LITURGJIA HYJNORE
Hyrja e Vogël
Hyrja e Vogël bëhet gjatë këndimit të antifonit të tretë, qoftë ai Lumurimet apo Tropari i ditës. Hyrja e Vogël është procesioni solemn i klerit drejt altarit, i udhëhequr nga Ungjilli. Nëse po kremton një episkop, ai zbret nga froni episkopal, ku po qëndron qysh nga fillimi i Liturgjisë dhe rri në mes të soleas. Aty, atij i jepet Ungjilli.
Mbas thirrjes: “Urtësi. Drejt!”, kleri hyn nga Dera e Bukur, ndërsa të gjithë këndojnë Himhin e Hyrjes:
Ejani t’i falemi e t’i biem ndër këmbë Krishtit. Shpëtona, o i Bir’ i Perëndisë, që u ngjalle së vdekurish, ne që të këndojmë, Aliluia.
Kur nuk është e Dielë, në vend të “që u ngjalle së vdekurish”, thuhet “O i çuditshëm ndër shenjtorët”.
Nëse meshon një episkop ose më shumë se një prift, “Ejani t’i falemi” këndohet prej tyre në mes të Kishës, ndërsa psaltët përsërisin edhe njëherë “Shpëtona”.
Hyrja e Vogël është lëvizja e parë e rëndësishme e Liturgjisë Hyjnore. Ajo përbën veprimin e pare liturgjik, që është mbledhja e besnikëve në një bashkësi të Kishës së Perëndisë. Hyrja e Vogël është lëvizja e tërë Kishës, nëpërmjet Iisu Krishtit, kreut të saj, në personin e kremtuesit, drejt altarit, që simbolizon Mbretërinë e Perëndisë. Kjo lëvizje është bërë e mundur nga Ungjilli i Krishtit, i cili është Rruga për në Mbretërinë. Ajo mund të realizohet vetëm, duke ndjekur Iisuin, Fjalën e Gjallë të Perëndisë në mish njerëzor (Joani 1:1-18). Nuk ka tjetër mënyrë për tek Perëndia Atë, përveçse me anë të Krishtit, Birit të Perëndisë (Joani 14:6). Nuk mund të ketë Kungim me Perëndinë Atë, përveçse nëpërmjet përmbushjes së porosive të Tij, të cilat janë dhënë nga Iisui dhe janë shpallur në fjalët e Ungjillit. Kështu pra, është Ungjilli i Krishtit, Birit dhe Fjalës së Perëndisë, që na çon ne në Mbretërinë e Atit dhe në jetën e përjetshme të Trinisë së Shenjtë. Në këtë mbretëri hyjmë në Hyrjen e Vogël dhe gjatë Liturgjisë Hyjnore, atë përjetojmë.
Teknikisht, Hyrja e Vogël nuk përfundon kur kleri hyn në Hierore dhe qëndron para altarit. Ajo përfundon vetëm me këndimin e Himnit Trishenjtor. Përpara se të këndohet Himni Trishenjtor këndohen tropari dhe shkurtorja e ditës.
Ndërsa këndohen këto himne, meshtari lutet para altarit për faljen e fajeve dhe të mëkateve të të gjithë asamblesë, që i gjithë populli të mund të bëhet i denjë nga Perëndia “që të qëndrojmë në këtë orë përpara lavdisë së altarit tënd të shenjtë dhe të të parashtrojmë adhurimin dhe lavdërimin që kemi për detyrë ndaj Teje”. Pastaj, fillon këndimi i Himnit Trishenjtor të engjëjve, të cilët e këndojnë papushim në praninë e Mbretërisë së Perëndisë. Shenjt Perëndi! Shenjt i Fuqishëm! Shenjt i Pavdekur! Mëshirona! (Isaia 6:1-5).
Ky version i Himnit Trishenjtor është shumë i vjetër. Ai është një himn kushtuar Shën Trinisë, në praninë e të Cilit të krishterët e shohin vetveten në Liturgji. Brenda pranisë së Mbretërisë të Perëndisë, njerëzit janë aftësuar nga Krishti dhe nga Shpirti i Shenjtë, të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të bëjnë Fjalën e Perëndisë, e cila do t’iu lajmërohet atyre prej fronit të Atit.