Më 14 shtator shndriti dita e “Ngjalljes së Kryqit të nderuar”. Kjo ditë e Shenjtë e Lartësimit të Kryqit ka një rëndësi të madhe për ne, sepse ajo është një ditë agjërimi, një ditë lutjeje. Ajo na kujton se kryqi është shenja e besnikërisë dhe shpëtimi ynë vjen nga kryqëzimi i Krishtit. Çastet e kësaj dite sollën gëzim te besimtarët e Patosit, të fshatrave përreth dhe të Fierit, të cilët kishin mbushur kishën “Ngritja e Kryqit të Nderuar”.
U mbush plot një vit që kur Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi, i cili kishte bërë të mundur gjetjen e fondeve për ta ndërtuar, bëri përurimin e saj. Për këtë, besimtarët e shumtë që janë mbledhur gjejnë rastin dhe i urojnë Hirësisë së Tij, Kryepiskopit Anastas “Dita-njëmijë”, për këtë dhuratë të madhe të Perëndisë dhe të paçmueshme që prej kohësh e kishin ëndërruar. Përshtypje të bëjnë turmat e fëmijëve, që bashkë me të rriturit marrin pjesë në ceremonitë e organizuara.
Momenti më kulmor ishte Liturgjia e kryer nga At Mihai Shuli dhe dhjakonët Arqile Doko etj., të pasuar nga psalti Thoma Luzi me studentët e shkollës teologjike. Dhe pse mbaroi kjo liturgji, burra e gra, pleq e fëmijë, nuk largoheshin, por qëndronin me jehonën e gëzimit, duke biseduar për këto tradita të shkëlqyera dhe për t’i trashëguar ato më tej.
Rrapi Bardhi, Fier