EmailFacebookKontakt

Dreka për më të varfërit

T’u shërbesh të varfërve është bekim Perëndie. Zoti ynë Jisu Krisht tha se çdo shërbim i kryer ndaj tyre është shërbim i kryer ndaj vetë Atij. Ndaj, që nga fillimi i nëntorit, gjatë vizitës në qytetin e Korçës, Kryepiskopi Anastas dha bekimin, që në sallën kryesore të Mitropolisë së Hirshme të shtrohen dy herë në javë, të hënë dhe të enjte, dreka falas për më të varfrit e qytetit, me perspektivën që të bëhet një shërbim gati i përditshëm.

Kjo inisiativë është marrë përsipër nga Lidhja e grave orthodhokse “Dashuria”, anëtaret e të cilës kujdesen për gatimin dhe shërbimin çdo herë ndaj rreth 40-45 ndër më të varfërve të qytetit, të ndihmuara në këtë dhiakoni edhe nga klerikët dhe intelektualët orthodhoksë.

Një ndihmesë të veçantë ka dhënë për këtë edhe një grup bamirësish nga Selaniku, drejtuar nga zonja Sofia Tenxidhi, të cilët kanë dhuruar sasira ushqimesh si në Mitropoli, ashtu edhe në Kishën e Ersekës, ku edhe atje pritet të fillojë së shpejti ky shërbim.

Të varfrit që janë ndihmuar nga ky program falenderojnë nga zemra dhe i urojnë jetë të gjatë Fortlumturisë së Tij Anastasit, i cili, jo vetëm dha bekimin, por edhe premtoi se do të mbulojë personalisht çdo shpenzim që do të nevojitet.

Gjithashtu, Kryepiskopi ka dhënë bekimin që së shpejti ky shërbim dhiakonie për më të goditurit nga jeta, të organizohet e kryhet edhe në shumë qytete të tjera.

Vasilika Jakova
Ipathi Teneqexhi
Kleanthi Çuti