EmailFacebookKontakt

Të mësojmë lutjet tona – Psalmi 38

Të mësojmë lutjet tona

Psalmi 38

Ode e Davidit

Thashë: Do të ruaj rrugët e mia, që të mos mëkatoj me gjuhën time; i vura roje gojës sime, që të mos flas për mëkatarin që më qëndron përpara.

I shurdhët u bëra dhe u përula dhe heshta edhe për të mirat; dhe dhimbja ime u ripërtëri.

Zemra ime u ngroh brenda meje, dhe mendja ime si zjarr u ndez. Foli gjuha ime.

O Zot, tregoma fundin tim, dhe cili është numri i ditëve të mia, që të di se ç’më mungon.

Ja, ti i pakësove ditët e mia sa një pëllëmbë, dhe qenia ime nuk është asgjë përpara teje; çdo gjë nuk është veçse kotësi, edhe vetë njeriu që rron..

Vërtet, njeriu shkon e vjen si hije; më kot shqetësohet; thesare grumbullon, dhe nuk e di për kë i mbledh ato.

Dhe tani, çfarë pres? A nuk është Zoti? Dhe vetë qenia ime është pranë teje.

Më çliro nga gjithë paudhësitë e mia; tek i marri për turp më dorëzove.

U shurdhova dhe gojën time s’e hapa, se ti më bëre.

Hiqi nga unë fshikujt e tu, se mbarova nga goditja e dorës tënde.

Me dënime e ndëshkove njeriun për paligjësitë e tij, dhe shpirtin e tij si pëlhurë merimange e bëre; por njeriu më kot shqetësohet.

O Zot, dëgjoje faljen time, dhe lutjes sime vëri veshin; mos hesht ndaj lotëve të mi, se jam i huaj pranë teje dhe, shtegtar, si gjithë etërit e mi.

Më lër që të marr veten para se të iki këtej, dhe të mos jem më.