Njëherë, një eremit, që dallohej për shenjtërinë e jetës së tij dhe njohjen e shpirtit njerëzor, i dha urdhër varësit të tij: “Shkule këtë pemë nga toka” dhe i tregoi një palmë të re, por që kishte shtrirë rrënjë të thella. Duke iu bindur jerondit, vartësi u përpoq ta zbatonte, por, megjithë përpjekjet, nuk mundi ta lëvizte palmën. “Jerond,- i thotë, – kjo që më kërkon të bëj është krejtësisht e pamundur”. Atëherë, jerondi i tregoi një tjetër, një pemë të brishtë, që vartësi e shkuli në çast e pa asnjë përpjekje të veçantë…
Duke e krahasuar këtë tregim me pedagogjinë, shohim se prindërit janë të pafuqishëm para fëmijëve të mëdhenj, nëse nuk kanë filluar të interesohen për edukimin e tyre që në moshë të vogël. Një proverb thotë se: ‘Ato që mësohen në rini, nuk harrohen në pleqëri”, prandaj Siracidi i urtë mëson: ‘A ke fëmijë? Jepu mësim e, që prej rinisë, mësoji ta ulin zverkun” (Libri i Siracidit 7:25).
Një nga arsyet kryesore të kësaj dukurie duhet të kërkohet tek vetë prindërit. Mjaft nga ata janë indiferentë për edukimin moralo-fetar të fëmijëve të tyre të verbuar nga dashuria e tyre prindërore, sa nuk duan të shohin tek ata asgjë të keqe. Nuk duan të dëgjojnë as vërejtjet e njerëzve largpamës dhe refuzojnë të dëgjojnë të vërtetën dhe këshillat e mira të tyre. Vetëm kur gabimet fëminore bëhen të padurueshme edhe për vetë ata, atëhere fillojnë e mendojnë për ndreqjen e birit ose bijës së tyre.
Atëhere i drejtohen edukimit, por është tepër vonë.
Për të gjithë ne është e njohur se sa shpejt zhvillohet fara brenda në tokë. Faktorët që përbëjnë zhvillimin fillojnë të veprojnë. Temperatura dhe lagështira zgjojnë filizin e ri në brendësi të dheut, i cili, dalngadalë fillon të dalë në sipërfaqen e tokës. E njëjta gjë ndodh edhe me fëmijën, që si fara, vjen në jetë dhe rritet vazhdimisht. Eshtë e njohur, se natyra njerëzore kurrë nuk zhvillohet kaq shpejt dhe nga të gjitha anët, sa në moshën fëminore. Njëkohësisht, kurrë nuk ka kaq nevojë përkujdesjeje dhe përpjekje, sa në vitet e para…
Meqë edukimi ka një strukturë të dyfishtë, nga njëra anë të shkulë të keqen dhe, nga ana tjetër të mbjellë të mirën, duhet të fillojnë edukimin e tyre që në moshën foshnjore. Disa prindër, veçanërisht më të rinjtë, i shohin fëmijët, për një periudhë të gjatë, si lodër ose kukull. I ushqejnë, i vënë të flenë, i përkëdhelin, lozin dhe gëzohen me ta, i ruajnë me çdo mënyrë nga ftohja etj., por për të tjerat – lenë të vrapojë, të lozin e të bëjnë ç’të duan, mjafton të mos i shqetësojnë me zërat e qarjet e tyre. Për shumë kohë, nuk ndërgjegjësohen se ky “engjëll i adhuruar” është në realitet një fëmijë kryeneç, grindavec, arrogant, i pabindur, lakmitar e grykës, i keq, derisa një ditë u hapen sytë. Atëhere vendosin të interesohen për edukimin e fëmijës së llastuar. Por, prindër të dashur, tani është shumë vonë. Pemëza tashmë u rrit.
Disa prindër të tjerë nuk ia arrijnë qëllimit, pasi kanë disa perceptime pedagogjike të gabuara, që sot janë rrënjosur në mendjen e shumë njerëzve, të cilat përdoren si pretekst, nga njëra anë, që të justifikojnë të metat dhe zakonet e këqija të fëmijëve dhe, nga ana tjetër, që të mbulojnë indiferentizmin dhe neglizhencën e prindërve për edukimin e drejtë të tyre: Janë fëmijë, – thonë prindërit e “ndjeshëm”. A mund t’u japim kaq rëndësi të metave të tyre? Me pretendime të tilla dhe të tjera të ngjashme falen zakonisht gjithë parregullsitë fëminore.
Realisht janë fëmijë, po ç’fëmijë! Ç’do të dalë nga ata? Për më tepër: A kanë të drejtë të bëjnë të keqen, meqë janë fëmijë? Nëse shtëpia merr flakë, mos themi: “Sa zjarr i bukur?” A nuk kërkojmë ndihmë me të gjitha fuqitë? Atëherë, si mund t’i shohim fëmijët tanë me qetësi, kur brenda tyre ndizet zjarri i pasioneve, që i kërcënon me shkatërrim të përkohshëm, por edhe të përjetshëm?
Me vitet do fitojnë edhe dijet, – thonë disa prindër jo shumë të zgjuar. Fëmija do fillojë të mendojë dhe do kuptojë vetë se cila është e mira dhe e keqja.
Sa fatal është ky mashtrim! Logjika është thikë me dy presa. Njeriu mund ta kthejë atë nga e mira ose nga e keqja. Njohja e thjeshtë e së mirës nuk shërben në asgjë. Duhet, gjithashtu, ta duash të mirën dhe të jesh mësuar që ta bësh atë. Ndaj, që në vitet e para fëmija duhet të çohet drejt kësaj me edukimin, që, duke njohur më vonë të mirën me logjikë, ta ushtrojë me fuqinë e vullnetit.
Duke justifikuar fajet e fëmijëve dhe të të rinjve, por edhe qëndrimin e tyre, shumë prindër indiferentë justifikohen e thonë: “Nuk mund të pretendojmë e të presim virtyte në moshën fëminore.” Po, përse nuk mundemi? Mos vallë Zoti ynë Isu Krisht nuk ishte fëmijë e i ri, që na dha shembull jete për imitim? A nuk përmend Ungjilli se “Fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri dhe Hiri i Perëndisë ishte mbi të, Isui rritej në dituri në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”? (Lluka 2:40-52).
Mos janë të pakta dëshmitë për jetët e shenjtorëve, që në moshën fëminore kultivonin virtytet e shpresëtarisë, paligësisë? Nëse Shpëtimtari ynë thotë për fëmijët: “I lini fëmijët të vijnë tek unë…” (Mattheu 19: 14) dhe “ai që do skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve…” (Mattheu 18:6), nga kjo dilka përfundimi se është e pamundur tek fëmijët të realizojnë virtytin?!
Përkundrazi. Zoti i thotë këto, se virtyti në moshën e vogël është i realizueshëm, më i pastër, më i padjallëzuar dhe më origjinal. Ndaj: Mjerë prindërit që janë indiferentë dhe nuk kultivojnë në shpirtrat e fëmijëve të tyre zakonet e mira, prirjën dhe drejtimin drejt së mirës, që në moshën foshnjore. Për këtë do t’i japin llogari Perëndisë.
Ju, prindër mos lini pa vënë re çdo shfaqje të së keqes, edhe tek fëmijët më të vegjël, derisa edhe ai ka difektet e tij, pikëllimin e hidhur të mëkatit të trashëguar nga të parët. Në fillim gabimet bëhen pa vetëdije, kurse më vonë me ndërgjegje të plotë. Kështu p.sh., nëse fëmija merr vesh, dhe e merr vesh shpejt, se me të bërtiturat e të qarat e tij mund të realizojë atë që do, ai thërret derisa të kënaqë dëshirën e tij. Dhe sa më shpesh përsëritet kjo, aq më inatçi dhe me vese bëhet. E njëjta gjë ndodh edhe me dobësitë e tjera njerëzore, që me kalimin e viteve zbulohen me përmasat e tyre të mëdha. Themelet e tyre ekzistonin që në vitet e para fëminore.
Vëzhgoni vazhdimisht prirjet e fëmijëve tuaj dhe çdo të keqe që shihni e shkulni me edukimin e mirë. Zemrën e fëmijëve mund ta krahasojmë me kopsht dhe prindërit me kopshtarë të Perëndisë, që e kanë detyrë të pastrojnë me kohë kopshtin, – zemrën fëminore, – nga barërat e këqija të mëkatit dhe egjra e zakoneve të këqija.
Nëse vonojmë dhe e keqja rrënjoset thellë; nëse zemra fëminore mbushet me vese, atëherë nuk do mundemi më që t’ia dalim mbanë. “Ankohesh, – shkruan shën Joan Gojarti, – se biri yt është i papermbajtur? Fare lehtë mund ta rregulloje kur ishte fëmijë, mund ta mësoje me rregull, t’i mësojë korrektësinë në detyrat e tij, të shërojë sëmundjen e shpirtit të tij. Kur toka ishte ende e përshtatshme për kultivim, atëhere duhej t’i shkulje gjembat, para se të lëshonin rrënjë të forta. Pakujdesia jote e ka fajin, që pasionet e fëmijës tënd tani janë të vështira për t’u mposhtur”.
Nga libri “Nënë, kujdes!”