Para disa kohësh, në një nga mjediset e Bashkisë së Shkodrës u zhvillua një takim i gjerë i misionarëve të Pajtimit Kombëtar të disa rretheve të vendit, për t’iu drejtuar përsëri opinionit publik mbarëkombëtar. Aty u propozua dhe mbajtja e një seminari, që do të përfshinte tre komunitetet fetare, shoqatat e ndryshme joqeveritare, që veprojnë në Shkodër, si dhe misionarë të shumtë në shkallë vendi. Kështu, nga 29 deri në 31 gusht, përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore në bashkëpunim me tre komunitetet fetare, e filluan aktivitetin, që kulmoi me një veprimtari të gjerë në teatrin “Migjeni”. Nga skena e Teatrit folën për pajtimin dhe tolerancën intelektualë të njohur. Ndërmjet të tjerëve, referate mbajtën edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare: Vrasja – nëpërmjet Ungjillit, nga prifti orthodhoks i qytetit, At Aleksandër Petani, Vrasja – nëpërmjet Kuranit, nga përfaqësuesi i komunitetit mysliman Fejzi Zakanjori, ndërsa At Dioniz Makaj i komunitetit katolik trajtoi Pajtimin e gjaqeve dhe ndikimin e misionarëve pa dallim feje në këtë akt të shenjtë.
Aktorët e teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, Bep Shiroka, Gjon Kola, nëpërmjet vargjeve të poetëve të mëdhenj të Shkodrës, si Fishta, Mjeda, Prenushi, Arapi etj. do të përcillnin mesazhin se sot duhen lule dhe jo plumba.
E diela 31, që ishte edhe dita e mbylljes, për Shkodrën ishte e veçantë. Në orën 08 filloi Liturgjia e Shenjtë në Kishën Orthodhokse të Shkodrës nga At Aleksandër Petani, kurse më pas ajo u zhvillua në Kishën Katolike Katedrale, të dyja në praninë e qytetarëve të shumtë shkodranë pa dallim besimi.
Kryetari i Bashkisë z. Bahri Boriçi do të theksonte se sot duhen burra dhe gra të denja për të falur në emër të Pajtimit dhe zhvillimit të Kombit. Me shtrëngimin e duarve midis njerëzve dhe dëshirave të mëdha për Paqe dhe Qetësi u mbyll seminari tri ditor i Shkodrës.
Luiza Vujoshi