Mjeku pranë jush
Hepatiti viral (verdhëza)
Hepatiti viral është sëmundje infektive akute, e shkaktuar nga disa viruse, si virusi A, B, C, D dhe E.
Format klinike të kësaj sëmundjeje janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato pa ikter, deri në insufiçiencën e rëndë akute të mëlçisë.
Si merret hepatiti?
Verdhëza më e shpeshtë shkaktohet nga viruset A dhe B.
Hepatiti A – merret me rrugën gastro-intestinale, nëpërmjet rrugës fekalo-orale, zakonisht nëpërmjet kontaktit të ngushtë me njëri-tjetrin. Infeksioni ndodh më shpesh në mjedise me kushte sanitare të këqija. Mosha që preket më shumë është grupi midis 3-15 vjeç.
Hepatiti B – përhapet me anën e përdorimit terapeutik të gjakut e të produkteve të tij, si dhe me anën e veglave të kontaminuara me gjak. Transmetohet me anën e ageve (gjilpërave), shiringave të infektuara, që janë përdorur për injektime intravenoze ose intramuskulare.
Infeksioni, gjithashtu, mund të transmetohet edhe me vegla dentare, kirurgjikale, gjatë vaksinimeve masive etj.
Infektimi me hepatit të tipit B ndodh edhe nga nëna tek fetusi, veçanërisht kur marrja e infeksionit ka ndodhur pas muajit të tetë të shtatzanisë.
Cilat janë shenjat klinike?
Periudha e inkubacionit në hepatitin viral A është 15-35 ditë, ndërsa në hepatitin B është 5-6 muaj.
Hepatit viral tipik ose i zakonshëm, paraqet një fazë preikterike, një fazë ikterike dhe periudhën e konvaleshencës.
Faza preikterike. Fëmijët paraqesin anoreksi, kanë të përziera (naure), ankojnë dhimbje të barkut, mund të kenë temperaturë 37,5-38 gradë. Nëna e kupton që fëmija është i këputur, i lodhur, kërkon të flejë më shumë, dhe nuk ka oreks. Ndonjëherë, fëmijët ankohen për dhembje artikulare, muskulore ose shfaqen ekzanteme ose puçra, për të cilat prindërit i drejtohen dermatologut (i marrin për sëmundje lëkure). Kjo periudhë mund të zgjasë deri në një javë.
Faza ikterike. Kjo karakterizohet me shfaqjen e verdhëzës në lëkurë dhe në mukozat, me ngjyrën e urinës në të kuqe të mbyllur, me ngjyrën e feçeve të hapur, në të hirët ose të bardha.
Kjo është faza që prindërit e kuptojnë vetë verdhëzën dhe adresohen tek mjeku.
Faza e konvaleshencës. Karakterizohet nga zhdukja e ikterit, përmirësimi i gjendjes së përgjithshme. Kjo periudhë zgjat një muaj.
Nënat duhet të kenë parasysh, se tek fëmijët hepatiti (verdhëza), mund të takohet edhe pa shfaqjen e ikterit. Në këto raste fëmijët mund të kenë temperaturë të lartë, çrregullime gastroitenstinale, të vjella, diarre, dhembje koke, gjendja e përgjithshme e tyre nuk është e mirë.
Ç’duhet të bëjnë prindërit?
Ata e njohin mirë gjendjen shëndetësore të femijës së tyre. Sa herë të vënë re tek fëmija, lodhje, mungesë oreksi, të vjella, dhimbje barku, dhimbje koke, temperaturë, duhet të konsultohen dhe të vizitojnë fëmijën e tyre tek mjeku pediatër.
Si mjekohet kjo sëmundje?
Për mjekimin e hepatitit viral rekomandohet regjim shtrati gjatë fazës akute të sëmundjes. Fëmija lejohet të zhvillojë aktivitet normal pas dyjavësh.
Në ushyerjen e fëmijës ka rëndësi të jepen karbohidrate (në formë kompostosh me fruta të freskëta), proteina dhe kufizohen yndyrnat.
Përdoren për mjekim vitamina C, vitaminat e kompleksit B. Pra, për mjekimin e hepatitit viral ka vetëm një mjekim simptomatik, që mjekon shenjat klinike.
Në format e mesme dhe të rënda të sëmundjes, si mbrojtje nga verdhëza rekomandohet shtrimi në spital.
Rëndësi ka mbajtja dhe respektimi i higjienës personale të fëmijës.
Në rastet kur fëmijët duhet të bëjnë mjekime për sëmundje të ndryshme duhet të përdorin shiringa me një përdorim. Për t’u mbrojtur nga hepatiti B, që vitin 1995, në vendin tonë ka nisur vaksinimi i fëmijëve të porsalindur, i cili është i detyrueshëm.
Ass. Prof. Eli Foto