Në letrat e apostull Pavlit shpeshherë lexojmë falenderimet e tij për njerëzit që e ndihmonin në çfarëdo mënyre në veprimin e përhapjes së fjalës të Perëndisë. Dhe kur flasim për Kryepiskopin Anastas, si një hierapostull bashkëkohor, një nga ndihmësit e tij më të afërt që do kujtonim, është një prift i gjatë, i shkuar në moshë, por me shkathtësi rinore. Ai është At Spiridhoni.
Një njeri që do të mund të shërbente si një shembull i mirë për të rinjtë, që mundohen të gjejnë ku janë mrekullitë e besimit. At Spiridhoni përbën shembullin e përulur.
Shtyrë nga një besim i thellë ai la qetësinë e të jetuarit në Athinë, në një moshë mjaft të shkuar dhe gjithë ditën e tij, nga mëngjesi herët deri natën vonë, ia fal mbarëvajtjes së punës të Kryepiskopit për ringjalljen e Kishës sonë. Gëzimet e jetës së tij familjare i këmben me gëzimin e mijëra besimtarëve orthodhoksë në Shqipëri. Vendin e kujdesit për shtëpinë e tij e zuri meraku për të ndihmuar në çfarëdo mënyre qindra familje nevojtare në të gjitha anët e Shqipërisë. Një merak i pasosur, që çdo porosi e Kryepiskopit të mbarojë në mënyrën më të mirë dhe në kohën më të shkurtër.
Do të ishte e vështirë të imagjinohej realizimi i çdo misioni ndihmash humanitare pa kontributin e At Spiridhonit. Për t’i gjetur ndihmat, për t’i transportuar ato dhe për t’i shpërndarë nevojitet, në radhë të parë, dashuri për atë që do t’i marrë ato, respekt për atë që i fal dhe dashuri për Perëndinë, në emrin e së cilës kryhet vepra bamirësisë. Dhe ia fali hiri i Perëndisë së pasur për t’i shërbyer asaj.
Nuk do të kishte përparimin që ka puna në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha anët e kishës sonë pa një administrim prej nikoqiri. Dhe At Spiridhoni është administratori më i mirë, që shembullin personal e ka dhënë kudo me jetën e tij të përulur dhe jo pak herë, deri edhe me me punën e tij të krahut. Nuk është vërtet e lehtë që të ndjesh kaq tënden gjithçka që krijohet në një vend të huaj dhe të vuash për ta mirëmbajtur. Ai e bën, se për të krishterët nuk ka të huaj, ka vëllezër.
Sidomos në periudhën e vështirë që kaluam, At Spiridhoni ishte dhe i guximshëm. Udhëtoi në gjithë Shqipërinë për të organizuar mbledhjen dhe transportin e ndihmave, për t’i dhënë jetë manastirit në Ardenicë, për të mos ndërprerë punët në shkollën e “Shën Vlashit” në Durrës, për të furnizuar me gjërat e nevojshme të gjitha qendrat tona…
Sigurisht, falenderimet tona janë të pavarura për të kudondodhurin dhe të njohurin kudo At Spiridhonin. Lumturia e vërtetë është gjetkë. Eshtë tek fakti që Perëndia e bëri të denjë të jetë protagonist në një vepër të mrekullisë së saj, që do të jetojë gjatë…
O. B.