Mjeku pranë jush
Glaukoma
Është një ndër patologjitë më të rënda të syrit, e cila në rastse nuk mjekohet në kohën e duhur, shkakton deri verbimin e të sëmurit. Njerëzit me moshë mbi 40 vjeç kanë një mundësi 2-4 % që të preken nga kjo sëmundje. Meshkujt vuajnë 2 herë më shumë se femrat.
Sëmundja karakterizohet nga 3 shenja kryesore: a) rritja e tensionit të syrit mbi 24 mmHg, b) ulje e pamjes qendrore dhe ngushtimi i pamjes periferike, c) ndryshime të pakthyeshme në nervin e të parit.
Glaukoma prek të gjitha moshat dhe si e tillë klasifikohet në: 1. glaukoma e lindur congenitale dhe 2. glaukoma e fituar.
Glaukoma e lindur vihet re nga prindërit ose të afërmit e fëmijës që në ditët e para të lindjes dhe karakterizohet nga sy i madh dhe xhami i syrit e ka humbur shkëlqimin e zakonshëm.
Glaukoma e fituar mund të jetë parësore ose dytësore. Në rastin e glaukomës së fituar një rol të rëndësishëm në shfaqjen e saj ka faktorë ereditarë (trashëgimie).
Glaukoma parësore mund të shfaqet në forma të ndryshme:
Një formë e glaukomës së fituar është congestive acute. Shenjat e kësaj forme janë të shprehura si për të sëmurin edhe për mjekun. Pacienti ankohet për dhimbje të forta të syrit të prekur, të kokës, skuqje të syrit, ulje të pamjes dhe në një pjesë të mirë të rasteve i sëmuri mund të ketë edhe të vjella. Të gjitha këto shenja që shfaqen janë të lidhura me nivelin e rritjes së tensionit të brendshëm të syrit i cili mundet të arrijë deri në 80 mmHg. I sëmuri me këto shqetësime shtrohet në spital për t’iu nënshtruar mjekimit të fuqishëm, për t’i ulur tensionin e syrit. Në një periudhë qetësie të syrit duhet kryer operacion, për të evituar përsëritjen e në të ardhmen, të cilat japin pasoja për syrin. Në raste të rralla këta të sëmurë janë paraqitur për ndihmë tek specialistë të tjerë, si tek neurologu.
Një tjetër formë e glaukomës së fituar është glaukoma kronike ekromike, që fillon e heshtur, pa shenja të dallueshme nga ana e të sëmurit. Kjo formë paraqitet e rëndë për të ardhmen e syrit, meqë pacienti, duke mos patur shqetësime, vizitohet tek specialisti kur sëmundja ka arritur në stad të avancuar dhe kur, si pasojë e tensionit të lartë, në sy kanë ndodhur ndryshime të pakthyeshme, që kanë sjellë uljen e pamjes deri në zero. Jo rrallë kjo formë sëmundje zbulohet rastësisht nga mjeku okulist, kur pacienti vizitohet për të kërkuar syze ose për ndonjë shqetësim që s’ka lidhje fare me tensionin e syve. Prandaj, në këtë lloj glaukome ka rëndësi depistimi i gjerë i njerëzve që kanë kaluar moshën 40 vjeç dhe sidomos, në ata persona që kanë të afërmit e tyre me këtë sëmundje. Diagnostikimi në stadet e hershme është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e syrit.
Të sëmurët me glaukoma ndiqen pastaj nga mjeku okulist me mjekim konservativ. Shumë të sëmurë mbeten vetëm me trajtim medikamental gjatë gjithë jetës, pa pasur ndryshime në funksionin e syve të tyre. Por, një pjesë e të sëmurëve i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale, në raste kur mjekimi medikamental rigoroz nuk ka mundësi të ulë tensionin e syrit në shifrat e dëshirueshme. Do jetë mjeku që do përcaktoj këtë proçedurë dhe kohën e bërjes.
Në glaukoma luan një rol të madh, përveç trajtimit medikamental edhe dieta. Kështu, këta të sëmurë nuk duhet të hanë të kripura e të skuqura. Sasia e lëngjeve të marrë në 24 orë duhet të jetë e kufizuar. Pijet alkolike dhe duhani janë armiqtë kryesorë të glaukomës. Nga përvoja jonë vëmë re edhe se gjendja e stresit tek të sëmurët luan një rol të madh, me rritjen e tensionit të syrit.
Një tjetër formë e glaukomës së fituar është ajo dytësorja. Shkaqet e shfaqjes së saj janë të ndryshme, si p.sh., pas një traume të syrit, pas një tumori të syrit etj. Në këto raste mjekimi bëhet duke eleminuar shkaktarin e saj.
Së fundi, duhet përmendur edhe glaukoma absolute dolorose. Kjo formë glaukome është mjaft e rëndë për të sëmurin, sepse veç asaj që pamja është zero, i sëmuri ka dhimbje të forta, të cilat nuk e lënë në asnjë moment të qetë edhe me përdorimin e qetësuesve. Në këtë rast ndërhyrja e mjekut okulist është e rëndësishme për të shëruar një herë e përgjithmonë të sëmurin.
Dok. Violeta Ristani
Pranë Klinikës së Ungjillëzimit