Sipas fjalëve të Solomonit të urtë: “Frika e Zotit është fillimi i urtësisë” (Proverba 1:7). Duke pasur si bazë këtë, virtyti i parë që prindërit duhet të kultivojnë në shpirtrat e fëmijëve të tyre dhe madje, sa të jetë e mundur më shpejt, është frika e Perëndisë, d.m.th. besimi dhe shpresëtaria tek Ai. Sepse, nëse fëmija edukohet që i vogël me shpresëtari dhe përqafon jetën e Kishës, vetëm atëhere mund të shpresojmë se më vonë, kur ngasjet do ta rrethojnë nga të gjitha anët e pasionet do ta ngacmojnë, ai do të mbetet i palëkundur dhe do të ruajë parimet që mësoi nga nëna.
Nëse një fëmijë i tillë, i sunduar nga pasionet ose i tërhequr nga shembulli i keq, merr rrugën e gabuar, në rastet më të shumta pendohet më lehtë dhe kthehet më shpejt në rrugën e mirë, sesa ai që nuk njohu përkujdesje të krishterë në vitet e fëmijërisë. Ky kujtim i ëmbël i viteve të padjallëzuara femmore zgjoi shumë njerëz nga gjumi letargjik i mëkatit dhe i solli përsëri pranë Perëndisë. Ndaj, për fëmijën është tepër e rëndësishme të ketë një nënë shpresëtare. Ajo, që në moshën e njomë do t’i mësojë besimin dhe shpresëtarinë. Nga nëna, e jo nga dadua, apo mësuesja, – fëmija duhet të njohë Perëndinë. Tek ikonat e shtëpisë duhet të bëjë lutjen e parë, sepse është nëna ajo që do ta mësojë të lutet. Kështu bëhej kurdoherë në të gjitha familjet e vërteta të krishtera.
“Sapo fëmija të fillojë të kuptojë, – shkruan Joan Gojarti, – prindërit i mësojnë Simbolin e besimit, si të lutet e të psali, si edhe rregullin e ikonave të shenjta”. Po ky hierark, i jep edhe këtë këshillë nënave: “T’i mësoni fëmijët tuaj të bëjnë kryqin! Për sa kohë s’munden vetë ta bëjnë kryqin, t’ua bëni ju, me dorën tuaj”!
Po, si mund të frymëzojmë tek fëmijët tanë përjetimin e krishterë? Kjo do realizohet nëse prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre, që në moshën foshnjore, të vërtetat bazë të besimit tonë.
Mos u frikësoni! Eshtë shumë e thjeshtë dhe çdo nënë mund ta bëjë. Me fjalë të thjeshta zemre le t’u flasë sa më shpesh fëmijëve të saj për Atin e dhimbsur e të mirë. Pak më vonë, në intervale, le t’u flasë për jetën e njerëzve të parë në parajsë: se atje jetonin të lumtur, sa kohë që i bindeshin Perëndisë dhe se në qiell do të jetë pakrahasueshëm më mirë, për ata që do t’i binden Atij dhe prindërve. Le t’u tregojë, gjithashtu, se Adami e Eva mëkatuan dhe për shkak të mëkatit edhe ata u bënë fatkeqë, edhe gjithë njerëzit i bënë fatkeqë. Prandaj, u desh të vinte në tokë Shpëtimtari, që njerëzit të mundnin të hynin përsëri në qiell.
Do t’u flasë për Lindjen e Zotit tonë, për barinjtë e përulur e tre magët që iu falën, për mbretin e keq Irod, që therri foshnjat e pafajshme, për Paraqitjen në Tempull të Iisuit 12-vjeçar dhe jetën e tij të lodhshme në Nazaret. Do t’u flasë edhe për vuajtjet dhe vdekjen e Tij mbi Kryq, duke shpjeguar se Zoti i duroi të gjitha këto, meqë njerëzit ishin kaq të këqinj. Çdo fëmijë do kuptojë menjëherë, se nuk duhet të jetë i keq.
Nëna le të vazhdojë dhe t’u flasë për Ngjalljen dhe Ngjitjen e Zotit në qiell. Dhe fëmijët do t’i kërkojnë që t’u tregojë edhe të tjera, edhe të tjera…
Atëherë, ajo do ketë mundësi t’u flasë për Nënën e Zotit, për Hyrjen e saj në Tempull në moshën tre vjeç, për jetën e saj atje… Do t’u thotë se sa ajo i do njerëzit dhe realizon lutjen e atyre, që i drejtohen Asaj. Do t’u flasë për engjëjt e shenjtë, veçanërisht për engjëllin mbrojtës të secilit, që i ruan kaq shumë.
Nëna do të shfrytëzojë të kremtet e ndryshme, që t’i këshillojë për të vërtetat e mëdha të besimit tonë. Do të marrë shkak nga ikonat e shenjta, që ekzistojnë në çdo shtëpi të krishterë dhe nga kryqi që mban vetë dhe fëmijët, që t’u rrëfejë se ç’tregojnë ato.
Nëna e mirë, duke sjellë fëmijën çdo ditë para ikonostasit, duke bërë vetë kryqin dhe, duke bërë atë me doçkën e fëmijës së saj, do ta mësojë se si do të bëjë vetë kryqin e si të lutet dhe, sidomos, nuk duhet të neglizhojë kurrë të sjellë fëmijën e saj në Kishë çdo të dielë, që të kungojë Misteret e Shenjta.
Dhe, sa e lehtë është që me pemën e Krishtlindjeve të lidhet historia e Lindjes së Krishtit. Sa e lehtë është në Pashkë, ku mund t’u shpjegojmë fëmijëve, se Shpëtimtari vuajti dhe vdiq për mëkatet e njerëzve. Fëmija do kuptojë se për këtë arsye nuk duhet të mëkatojë. Do t’i themi se Perëndia e ngjalli Atë dhe, që edhe ne do vdesim, por, po të jemi të mirë, Shpëtimtari do na ngjalli si Llazarin e shenjtë.
Sa e lehtë është që njeriu të frymëzojë fëmijën me dashurinë dhe shpresëtarinë tek Shërbesat Hyjnore të Kishës. Mjafton vetëm t’i japim të kuptojë se në Kishë gjendet më i pranishëm “i kudondodhuri” Zot, Perëndia që i do shumë fëmijët dhe që i fton edhe ata pranë Tij. Ndaj, aty duhet të qëndrojmë të qetë, të bëjmë me kujdes kryqin dhe të lutemi me shpresëtari.
Për të rrënjosur dhe zhvilluar përjetimin orthodhoks të krishterë në shpirtrat e fëmijëve, prindërit janë të detyruar t’i mësojnë që të vegjël, që të komunikojnë me Perëndinë dhe që të luten. Sado i vogël që të jetë fëmija, ai mund të lutet. Derisa kërkon nga prindërit atë që do, pse nuk mund ta kërkojë nga Ati qiellor?
Mësojini fëmijët tuaj të luten! Nëse filloni kur janë ende të vegjël, atëhere lutja do t’u bëhet zakon dhe nevojë. Të bëni sistematikisht, së bashku me fëmijët tuaj, lutje mëngjesi dhe mbrëmjeje, si edhe para dhe pas ngrënies. Të mos afrohen në tryezë, si kafshët në tagji, por të mësojnë se kush do që të shijojë dhuratat e Perëndisë, duhet t’i kërkojë ato, por dhe të falënderojë kur i merr. Lutjet “Ati ynë”, “Virgjëreshë hirplotë” dhe të tjera të shkurtra, duhet t’i dijë çdo fëmijë.
Po, prindër! Nëse zemra juaj është e përmbytur nga besimi dhe dashuria tek Perëndia, do të gjeni mijëra mënyra t’i transmetoni ato tek fëmijët tuaj. Sa padrejtësi do t’u bëjmë fëmijëve tanë, nëse do t’u privojmë thesarin e besimit, thesarin e Orthodhoksisë.
Përktheu: Nafsika Melo