EmailFacebookKontakt

Ndërtimi i Kishës së Shën Prokopit

Kishat e Tiranës

Ndërtimi i Kishës së Shën Prokopit

Për të përfituar nga rasti i lejes që i dha Ibrahim Bej Bargjinolli Bashkësisë orthodhokse të Tiranës. për të ndërtuar një kishë ne truallin përtej krahut të majtë të Lanës, të cilin ata e quanin “Tërështe”, bashkësia iu përvesh punës menjëherë pas vendosjes së saj brenda në qytet, sepse, siç dihet, në kohën e pushtimit turk ishte i ndaluar tërësisht ndërtimi i kishave, sidomos në qendra banimi thjesht myslimane. Ja se ç’thuhet tekstualisht në një fërman të sulltan Ahmetit III, të 22 tetorit 1725: “Nuk lejohet nga ligji që të pabesët (Kupto: të krishterët – Dh. BJ, që banojnë në qendra myslimane të ndërtojnë kisha apo të përdorin banesa të tjera si kisha.”

Për ndërtimin e një kishe në ato kohëra kërkoheshin dy dokumente: një fetva nga autoritet fetare lokale dhe një ferman sulltanor. Këto nuk jepeshin lehtë. Duheshin derdhur shumë të holla për ryshfete, duke filluar me autoritetet lokale e deri te pallati i sulltanit. Psh. në Kodikun e Mitropolisë së Gjirokastrës lexojmë, se për ndërtimin e kishës së atjeshme në 1776, u dhanë: “Dhurata e bakshishe pashait në Berat dhe kadiut këtu dhe bejlerëve e agallarëve groshë 1250. Gjithashtu, dhe valiut Mustafa Bej, që ruante ustallarët, si dhe dhurata kadiut, groshë 112”. Të tilla shënime ka mjaft nëpër kodikët. Ligësia e nëpunësve që qenë caktuar në këtë detyrë dhe tendenca e tyre për të grabitur sa më shumë të holla, krijonin shumë vështirësi, duke paraqitur njëmijë pengesa, deri në atë, për shembull, që ndërtimi apo rindërtimi i një kishe duhej kryer që nga themelet e deri te çatia brenda 40 ditëve. Ndryshe, pjesa e ndërtuar prishej prapë, siç ndodhi me kishën e qytetit të Delvinës.

I ndaluar qe, gjithashtu edhe riparimi i kishave ekzistuese. Ai lejohej të bëhej vetëm në rastin kur i lindte sulltanit ndonjë fëmijë e me kusht, që punimet duheshin mbaruar brenda 24 orëve. Kishat duheshin ndërtuar të vogla, të ulta, me pak dritë, në shumicën e tyre me çati druri, pa kambanare e kambanë.

Ja, pra, pse Bashkësia orthodhokse e Tiranës, pas sistemimit brenda në qytet, u mor menjëherë me problemin e ndërtimit të kishës. U vendos që të ndërtohej në truallin, i cili ndodhej në vendin e quajtur “Tërështe” e jo “te mani”, ku sipas traditës, në kohën paraturke ekzistonte një kishë e vjetër. U grumbulluan materialet e nevojshme, në transportimin e të cilave morën pjesë të gjithë. Iu bë thirrje banorëve të Bashkësisë, që çdo familje të jepte sipas mundësisë nga një kontribut për krijimin e fondit përkatës. Asaj iu përgjigjën menjëherë, me shuma të ndryshme, që nga 500 e deri në 5 groshë, 71 veta, krerë familjesh etj., ndërmjet të cilëve dhe gra, sipas listës që figuron e regjistruar në Kodikun e Kishës, e hedhur aty, si duket, më vonë, rreth vitit 1818 dhe ku shënohen një për një emrat e mbiemrat e tyre, si dhe shuma e të hollave në groshë.

Kisha, thotë tradita, u ngrit në një kohë rekord, ndërsa pajisjet e brendshme, si: ikonostasi, fronat, ikonat e mëdha e të vogla të ikonostasit etj., u plotësuan gradualisht. Dy ikona të mëdha të ikonostasit, që ndodheshin deri vonë në kishën e Evangjelizmoit, që ishin Kishës së vjetër, siç quhej kisha e Shën Prokopit, mbanin datën 15 maj 1797.

Për kohën e ndërtimit dhe të përurimit të saj nuk ka ndonjë të dhënë të sigurt. Si duket, tabela përkatëse me këto të dhëna, të cilën çdo kishë e ka mbi hyrjen qendrore, është hequr në vitin 1886, kur asaj iu bë një rikonstruksion i përgjithshëm. Arkitekti Koço Mio thotë në veprën “Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës”, se kisha e Shën Prokopit ishte ndërtuar në 1720, pa përmendur burimin.

Mirëpo, po të kemi parasysh se vendosja e Bashkësisë orthodhokse brenda në qytet është bërë në vitet 80 – 87 të shek. XVIII, domethënë para vdekjes së Ibrahim Beut dhe se kisha është ngritur sipas traditës, pas vendosjes, atëherë, kësaj kohe i përket edhe ndërtimi i saj.

Kisha iu kushtua dëshmorit të madh të krishtërimit, Shën Prokopit, i cili njëkohësisht u shpall mbrojtës i Bashkësisë dhe kremtohej për çdo vit më 8 korrik. Atë ditë bëhej festë e madhe, ku merrte pjesë e gjithë Bashkësia.

Kisha si ndërtesë ishte mjaft e thjeshtë, e ulët, pa dritë të mjaftueshme, pa kambanare, me një hajat të zakonshëm e të varfër, siç e lejonin rrethanat e kohës. Ana e brendshme ishte, gjithashtu e varfër, muret të lyera me gëlqere, tavani i zakonshëm prej dërrasash, dyshemeja e shtruar me plloça guri, ikonostasi i përkohshëm, me disa ikona të sjella nga familjet.

Në vitin 1797, siç tregojnë të dy ikonat e lartpërmendura, u vendos ikonostasi e u plotësua me ikona. Si ai, ashtu edhe ikonat qenë të thjeshta, pa ndonjë vlerë artistike të veçantë. Në Kodik ka mjaft të dhëna, që tregojnë shtimin gradual të inventarit të objekteve të kishës nga dhuratat e ndryshme të besimtarëve. Kështu, në një shënim lexojmë: “1828 u gjendën ikona të Kishës së Shën Prokopit: të mëdha 2, të vogla 9 dhe një ikonë e veshur me serm”. Gjithashtu, në procesverbalin e vitit 1834 përmenden: 2 potire kungate me takëmet e tyre, 15 kandile vaji, nga të cilat një sasi prej argjendi të pastër e një sasi prej argjendi të përzier, si dhe një ungjill i madh me kapakë prej argjendi etj.

Vendi rreth e qark kishës, ku tek-tuk qenë mbjellë e rritur ullinj, përdorej si varrezë. Për lajmërimin e anëtarëve të Bashkësisë lidhur me shërbesat fetare e festat kryesore, në vend të kambanës, që nuk lejohej, përdorej “toka”, një copë hekuri i petëzuar në formën e një pafte të madhe, që i binte kishtari me një çekiç.

Deri në vitin 1874 ajo ka qenë kishë enorie ose famullitare dhe ka pasur herë një, herë dy priftërinj. Duke qenë jashtë qytetit, njëkohësisht shërbente edhe si vend mbledhjesh e bisedash të lira për probleme të ndryshme. Sidomos të dielave e festave të mëdha, pas mbarimit të shërbesës fetare, pleqtë e në përgjithësi burrat e Bashkësisë, rrinin shtruar në hajatin e kishës apo në ndonjë lëndinë, ku kuvendonin së bashku për hallet e problemet që i preokuponin. Në biseda shpesh përdornin dhe një leksik konvencional, lidhur me emrat e disa mjeteve, të disa qyteteve të vendit dhe të disa shteteve, që loznin në ato kohë politikën e botës, në mënyrë që veglat e pushtuesit mos merrnin vesh gjë.

Por, me ndërtimin e përurimin më 1 shtator të vitit 1874 të Kishës së re të Evangjelizmoit brenda në qytet, Kisha e Shën Prokopit ose “kisha e vjetër”, siç i thoshin, mbeti si një lloj eksoklisi, ku ata vinin, më shpesh gjatë verës, për të gëzuar ca orë qetësie e për të vizituar varret e njerëzve të tyre.

Më 1886, Filip Nishku, një nga familjet e vjetra e të para të Bashkësisë orthodhokse të Tiranës, i bëri kishës së Shën Prokopit mjaft meremetime për kujtim të birit të tij Kozma, që i kishte vdekur para kohe. I ndërroi pothuaj krejt çatinë, e leu brenda dhe jashtë dhe e pajisi me mjaft ikona të përmasave të mëdha. Me materialin e vjetër ndërtoi rreth kishës disa konakë, me qëllim që ajo të merrte me kohë formën e një manastiri të vogël. Bëri vetëm gabimin që hoqi tabelën e vjetër, me të dhënat e ndërtimit që ishte mbi hyrjen kryesore dhe vendosi një të re, me të dhënat e tij. Gjithashtu, në vitin 1912, me të hollat që la Spiro Kafexhiu, u ndërtua pranë kishës një shtëpi dykatëshe me katër dhoma të mëdha e të bukura, që të përdorej për njerëzit që do t’i shërbenin kishës dhe sidomos për ditën e panairit të Shenjtit, më 8 korrik.

Përveç këtyre që u përmendën më lart, Kishës së Shën Prokopit i kanë dhuruar ullinj, ara, të holla e të tjera edhe shumë banorë të tjerë të Bashkësisë, emrat e të cilëve figurojnë të shënuar një për një në Kodik.

Në këtë gjendje qëndroi kisha e Shën Prokopit gjer më 1938, kur në bazë të planit rregullues të Tiranës së Re, i cili parashikonte prishjen e Kishës, pasi andej do të kalonte shetitorja qendrore e kryeqytetit dhe në bazë të vendimit përkatës, ky monument historik për Bashkësinë orthodhokse të Tiranës u shpronësua për 80 mijë franga ar dhe u prish.

Dhimitër Beduli
(fragment nga libri “Kodiku i Kishës së Shën Prokopit”)