EmailFacebookKontakt

U kremtua Lindja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë

Manastiri i rilindur i Ardenicës ka pasur një histori dhe traditë shumë të pasur, e cila është ripërtërirë në vitet e fundit, sidomos pas kthimit të tij Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe rinisjes së jetës në të. Një nga këto tradita, ka qenë edhe kremtimi madhështor i Lindjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë, në çdo shtator.

Në datë 7 në orën 21:00 të darkës, me ardhjen edhe të besimtarëve nga Tirana, Fieri, Kavaja, e fshatrat përreth etj., të cilët e mbushën kishën plot e përplot nisi agripnia e së kremtes, gjatë së cilës u kryen shërbesat e Pasdarkës së Vogël, Mbrëmësores së Madhe dhe Mëngjesores, që u celebruan nga At Theologu dhe At Ilia Bita. Më pas, në orën 01 të mëngjesit u krye nga At Efremi Paraklisi i Vogël i Hyjlindëses së Tërëshenjtë. Pastaj, të gjithë të pranishmit pushuan apo pritën në lutje agripninë e ditës së re. Gjatë shërbesave veçojmë pjesëmarrjen e murgut të parë të ri të manastirit të Shën Kozmait dhe 5 kandidatëve të tjerë për murgj, që janë baza dhe shpresa e kësaj rilindjeje shpirtërore.

Në Liturgjinë Hyjnore të së kremtes meshuan At Theologu, At Efremi, At Ilia Bita dhe At Rafail Redhi, si dhe 7 dhiakonë të zonës, në një kishë që nuk i nxinte dot gjithë besimtarët e ardhur. Pas liturgjisë të gjithë morën një ëmbëlsirë nga manastiri dhe pastaj u krye dreka e së kremtes, ku përveç klerikëve morën pjesë edhe studentë të seminarit të Durësit, si dhe besimtarë. Kjo drekë ishte një nga hapat e parë të ringjalljes së një tradite të vjetër, ku çdo 8 shtator manastiri i Ardenicës, i cili dallohej për pasuritë e shumta, që ende nuk kthehen, shtronte një drekë për gjithë besimtarët që merrnin pjesë në festë.