EmailFacebookKontakt

Aktet e Hilandarit

Madhështia e luftës që udhëhoqi Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për një çerek shekulli kundër invazorëve osmanë dhe dashuria e pakufishme që ai tregoi për lirinë, e atdheun deri në fund të jetës së tij, e bën të domosdoshme të sqarohet më mirë edhe periudha e parë e jetës dhe e veprimtarisë së tij, që shkon deri në nëntor të vitit 1443, kur heroi ynë kombëtar, në moshën 38 vjeçare, u vu në krye të kryengritjes çlirimtare.

Mundësi për të sqaruar deri në një farë shkalle disa momente të kësaj periudhe ende të errët na japin dy akte të shkruara serbisht me gërma cirilike, zbuluar në arkivin e manastirit serbo-orthodhoks të Hilandarit, një nga manastiret e shumta që ndodhen në Malin e Shenjtë, në juglindje të Selanikut. Janë dokumentat më të vjetra që përmendin emrin e Gjergj Kastriotit, të zbuluara qysh më 1848 nga mediavisti rus V. Grigoroviç, të cilat janë botuar disa herë nga S. Novakoviç më 1912, V. Karablev më 1915, V. Mashin më 1940, J. Radoniç më 1942. Megjithëse janë të njohura, nuk është bërë ende një shfrytëzim i thelluar dhe një zbërthim i kujdesshëm i përmbajtjes së tyre.

Akti i parë është një akt-legim i lëshuar nga Gjon Kastrioti në emrin e tij dhe të katër djemve të vet, në favor të manastirit të Hilandarit. Dokumenti mban brenda në tekst shënimin, se “akti u shkrua në vitin 6934”. Sipas kalendarit bizantin viti, i takon periudhës nga 1 shtator 1425 deri në 31 gusht 1426. Studiuesit anojnë më shumë për vitin 1426. Akti është i pajisur me vulën e Gjon Kastrio-tit. Në këtë akt Gjoni shkruan: “unë mëkatari dhe i pamerituari. Gjon Kastrioti me djemtë e mi Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin…, pasi u këshilluam, i dhuruam manastirit të shenjtë, sipas fuqisë sonë. fshatin Radostushë me Kishën e Shën Marisë së papërlyer, që është në atë fshat, si dhe fshatin Trebisht…”. Pastaj, në akt Gjon Kastrioti thotë se me këtë dhurim ai dhe djemtë e tij hiqnin dorë nga të gjitha të drejtat që gëzonin deri atëherë mbi këto dy fshatra, duke ia lënë këto të drejta manastirit të Hilandarit…

Akti i dytë është pa datë. Ai është një akt-shitjeje, me të cilin igumeni i manastirit, jeromonaku Athanas, në emrin e këshillit të murgjve të Hilandarit, i shet Gjon Kastriotit dhe tre (jo katër) djemve të tij pirgun e Shën Gjergjit së bashku me disa prona të kësaj kulle. Dokumenti është i pajisur me një vulë prej dylli. Në akt thuhet se “Gjon Kastrioti… shfaqi dëshirën të blejë pirgun e Shën Gjergjit për vete dhe për djemtë e tij, zotin Reposh, zotin Kostandin dhe zotin Gjergj, së bashku me vreshtat, ullinjtë dhe të gjitha ato që i përkasin pirgut dhe me katër adelfate që t’i zotërojnë zoti Gjon, zoti Reposh, zoti Kostandin e zoti Gjergj. Në rast se ndonjeri prej tyre largohet nga kjo botë, (domethënë vdes – K.F.), t’i merret adelfati prej manastirit. Dhe kur të largohen (nga kjo botë) të katër personat e sipërshënuar, pirgu do t’i kthehet përsëri manastirit dhe në librin e të vdekurve emri i tyre të përkujtohet derisa të ekzistojë Hilandari. Për të gjitha këto; Gjon së bashku me tre djemtë e tij i dhurojnë manastirit 60 florinj”. Pasi shënon këtë dëshirë të Gjon Kastriotit, jeromonaku Athanas shton, se “Për të gjitha këto ne biseduam së bashku dhe me qëllim që të shtojmë, sipas zakonit të ardhurat e manastirit dhe për hir të dashurisë që kemi për ta dhe për afrimin e zotërinjve (të lartpërmendur) te manastiri i shenjtë, dëshirën e tyre ne e pranojmë dhe e bekojmë, prandaj e nënshkruajmë sipas mënyrës së sipërshënuar…”.

Analiza e kujdesshme e brendisë së këtyre dy akteve nxjerr para nesh njoftime dhe deduksione mjaft të rëndësishme në lidhje me mjedisin politik, social e familjar ku u rrit dhe u edukua Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.

Varri… i Reposh Kastriotit, i cili, sipas përshkrimit që na jep V. Petkoviçi, ndodhet brenda në katedralen e Hilandarit, në narteks, poshtë në murin verior, në një kamare (nishe) të gjerë, gjysmë sferike, faqet e së cilës janë të pikturuara me subjekte kishtare. Nën pikturat gjendet një mbishkrim, që tregon se në atë varr pushon Reposhi me titull “Dux Illyricus” – dukë ilir, domethënë dukë shqiptar. Viti i vdekjes është shënuar 1431. Duke u mbështetur tek një dokument (në dorëshkrim) i muzeut të Rumjancevit në Moskë, që ka botuar L. Stojanoviç, ku shënohet se Reposh Kastrioti ka vdekur më 25 korrik (pa përmendur vitin), V. Petkoviçi i bashkon me të drejtë këto dy data dhe thotë se Reposhi vdiq në Hilandar më 25 korik 1431 (f. 197). Por, mbishkrimi me titull “dux illyricus” na jep në dorë një element tjetër të rëndësishëm, se Reposhi nuk duhet të ketë vdekur si murg (“frate”, siç thotë Gj. Muzaka), sepse një nga kushtet themelore të jetës manastirore ka qenë heqja dorë e kallogjerit (murgut) nga të gjithë titujt zyrtarë e fisnikërorë. Mbishkrimi na lë të kuptojmë se Reposhi vdiq si fisnik me titullin “Dukë”. Këtë mendim na e përforcon njoftimi tjetër që na jep V. Petkoviçi, se pirgu i Shën Gjergjit quhet ne rrethin e Hilandarit edhe “Pirgu shqiptar” (Arbanashki pirg). Ky emër i dytë ka rrjedhur, padyshim, nga që në atë kullë do të kenë banuar për disa kohë reparte të armatosura shqiptare. Ndryshe, blerja e Pirgut nuk do të kishte kuptim. Mund të nxirret pra, përfundimi se Reposhi ka qenë në Hilandar deri sa vdiq, jo si murg, por si komandant me titullin dukë i reparteve shqiptare që mbronin pirgun e Shën Gjergjit.

… Interesin e manastirit nuk është vështirë ta zbulojmë. Pirgu i Shën Gjergjit ndodhet jo vetëm në afërsi të Hilanderit, por edhe të Selanikut, pra, në zonën ku parashiheshin përleshje të armatosura midis Turqisë dhe Venedikut. Këshilli i murgjve kishte interes që pirgu i tyre të mos binte as në dorën e myslimanëve, as në dorën e ndonjë zoti feudal të pavarur.

* * * * *

Emri i Gjergj Kastriotit përmendet edhe në aktin e dytë të Hilandarit, ku, siç u vu re, mungon emri i Stanishit. Ky fakt ka një rëndësi të dorës së parë për çështjen që trajtojmë. Përse mungon emri i Stanishit? Sigurisht, nuk ka vdekur, sepse ai përmendet në aktin tjetër të Hilandarit, që duhet të jetë i së njëjtës kohë; më tepër akoma sepse, sipas burimeve të tjera dokumentare, ai jetonte në vitin 1445 (J. Radoniç, 12). Historianët, në përgjithësi, mungesën e emrit të Stanishit e shpjegojnë me tezën se akti i dytë i Hilandarit është redaktuar pas vitit 1426, në një kohë kur ai, Stanishi duhet të ketë shkuar si peng ose si vasal tek sulltani. Në fakt ekziston një letër, që senati i Venedikut i drejton më 7 gusht 1428 Gjon Kastriotit, të cilën nuk e njohim integralisht, por vetëm nga një përmbledhje që ka botuar N. Jorga (f. 474-476) dhe ribotuar J. Radoniç (f. 4) e Fan Noli (f. 111-112). Nga letra del se një djalë i Gjonit, të cilit nuk i thuhet emri, është bërë “turk e mysliman”, domethënë ka hyrë në shërbim të sulltanit dhe, siç pretendon Gjoni, ka urdhër nga sulltani që të sulmojë jo vetëm vendet e Venedikut, por edhe tokat e të jatit; prandaj, vazhdon Gjoni, meqenëse i biri nuk e dëgjon atë, por shkon pas urdhërave të sulltanit, senati, siç kuptohet nga dokumenti, nuk u beson këtyre justifikimeve dhe i përgjigjet Gjonit, se republika mendon se i ati, sidoqoftë, mund t’i japë urdhër birit të vet të mos luftojë krahas osmanëve ose, të paktën, të mos sulmojë zotërimet e venedikut. Studiuesit, që nga N. Jorga, L. Thaloci, K Jireçeku dhe deri te A. Gegaj e F. Noli, mendojnë se djali i Gjon Kastriotit, që është bërë “turk e mysliman” dhe në vitin 1428 luftonte në anën e sulltanit, ishte Gjergj Kastrioti. Por, ky është një supozim pa ndonjë mbështetje.

Fakti që emri i Stanishit figuron në njerin akt dhe mungon në tjetrin akt të së njëjtës kohë, mund të na e sqarojë vetë natyra juridike-politike e veprimeve që ato përfaqësojnë. Dokumenti i parë, që e përmban edhe emrin e Stanishit, është një fakt-legim. Manastiri nuk ka arsye të refuzojë një “dhuratë” që i jepet nga kushdo qoftë, pa asnjë interes, siç është shprehur në dokument.

Krejt ndryshe ndodh me aktin e dytë të Hilandarit – me akt-shitjen e pirgut të Shën Gjergjit. Kanonet kishtare nuk e lejonin manastirin t’ua shiste pronat e veta, (sidomos kur këto ndodheshin pranë tij), institucioneve ose personave të besimit kundërshtar, qofshin myslimanë, ose katolikë. Pra, emri i Stanishit nuk figuron në aktin e shitjes së pirgut, sepse ai nuk ishte i krishterë, kurse prania e tij në akt-legimin e Gjon Kastriotit nuk e përjashton aspak mundësinë që ai të ishte mysliman. Ky diskutim për Stanishin na jep në dorë një element të rëndësishëm për Skënderbeun: prania e emrit të tij në të dy aktet e Hilandarit tregon se në vitin 1426 ai nuk konsiderohej nga këshilli i murgjve të manastirit si Stanishi, domethënë si një feudal osman…

Kristo Frashëri

(Marrë me shkurtime nga përmbledhja “Studime për epokën e Skënderbeut”)