EmailFacebookKontakt

Pranë nevojtarëve

Gratë Orthodhokse të Tiranës kanë zbatuar e ndjekur në vazhdimësi disa programe ndihme.

“Kush të dojë të vijë prapa meje le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij dhe le të më vijë pas…”
(Marku 8:34)

Grupi i grave orthodhokse ka organizuar misionin e vet të krishterë gjithmonë i ndriçuar nga kjo porosi hyjnore e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Të ndihmojmë të vobektët, të ngushëllojmë të sëmurët, të vuajmë bashkë me ta për ta lehtësuar sado pak barrën e tyre. Këtë udhë të vërtetë jete përjetoi Zoti ynë deri në kryq, këtë mësim të madh sakrifikimi i dhuroi secilit prej nesh për shpëtim.

Aktivitetin tonë në mënyrë të veçantë gjatë gjashtë muajve të fundit e përqendruam tek fëmijët e sëmurë dhe ata të pastrehë. Vizita të shpeshta kemi bërë në dy institutet e fëmijëve andikapatë, si dhe në shtëpinë e fëmijëve të pambrojtur, duke iu dhuruar këtyre institucioneve ushqime, lodra, medikamente e dizinfektantë të nevojshëm për përmirësimin e kushteve të tyre jetësore.

Kështu, një ndihmë të konsiderueshme iu ofrua dhe çerdhes 30 në Laprakë. Dikur ajo kishte qenë një çerdhe model për rrethin e Tiranës, por tashmë është në një gjendje të vajtueshme. Disa herë u grabit nga elementë keqbërës, ndërsa muri i oborrit u shkatërrua. Pasi e paraqitëm në Kryepiskopatë këtë problem u arrit që me miratimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, Zyra jonë Teknike ngriti një mur të ri rrethues përqark çerdhes. Gjithashtu dërguam atje disa herë ndihma të vlefshme ushqimore.

Paralelisht me këto aktivitete kemi vazhduar shpërndarjen e ndihmave në familjet më nevojtare. Gjatë periudhës maj-nëntor u shpërndanë disa qindra mijë lekë të reja në të vobektët, të sëmurët, të moshuarit e vetmuar etj. I madh është edhe numri i pakove në ushqime që ndamë disa herë gjatë këtyre muajve. Numri i përgjithshëm i tyre gjatë 9-mujorit arriti në rreth 1000 copë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua, gjithashtu, të moshuarve, të sëmurë pa fëmijë, si dhe atyre të sëmurëve (qoftë dhe të rinj) që s’kanë njeri të afërt t’u bëjë shërbim. Konkretisht, kemi pajtuar në punë në këto familje gra, të cilat janë treguar të gatshme për t’u shërbyer. Pagesën e tyre e kemi siguruar nga të ardhurat e arkës që ndodhet në hyrje të Kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”. Të sëmurët kanë mbetur shumë të kënaqur me ndihmën e ngrohtë që u ofroi Kisha. Në këtë mënyrë njerëzit lavdërojnë emrin e Perëndisë dhe besimi tek Zoti dhe Shpëtimari ynë Jisu Krisht forcohet gjithnjë e më shumë.

Rajmonda Shqevi