EmailFacebookKontakt

E kremtja e Shën Dhimitrit në Berat

Megjithëse kishte tre ditë që shiu binte pa pushuar, të shtunën, më 25 tetor, mbasdite koha u kthjellua dhe doli dielli. Besimtarët e shumtë beratas, u mblodhën brenda mureve rrethues vendit, ku para disa kohësh nisën punimet për ndërtimin e katedrales, që janë ndërprerë, për të bërë një ajazëm me rastin e 26 Tetorit, të kremtes së Shën Dhimitrit.

Burra, gra, pleq e fëmijë me qirinj në duar ndiqnin me qetësi e devotion At Vangjel Xoxën dhe në fund, pasi puthnin kryqin, largoheshin me qetësi dhe rregull, për të pritur ditën e nesërme, kur do të kryhej Liturgjia Hyjnore e kësaj të kremteje, që mendohej, të zhvillohej në kishën se Shën Dhimitrit në fshatin Drobonik. Por, gjendja e keqe dhe e pasigurtë e asaj kishe, bëri që besimtarët beratas të mblidheshin në Kishën e Shën Thomait, në dalje të lagjes Goricë, e bukur, por mjaft e vogël për gjithë ata.

Katedralja e Shën Dhimitrit ka qenë ndërtuar në qendër të qytetit, një katedrale me bukuri magjepsëse, me vlera të pallogaritshme kulturore e historike. Ajo u shkatërrua nga vandalët e kuq më 1967, për të ndërtuar komitetin e partisë. Ndërsa Kisha e Shën Thomait, që mundi të shpëtonte në atë kohë, u dogj dhjetë vjetë më vonë, për nevojat filmike të Kinostudios…

Fatmirësisht, i madhi Zot bëri që në krye të Kishës sonë Autoqefale të vijë Fortlumturia e Tij, Dr. Prof. Anastasi, që e ndërtoi kishën e Shën Thomait dhe po rindërton gjithë kishat orthodhokse të ngritura gjatë dymijë vjetëve, të cilat i rrënooi “njeriu i ri” i partisë gjatë periudhës së diktaturës.

Gjithashtu, përfitoj nga rasti t’u bëj apel biznesmenëve e tregtarëve beratas, gjithë besimtarëve të qytetit, që të japin edhe ata kontribut për ndërtimin e katedrales. Të shpresojmë.

Qirjako Stefani