EmailFacebookKontakt

Tregim nga Manastiri i Ava Theodhosit – Mrekullia e Pashkës

Në thellësi të shkretëtirës së Judesë në Palestinë gjendet manastiri i ava Theodhosit, të cilin e kish ngritur vetë i shenjti në shek V. Me kalimin e viteve u bë i madh, me shumë etër, të cilët kujdeseshin për azilen, për punëtorinë, jetimoret dhe spitalin e të varfërve, që ishin përreth manastirit.

Kur u formua ishte shumë i varfër dhe nuk ishin të pakta rastet, kur nuk kishin gjërat më të nevojshme. Por, besimi tek Perëndia dhe lutjet e të shenjtit Theodhos, gjithmonë i ndihmonin dhe i nxirrnin nga momentet e vështira.

Një herë, në një të Shtunë të Madhe, murgjit vunë re diçka të hidhur. Në manastir nuk kishte as edhe një naforë për Përshëndetje Hyjnore, nuk kishte, madje, as edhe për të ngrënë. Kalonte ora dhe po afrohej kremtimi i madh i Ngjalljes. Ajo që nuk e duronin nuk ishte uria, por se do të mbeteshin pa Liturgji Hyjnore.

Të gjithë sytë filluan të kontrollojnë për ndonjë shishe të harruar me verë ose për ndonjë copë bukë. Ishte e pamundur të gjenin, prandaj shkuan tek jerondi i tyre, Theodhosi i shenjtë dhe i thanë për gjendjen e vështirë dhe mërzinë e tyre. I shenjti i dëgjoi me qetësi dhe nuk u trondit aspak… Në fund iu përgjigj:

– Shkoni, bijtë e mi dhe interesohuni që të jenë të gjitha gati për Liturgjinë Hyjnore të mesnatës. Të përgatiteni edhe ju dhe do të takohemi kur të jetë koha.

– Ngushëllim i kotë, – pëshpëriti një murg.

Jerondi e dëgjoi dhe i tha:

– Mos ndoshta, fëmijët e mi, Perëndia u bë më i dobët në fuqinë e tij? Mos nuk është në gjendje të veprojë edhe sot Ai, që ushqeu popullin izraelit me mana në shkretëtirë? Mos nuk mund të bëjë çudira të tjera, Ai që ngopi me pesë bukë dhe dy peshq gjithë popullin që e shoqëronte?

Murgjit çuditeshin me fjalën e të shenjtit, por më shumë çuditeshin për besimin dhe dëshirat e tij, se të gjitha do të shkonin sipas uratës.

U bënë gati për t’u larguar nga qelia e jerondit, por e dëgjuan të thoshte:

– Të përgatisni jo vetëm Hieroren, por edhe tryezën e Pashkës, sepse ta dini, etërit e mi, se Ai që interesohet për zogjtë e qiellit, do të kujdeset edhe për ne.

Etërit u larguan të qetë. Fjalët e jerondit ishin ngushëllim i vërtetë në frikën e në dëshpërimin e tyre. Por, diku brenda vetes, u dukej, se ato fjalë që u kishte thënë jerondi ishin vetëm për t’u zbutur mërzitjen…

Dielli kishte perënduar, kur u dëgjua një trokitje tek dera. Etërit u hutuan. Kush mund të ishte në këtë orë?… Hapën derën kryesore të manastirit dhe panë një të panjohur. Kishte me vete 2 deve me ngarkesë.

– Bekomëni, o etër, – tha i panjohuri.

– Zoti, – iu përgjigjën murgjit.

– Më falni që ju shqetësoj në këtë orë, por ndodh diçka që nuk mund t’ua shpjegoj, – vazhdoi i panjohuri dhe tha: – Çdo vit në këtë ditë kam urdhër të çoj furnizime në një skit, këtu më poshtë. Ndodh zakonisht që të qëndroj edhe në Liturgjinë e Ngjalljes në darkë dhe ditën tjetër të kthehem. Kështu u nisa edhe sivjet. Por, në kohën që unë i afrohesha manastirit tuaj, dy devetë e mia ndaluan dhe u gjunjëzuan, saqë ishte e pamundur që t’i ngrija dhe t’i detyroja të vazhdonin rrugën. Nuk dëgjonin në asnjë mënyrë. Atëherë mendova se mos është dëshira e Zotit që të mbeteshin gjërat këtu. Prandaj trokita, me mendimin që të le tek ju furnizimet që kisha me vete, por devetë e mia u ngritën dhe iu afruan hyrjes së manastirit…

Ishte me të vërtetë dëshira e Perëndisë. Parashikimi i Tij kujdesej për nevojat e manastirit. Ushqimet që kishte sjellë i panjohuri dilnin jo vetëm për tavolinën e Ngjalljes, por deri në Pentikostinë edhe më tepër. Edhe për Liturgjinë Hyjnore as edhe një gjë nuk u kishte për t’u munguar gjatë atyre ditëve. Që nga ajo ditë e respektonin edhe më shumë të shenjtin Theodhos, kurse në jetën e tyre kishte vend të veçantë shpresa tek Perëndia.