I nderuar Z. Janullatos!
I lutemi të madhit Zot që të gëzoni shëndet të mirë, sikur edhe ne, lavdi Zotit jemi mirë.
Siç e dini marrëdhëniet tona kanë qenë e kanë vazhduar të shkëlqyeshme. Fatkeqësisht kur lexuam në gazetën “Republika” datë 15.10.97 intervistën tuaj dhënë jashtë shtetit, u indinjuam shumë.
Për këtë i lutemi zotërisë suaj të na shkruaj si qëndron e vërteta se deri tani ende nuk e besojmë.
Presim me padurim përgjigjen tuaj.
Me nderime, Juaji
H. Hafiz Sabri Koçi
Tiranë, më 18.10.1997
Nr. 737 Prot.
I nderuar z. Koçi!
Paqja dhe bekimi i Perëndisë le të mbushin jetët tona!
Me habi të madhe mora letrën tuaj të datës 18 tetor 1997. Kërkova gazetën, të cilës i referoheni dhe konstatova edhe një herë se gazeta në fjalë vazhdon taktikën e saj të deritanishme, të njohur në publikun shqiptar, duke u përpjekur të hedhë baltë mbi dhiakoninë torië fetare me publikime mashtruese dhe shpifje me ose pa takt.
Kufizohem së nënvizuari se teksti në fjalë, të cilin përkthen nga një libër mbresash udhëtimi, nuk është intervistë, por përshtypje arbitrare të një vizitori në Tiranë, më 1994, për të cilat vetëm autori i tyre mban përgjegjësi, përmbajtjen e të cilave as e kam aprovuar dhe as e aprovoj.
Pikëpamjet dhe bindjet e mia për bashkekzistencën paqësore, bashkëjetesë harmonike dhe bashkëpunim vëllazëror të komuniteteve fetare në Shqipëri i kam shprehur në mënyrë të përsëritur nga tribuna zyrtare dhe jozyrtare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi dhe më gjerë, në Evropë dhe në Amerikë, për vite me radhë dhe me konsekuencë u jam përmbajtur në veprën time. I njohin shumë mirë jo vetëm besimtarët orthodhoksë, por edhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar.
Me nderime
I juaji
Anastasi
Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
Gjirokastër, më 27.10.1997
Nr. 376 Prot.
Tiranë, më 05.11.1997
I nderuari Zotëri Janullatos
Lusim Zotin për gjithçka të mirë!
Me interesim lexuam përgjigjen tuaj ndaj letrës sonë më 18.10.1997.
U kënaqa, sepse e prisnim një përgjigje të tillë sqaruese.
Ne gjithmonë jemi munduar që të mos biem viktimë e provokacioneve e shpifjeve ndaj marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare që gëzojmë në Shqipërinë tonë. Do të ishte me interes të të dy religjioneve që përgjigjja juaj të botohej në shtyp.
Gjithsesi, ne ruajmë konsideratat tona për punën tuaj në drejtim të bashkekzistencës paqësore dhe bashkekzistencës harmonike ndërmjet komuniteteve tona fetare.
Me nderime dhe respekt
H. Hafiz Sabri Koçi