (Bitola), të cilin e mbaroi më 1934. U kthye në Elbasan ku punoi si mësues, por duke qenë i lidhur me Kishën e duke u folur vazhdimisht të rinjve për fenë e bukur të krishterë.

Lexojmë tek “Predikimi” në revistën e atëhershme e Kishës Orthodhokse:

“Më 19 shtator 1937 kryepiskopi Kristofor Kissi emëroi z. Petro Doçi, predikator të rregullt në Kishat e Elbasanit” (Nr. 8-10, viti IV):

“… hirotoniset dhjak, z. Petro Doçi absolvent i seminarit të Bitolas, mësues besimi dhe predikonjës në Elbasan”. (Nr. 5-9, Viti V).

“… u gradua Protodhjakon i kryesisë së Kishës” (Nr. 12 viti V).

Ra në sy të të gjithëve si një besimtar besnik i doktrinës së Krishtit. Detyrat që i ngarkoheshin i kryente me shumë devotshmëri. Vetë zemra e tij ia kërkoi që t’i kushtohej jetës fetare duke u veshur klerik. Kultura e fituar e lehtësonte këtë hap. Shkruante. “Krishti u lind” dhe “Mbi shërbimin e të Birit të Perëndisë” janë dy nga titujt e shkrimeve të para të tij. Më dhjetor 1938 shkruan artikullin e parë në revistën “Predikimi”, e më tej vazhdon e shkruan duke arritur dhe si drejtor përgjegjës i revistës tjetër kishtare “Jeta Kristiane”.

Lexonte libra, sidomos fetare, e kish dëshirë t’i diskutonte me të tjerë e kjo ish mënyra e tij që të përhapte kudo fjalën e Perëndisë.

Në vitin 1950 “dorëzoi” detyrën e Protodhjakonit duke u bërë prift, detyrë që e vazhdoi deri më 1967, kur nga rregjimi ateist u mbyllën kishat.

Pas kësaj punoi në një distributor për lëndë djegëse, pasi duhej të jetonte e të mbante familjen, sepse megjithë vjetërsinë në punë, sipas ligjit të atëhershëm klerikëve nuk u jepej pension. Por njeriu komunikues dhe këshilltari i urtë fitoi edhe këtu simpatinë e njerëzve të thjeshtë. Besimi i tij orthodhoks ndizej edhe më shumë kur shihte sesi ata e kuptonin dhe e respektonin. Familjar i mirë, që edukoi veç të tjerëve me moralin e krishterë edhe dy fëmijët e tij, Stasin dhe Xhoxhin, të cilët i sheh vazhdimisht në Kishë. Rihapja e kishës qe një qetësim shpirtëror për ta. Aty ata kanë parasysh babanë e tyre, miqt e tij dhe Vason, nënën e tyre të urtë e besimtare, që vazhdimisht lutej për të mirën e të gjithëve.

Me dhimbje se s’mund të kryente ritet, për të cilët qe i përkushtuar, Papa Petro vdiq më 27.12.1983. Le ta kujtojmë me respekt edhe këtë dhjetor At Petro Doçin, i cili meritoi me punën e tij edhe titujt fetarë si Saqellar i Kishës së Evangjelizmoit, kishë në të cilën meshoi gjatë gjithë veprimtarisë së tij fetare. “I përjetshëm, kujtimi i tij”.

K.B.