E pamundur të mos biesh në gjunjë…
Në Kishën e Lindjes, në Betlehem
Betlehem, në hebraisht do të thotë “shtëpi e bukës”, emër që i detyrohet prodhimtarisë së lartë të vendit. Përmendet për herë të parë në librin më të vjetër “Të bërët” (35,16-19 dhe 48,7), si vend i fisit të Judës. Sipas Dhjatës së Vjetër, ajo që e bëri të dëgjuar këtë qytet është se atje u lind Davidi, mbreti i hebrejve dhe se po atje, në bazë të profecisë, do të lindej Shpëtimtari i Botës.
Në Dhjatën e Re, Perëndia bëri që të përmbushet parathënia për këtë qytet. Aty u lind i biri i Marisë, Jisu Krishti. Që nga ora e Lindjes së Tij e në vazhdimësi, Betlehemi u bë vendi më i dashur dhe më i veneruar për besimtarët e krishterë (madje edhe për të tjerët), ku të gjithë do të dëshironin të shkonin tashihnin të paktën njëherë në jetën e tyre.
Më është dhënë rasti për ta parë disa herë, por çdo vajtje ka të veçantën e saj, që të mbush me emocione të posaçme. Megjithatë, emocionet më të forta dhe mbresa të pashlyeshme të vizita e parë. Duke mos e njohur vendin, i etur për të parë çdo gjë sa me parë dhe nga kurioziteti, bëhesh siç i thonë fjalës, i tëri sy e veshë; kërkon të përpish gjithshka; shikon e dëgjon e mundohesh të mos humbasësh gjë.
Pas një tronditje emocionale, ndoshta edhe shokimi nga ato që sheh e mëson në qytetin e vjetër e të shenjtë të Jerusalemit, kërkon të vazhdosh për në Betlehem. Nisesh. Miqt të flasin, por mendja s’është aty. Mendon… Betlehemi ndodhet rreth 10 km më larg. Vazhdimisht hedh sytë në të dy anët e rrugës. Veç bukurisë së natyrës, ndërtimeve e monumenteve të lashta, mundohesh të veçosh atë që lidhet me besimin tënd e ta lidhësh me njohuritë nga Ungjijtë dhe natyrisht, mendërisht përfytyron…, përfytyron Vendin e Shenjtë.
Herën e fundit, kur po udhëtoja për në Betlehem, rrugës m’u kujtua im atë; m’u kujtuan shkrimet e shumta të tij për Lindjen e Madhe,… si edhe më e veçanta: psali një jetë të tërë, por… psalja e fundit e tij ishte më 25 dhjetor 1995. Megjithëse, pothuaj 82-vjeçar, psali me një zë si asnjëherë tjetër, sepse i këndonte shpirti për këtë ngjarje të madhe…
Sa del nga Jerusalemi, në rrugën për në Hebron, në të majtë, mbi një majë mali dukel Manastiri Orthodhoks i Shën Porfirit. Mandej, pothuaj në gjysmë të rrugës, ndodhet “çesma e Marisë”, ku sipas traditës u çlodh Maria me Josifin, kur po shkonin për t’u regjistruar në Betlehem. Po aty afër të shfaqet si një kështjellë Manastiri i Shën Ilias. Pasi lë pas Varrin e Rashelës, vend i shenjtë për hebrejtë, kthehesh majtas e merr të përpjetën për në Betlehem, sot një qytet me afro 30 mijë banorë. Duke u futur nga ana lindore, arrin në sheshin qendror, ku ndodhet Kisha e Lindjes, e cila të duket si një “kështjellë” e vogël.
Në këtë “kështjellë” hyn nga një portë shumë e vogël, ku detyrohesh të përkulesh. Në kohët e para ajo ishte mjaft e madhe (gjë që duket nga gjurmët në mur), por u zvogëlua nga murgjit, që ushtarët turq të mos hynin kaluar në kishë.
Sapo hyn brenda ndodhesh menjëherë në qendrën e Kishës Orthodhokse, mjaft e madhe, me 20 kolona të larta, në të cilat janë pikturuar pamje nga Ungjijtë. Lart, në faqet e murit vëren afresket e bukura të kohës së Justinianit. Edhe në dysheme sheh (pasi hapen kapakët e mëdhenj prej druri) mozaikët e lashtë të po asaj kohe. Poshtë altarit të Kishës Orthodhokse, me hyrje nga ana e majtë ndodhet Shpella e Lindjes…
Ungjillori Lluka, duke përshkruar më plotësisht se Ungjillorët e tjerë hollësitë e Lindjes së Shpëtimtarit, të cilat mendohet se i ka dëgjuar edhe prej vetë Hyjlindëses, thotë: “Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e pështolli ndë shpërgënj, dhe e vuri ndë grazhd, sepse nuk kishte vend për ata, atje ku kishin rënë” (Luka. 2,7).
…Radhë e madhe. Njerëz tërë emocione, të gëzuar e me sy që u ndrisin, ngazëllim tek të gjithë, aq sa edhe aparatet fotografikë dhe kamerat sikur heshtin. Zbret disa shkallë… kalon nën një qemer perandorak prej mermeri dhe… hyn në shpellë. Zemra të gufon, ecën pak djathtas dhe je tek vendi… tek vendi ku lindi Ai, tek Ylli i praruar, mbi të cilin varen kandile të ndezura e që s’shuhen kurrë…
Është e pamundur, që duke u ndalur para grazhdit të Betlehemit dhe, duke përfytyruar aty të shtrirë Shpëtimtarin e Gjithësisë, të mos gjunjëzohesh me mallëngjim para këtij Misteri të Madh. Edhe njeriu mëkatar, me zemër të thyer dhe me mendje të përulur, do të kuptojë, pikërisht në atë vend, se për shpëtimin e tij, Shpëtimtari duroi përuljen e fundit dhe se për të u lind në këtë grazhd Ai, Mbreti i Qiejve.
“Ejani o besnikë, të shohim, ku u lind Krishti!” – na fton Kisha. Jo në pallat, jo në djepe të artë, por në një shpellë dhe në një grazhd. Ai që është drita e pambarim, burim i jetës dhe i pavdekësisë u shfaq në botë, i lindur në një shpellë të errët dhe në një grazhd bagëtish. Por, Lindjen e Tij e himnuan engjëjt në qiejt, duke i njoftuar botës Lajmin e Madh.
Pra, je tek shpella, tek grazhdi, përulesh, lutesh me mendje… dhe ngrihesh i lehtësuar e i përtërirë. Shikon rreth e rrotull, kalon në anën perëndimore të shpellës dhe je tek vendi, ku u nde Ai. Eshtë interesant se këto Vende të Shenjta janë kthyer në Kishëza me ikona e kandile e me elemente të praruar, që përveçse të përtërijnë, të ngazëllojnë e të imponojnë besim për të ardhmen.
Del nga shpella dhe mediton; në fakt ke kohë të meditosh, sepse ecën në kishën armene e pastaj përsëri në atë orthodhokse. Pastaj nis e kërkon të dish më shumë: para hyrjes për në shpellë është një kishë e sirianëve, në të majtë, diku jashtë është kisha katolike, ndërsa në anën jugore janë një manastir orthodhoks dhe një armen…
Dihet se kur Shën Elena erdhi në këto Vende të veneruara më 326, ndërtoi mbi to nga një kishë. Mbi shpellën e Betlehemit dhe mbi Varrin e Shenjtë kishat qenë tepër të bukura dhe të mëdha, na përshkruan Eusebi, historiani më i madh i shek. IV.
Më 511, kisha u grabit nga samaritanët. Më 531, perandori i Bizantit Justinian, për ta mbrojtur nga invazionet e rrethoi me mur, por më 614 persët dhe më 636 arabët vunë dorë shkatërrimi mbi të. Më 1099 kryqëtarët e ripërmirësuan kishën, por më 1187, vendet e shenjta ranë përsëri në duart e arabëve. Të krishterët e Palestinës e kanë ruajtur besën me sakrifica të mëdha e aq më tepër këto vende të shenjta, për të cilat kanë paguar shumë edhe, duke derdhur gjakun e tyre.
Shekujt do të kalojnë njeri pas tjetrit dhe gjithmonë njerëzia e mahnitur do të qëndrojë mendërisht para grazhdit të Betlehemit, duke himnuar Shpëtimtarin e Botës, që u nde aty, duke marrë prej Tij mësimet më të larta dhe më ideale për jetën, duke u thelluar në përuljen e fundit që pësoi Shpëtimtari për njeriun, që ta lartësojë e ta rilindë, ta bëjë të denjë për qiellin, ta bëjë që t’i përngjajë Krijuesit të Tij, sepse sipas thënies së një himni të kishës, Perëndia u bë njeri, që të bëjë njeriun Perëndi.
Kristofor Beduli