Shpirti im i gjorë po vjen tek ty, o Atë,
Nga një vend i largët dhe plot mundim;
Rruga ish e lodhshme, rruga ish e gjatë,
Po vjen tek ty, o Atë, që të gjejë pushim.
Në mes një pylli të errët, një pylli të zi,
Shpirti im i mjerë me mundim kaloi;
Herë me guxim e herë me drithmë në gji
Përmes pyllit të errët mezi ai shpëtoi.
Bishat e pyllit shpirtin e sulmonin,
Po krahu yt i fortë gjithmonë e ndihmoi;
Të dilte prej pyllit, ta linin nuk donin,
Mëshira jote e madhe prej tyre e çliroi.
Si një fëmijë kur e rrahin dhe ai me lot,
Vrapon tek ati i dashur mbrojtje të kërkojë;
Ashtu dhe shpirti im i rrahur nëpër botë,
Vrapon tek Ati i tij, Ai ta shpëtojë.
Dhe ja para teje erdhi ai sot,
Për shpirtin tim të mjerë, ki mëshirë, o Atë!
Të vinte deri këtu ka derdhur shumë lot,
Rruga ish e lodhshme, ruga ish e gjatë.