EmailFacebookKontakt

Shën Konstandini, Dëshmori i ri nga Hidra

Shën Konstandini
Dëshmori i ri nga Hidra

Konstandini ishte një arvanitas nga ishulli i Hidras. Prindërit e tij quheshin Mihai dhe Marina. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç ai u largua nga vendlindja dhe shkoi në ishullin e Rodit, ku hyri në shërbim të Hasan pashait, guvernatorit turk. Atje ai u detyrua të mohonte fenë e të parëve dhe mori emrin Hasan. Për këtë u mbulua me ndere nga zotëria i tij. Por, shumë shpejt, filloi ta vrasë ndërgjegjja për çfarë kishte bërë dhe u pendua shumë. Pastaj mendoi, se për të larë fajin duhej të merrte pagëzimin e martirit. Meqenëse ati i tij shpirtëror nuk i dha lejen për këtë, ai, mbasi ua ndau tërë pasurinë që kishte të varfërve, u nis për në Krini, dhe prej andej për në Konstandinopojë.

Atje u takua me patrikun Gregori V, i cili i dha këshilla të vlefshme shpirtërore. Nën këshillën e patrikut ai shkoi në Malin e Shenjtë, në manastirin e Ivironit, ku kaloi një kohë në praktikimin e asketizmit. Atje e përgatiste vetveten me agjërime dhe me lutje, nën drejtimin e një mjeshtri shpirtëror, At Sergjit. Dhe ndërgjegjja vazhdonte ta vriste vazhdimisht për atë që kishte bërë – për mohimin e fesë – dhe i lutej Zotit se si ta shlyente atë faj.

Kështu, një ditë, ai vendosi që vetëm martirizimi do e shlyente fajin dhe mbasi mori bekimin e etërve të manastirit, u nis për në vendin ku kishte mohuar besën, për në ishullin e Rodit. Përpara se të paraqitej para pashait turk, Konstandini u lut:

Zoti Iisu Krisht, Perendia jonë, Ti denjove të zbresësh prej qiellit dhe të marrësh mish njerëzor prej virgjëreshës Mari, që të shpëtosh racën njerëzore prej tiranisë së djallit. Ndihmomë dhe forcomë mua në këtë orë, që të mund të rrëfej me guxim që Ti je Biri i Perëndisë dhe Perëndi e vërtetë, dhe që Ti ke krijuar qiejtë, dhenë dhe detin, edhe të gjitha të dukurat e të padukurat. Po, o Mbret i kohërave, o i ëmbli Iisu Krisht, dëgjomë mua mëkatarin dhe jepmë forcë për të mundur armikun që më kishte mundur për luDdinë dhe nderimin e emrit Tuaj të shenjtë.

Pastaj Kostaridini shkoi tek pallati i pashait dhe rrëfeu atje me guxim besën në Krishtin.

Pashai nuk e njohu në fillim Konstandinin, madje edhe kur ky i tha “Pasha, të përshëndet shërbëtori yt” dhe i habitur iu përgjegj: “Cili nga shërbëtorët e mij je ti? Unë nuk të njoh. Sepse ti je një murg (Konstandini ishte veshur me rrobën e murgut). Por, nëse ti je një nga të mitë, përse je veshur me rroba të zeza, të cilat nuk janë të fesë sonë? Ligji jonë thotë që të veshim rroba të bardha dhe të hapura, që të dallohemi nga të krishterët. Prandaj, hiqi këto rroba të përzieshme dhe unë do të të jap rroba të ndritshme dhe gëzoje jetën. Gjithashtu, unë do të të jap para sa të duash dhe ti do jesh i kënaqur nga unë. Pastaj, të gjithë të krishterët do të të shikojnë, do të të kenë frikë dhe do të të nderojnë.”

Konstandini iu përgjigj: “Jo efendi, kurrë! Kjo rrobë e zezë është për mua më e ndritshme se ari juaj. Unë jam Kostandini, të cilin e mashtrove të mohonte besën e të parëve dhe Jisuin tim të ëmbël. Por, unë do të them se edhe për ty do të ishte më me përfitim për shpirtin tënd, nëse beson në Jisu Krishtin si Perëndi e vërtetë. Ti do të fitosh mbretërinë e Tij qiellore dhe do shikosh me sytë e tu mirësinë e pashprehur të gjërave të parajsës dhe do të gëzohesh me të gjithë engjëjt dhe shenjtorët.”

I zëmëruar pashai i bërtiti: “Kush t’i ka mësuar këto marrëziera Hasan? Unë të bëra birin tim, që të të martoja dhe të të bëja trashëgimtarin tim, ndërsa ti i shkelmon gjithë këto të mira dhe më vishesh me të zeza? Një nga njerëzit e pashait ngriti dorën ta godiste djaloshin, por pashai e ndaloi. Pastaj dha urdhër ta çonin në burg. Aq shumë u shqetësua pashai me Konstandinin, sa që shkoi në shtëpi dhe qëndroi atje për tre ditë. Kur u kthye, ishte edhe më i egërsuar. Dha urdhër që t’ia sillnin Konstandinin dhe i kur ia paraqitën, i tha: “M’i përsërit ato fjalë që mi the para disa ditësh.” Dhe Konstandini, pa u trëmbur, iu përgjigj përsëri me të njëjtat fjalë.

Guvernatori turk, i tërbuar nga zemërimi, u thirri ushtarëve të tij: “Rriheni, rriheni pa mëshirë këtë të çmendur! Shkuljani flokët, coptojani mishin dhe thyejani nofullat me gurë, që të mësojë se si duhet të flasë para sundimtarëve!” Ushtarët u sulën mbi djaloshin e njomë si ujq të uritur mbi qengj, duke e rrahur pa mëshirë, derisa e lanë gjysmë të vdekur. Pastaj e hodhën përsëri në burg.

Ditën tjetër, Konstandini u soll përsëri para pashait, i cili këtë radhë u përpoq me një lloj butësie t’ia ndryshonte mendjen. Pashai i tha: “A je penduar nga marrëzitë që the dje Hasan?”

Konstandini iu përgjigj: “Unë nuk jam Hasani, po një i krishterë dhe quhem Konstandin. Unë s’kam thënë marrëzira, por unë besoj dhe rrëfej Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, tre Persona dhe vetëm një Perëndi, të cilin unë e adhuroj dhe e lavdëroj”.

Ky rrëfim i guximshëm u bë shkak për një rrahje tjetër çnjerëzore. Gjatë rrahjes dëshmori i ri përsëriste papushim: “Kujtomë o Zot, në mbretërinë Tënde”. E rrahën aq shumë dhe aq egërsisht, sa që ushtarët menduan se vdiq, prandaj e hodhën përsëri në qeli. Por, kur shkuan të merrnin trupin e tij për ta varrosur, u shtangën nga habia kur e panë gjallë dhe të shëruar. Në një mënyrë të mrekullueshme shenjti ishte shëruar.

E sollën përsëri para pashait, i cili i tha “Po tani, Hasan, a je i kënaqur nga çfarë të bëra? Eja në vete, e rrëfe që feja jonë është më e madhja nga të gjitha të tjerat dhe unë do të të jap çfarë të kam premtuar më parë.”

Me trimëri Konstandini iu përgjigj: “Dëgjo o pasha, unë do të them të gjithë të vërtetën. Ti e di shumë mirë që para tri ditësh isha gjithë plagë nga të rrahurit, sa që edhe thonjtë kishin dalë. Trupin tim e hodhën pothuaj të vdekur në qeli. Po tani, ku janë plagët?… A sheh ti ndonjë shenjë prej tyre? A më mungojnë tani thonjtë? Zoti im, Jisu Krishti më vizitoi në burg dhe më shëroi. Unë e adhuroj atë si mjek të shpirtrave e trupave. Ai është i vetmi Zot dhe e vetmja e Vërtetë, të gjithë të tjerët janë gënjeshtarë. Ndaj, po të them dhe ty, o sundimtar, hapi sytë e shpirtit tënd dhe falu e adhuro Zotin Jisu Krisht, të cilin prindërit e tu e adhurojnë ende!”

Ky zbulim e turpëroi pashanë para syve të myslimanëve, që ishin të pranishëm, prandaj dhe urdhëroi ta torturonin, duke e vënë në pranga të drunjta, të cilat japin një dhimbje të padurueshme.

Ndërkohë, pashai ishte në dilemë. Ai ngurronte ta vriste Konstandinin, se i trëmbej ndikimit që kishin hidriotët në Portën e Lartë e sidomos tek Kapidan Pasha. Për këtë arsye i shkroi Kapedan Gjergjit (një admiral i krishterë, që shërbente në flotën turke, që ishte i shquar në disa fitore të bujshme detare), i cili në atë kohë ishte në Aleksandri, duke e informuar rreth Konstandinit dhe, duke i kërkuar edhe mendim.

Konstandini, gjithashtu dëgjoi rreth letrës, që pashai i dërgoi Kapedan Gjergjit. Kështu, me ndihmën e disa miqve i dërgoi një letër Kapedanit, ku i thoshte që të mos ndërhynte për shpëtimin e tij, sepse ai dëshironte të jepte jetën për besën dhe për Krishtin. Kapedan Gjergji i shkroi Kapedan Pashës, se nuk ishte i interesuar për Konstandinin dhe le të bënte me të çfarë të donte. Pashai u përpoq përsëri që t’ia kthente mendjen Konstandinit, por ishte e kotë. Dëshmori i ri i tha: “Unë të kam thënë shumë herë se jam i krishterë dhe në asnjë mënyrë nuk e mohoj Krishtin tim, edhe sikur të ma bësh trupin copa-copa. Bëj çfarë të duash, por vetëm bëj shpejt, sepse Zoti im po më pret!”

Mbas shumë torturave të egra, shën Kostandinin e varën në 14 nëntor të vitit 1800. Pak më vonë, lipsanat e tij të shenjta u sollën në vendlindjen e tij, në Hidra, nga nëna e tij.

Kisha jonë e kujton në 14 nëntor.

At Joani