EmailFacebookKontakt

Uzurpim skandaloz në Elbasan – Banda Kotorri në veprim

Uzurpim skandaloz në Elbasan

Banda Kotorri në veprim

– Organet e pushtetit bashkiak sërish u hapin udhë forcave të errëta –

Elbasani hyn në kronikë sërish për një akt të turpshëm ndaj pronave të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas Kishës së Shën Marisë uzurpohet edhe godina dykatëshe pranë saj, e cila do të përdorej për qëllime sociale, në ndihmë të banorëve elbasanas dhe ku ishin investuar miliona lekë. Shteti, forcat e rendit sërish bëjnë sehir ndaj këtij veprimi rrugaçëror, qëllimi i të cilit është po aq skandaloz sa veprimi – biznes privat me pronën e Kishës. Sqarojmë se:

1. Sipas vendimit të gjykatës së rrethit Elbasan, me Nr. 1400 akt dhe nr. 1013 vendimi të datës 6.5.1994, rezulton se ndërtesa me 2 kate, që ndodhet në oborrin e Kishes Katedrale të “Shën Marisë” në lagjen Kala, është pronë legjitime e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

2. Me aprovimin e lejes së ndërtimit nga KRT e rrethit Elbasan, u krye rikonstruksioni i saj i përgjithshëm, pasi ishte në gjendje të vajtueshme, me Firmën Ndërtimore Private “Progresi ’93”, Elbasan, me president z. Sotiraq Qyrçiu, që kapi vlerën totale rreth 11.276.000 lekë të reja. Si përfundim, ndërtesa 2 katëshe, me sip. 242 m2, me 4 dhoma poshtë dhe 4 dhoma sipër, ndërroi e tëra, duke u bërë fuksionale, bashkohore, por, duke ruajtur gjithmonë arkitekturën e saj të parë.

Ky investim u krye, duke patur fillimisht të qartë dhe të përcaktuar qëllimin dhe destinacionin e kësaj ndërtese, që është përdorimi si ambulancë, klasa për katekizëm, kopsht etj.

3. Tani vihemi përpara faktit të kryer, të uzurpimit dhe të okupimit të ndërtesës 2 katëshe me apë të forcës dhe dhunës, nga ana e një grupi tashmë të njohur nga opinioni i gjerë publik dhe besimtarët elbasanas, të përfaqësuar nga Mustafa (Dhimitër) Xhelal Kotorri (pas të cilit fshihet i vetëquajturi prift Nikolla Marku), i cili ka vetëmarrë emërin si kryetar i Shoqatës Kombëtare të Autoqefalisë, një shoqatë fantazëm, që i ka shërbyer sipas situatave dhe interesave, disa individëve e segmenteve të errëta me pushtet, që nuk kanë fare të bëjnë me besimin orthodhoks.

Tani, ky grup, i mbetur pa përkrahje nga ata që e krijuan dhe e mbajtën deri tani, është lëshuar i afarizmave dhe ekonomisë të tregut (shqip matrapazllëkut). Konkretisht, pasi e uzurpuan me dhunë Kishën e Shën Marisë (të cilën nuk mund ta jepnin me qera dhe e kanë katandisur për hall), e aplikuan këtë tek ndërtesa 2 katëshe, që siç thamë, është edhe zyrtarisht pronë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ata e dhanë me qera, me kontratë (?!), duke u paraqitur si pronarë, pa qenë të tillë. Dhe ky veprim rëndohet dhe acarohet akoma më shumë kur ndërhyjnë edhe nënpunës të seksionit të arsimit, të bashkisë të Elbasanit, që japin miratimin për hapje veprimtarie private e më pas, lidhen jashtë të gjitha ligjeve, kontratat Nr. 6694 Rep. dhe Nr. 1785 Rep. të datës 29.09.1997, nga noterja Majlinda Lato, ndërmjet palëve Mustafa (Dhimitër) Xhemal Kotorri e kompani dhe nga qiramarrësi z. Tomor Araniti, i cili as si besim e as për ndonjë arsye tjetër nuk ka të bëjë me Kishën Orthodhokse.

Pas përfundimit të kësaj kontrate, duke përcaktuar dhe shumat që ngrohin xhepin e grupit, u vendos tabela në ndërtesë për hapjen e shkollës private Araniti, sigurisht me pagesë. Dhe kështu, iu hap një udhë fitimprurëse grupit të keqnjohur, duke shfrytëzuar pasuritë dhe investimet e besimtarëve dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pa iu hyrë asnjë gjemb në këmbë.

Fatkeqësisht, po ndodh njësoj si dje, për Kishën e Shën Marisë, kur këta aventurierë u ndihmuan aktivisht nga segmente të errëta të shtetit, të cilët e trajtuan hapur në mënyrë të diferencuar Komunitetin tonë Orthodhoks. Kuptohet, të diferencuar për keq.

Korresp. i “Ngjalljes”