EmailFacebookKontakt

“Gjithmonë të bashkuara, si frytet e një peme.”

3 shtatori do të ofronte pranë shkollës Theologjike të Shën-Vlashit, zambakët që do të merrnin frymen qiellore të Atij, që do të falte harmoninë brenda 4 ditëve. Kjo vjeshtë hapi sezonin e parë të një mbledhjeje shpirtërore, ku do të merrnin pjesë vajza nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Kavaja dhe Fieri.

Kisha e Shën-Vlashit do të priste në ato ditë Mëngjesoret dhe Mbrëmësoret; do të ndjente lutjet drejtuar Shenjtorit, i cili si “Shok i mënyrave dhe nënkëmbës i froneve”, do t’u falte paksa nga hiri i tij; do të qetësonte me ilaçin shpirtëror zemrën që trishtohej, si një mjek që ka bërë dhe bën mrekullira në atë vend. Çdo ditë në atë vend vajzat do të shoqëroheshin me “Kohën e Qetë”, kohë me Perëndinë, duke menduar edhe fjalët e Isak Sirianit… “Forma më e lartë e lutjes është, duke qëndruar në qetësi, me nderim e frikë para Perëndisë.” E secila prej tyre pra, kalonte çaste të qeta për aq kohë që meditonte për TE… Ndarja në grupe do të ishte një ide tjetër, ku secila do të përsëriste emrat: “Miqësi”, “Dëshmi”, “Shërbim” dhe “Rritje në Krisht”

Miqësia – ishte tema që do të hapte fletën e parë, me fjalët e At Luka Veronit, duke theksuar Dashurinë Hyjnore: “Të Doni njëri-tjetrin sepse nga kjo do t’iu njohin, që i përkisni Atij”. Brenda minutazhit të 4 Shtatori, secila mori Dashurinë që është plot mirësi, që nuk ka smirë, që i duron të gjitha dhe shpreson tek të gjitha…

E… ashtu si dreri dëshiron ëmbëlsisht rrëketë e ujit, ashtu edhe ne kishim etje të freskonim zemrën me rrëket shpirtërore që na i solli tema “Dëshmia” e trajtuar nga At Theologu, duke marrë mesazhin e fjalëve “Oh, sa të bukura janë këmbët e atyre që sjellin paqen, sjellin lajmin e mirë në mbarë botën”…

Koordinatorja tjetër, priftëresha Fotini preku temën “Shërbimi”. Secilës prej nesh iu kujtua shembulli që dha Krishti; i Cili pasi mori ujë filloi t’u lante këmbët apostujve. Pra, nëqoftëse Ai deri në çastin e fundit bëri sakrificën më të madhe, ashtu edhe ne morëm një pjesë të virtytit të tij, që të shërbejmë, e të sakrifikojmë deri në fund… Këto fjalë nuk do të ishin në finishin tyre. “Dhiakonia Agapi” solli drejtuesen e saj Nina gramo, që do të zgjeronte problemet lidhur me këtë temë.

Vajzat mësuan edhe si përgatitej buka e Meshës dhe grurin për përshpirtjet. Gjithsecila mësoi dhe pregatiti bukën dhe grurin. Jo vetëm i gatuam, por mësuam se përgatitja e bukëve simbolizonte festën e Dashurisë së Krishterë, ku secili besimtar pasi merrte Trupin dhe Gjakun e Krishtit, mblidheshin dhe hanin së bashku, vëllazërisht, duke treguar edhe bamirësinë për ushqimin e të varfërve.

Në kohën e lirë vajzat do të bashkoheshin në grupe, për të qëndisur me duart e tyre pecetën për mbështjelljen e Meshës; Do të mblidheshin çdo mbasdite për të vizituar institucionin e atyre që nuk kuptojnë, por vetëm Perëndia i shesh nga lart; Do të shkonin të shihnin banesën e humbur ku rriteshin Serafimet, ëngjëjt me krahë të vegjël, të cilët mbajnë emrin “Jetim”.

Gjithashtu, në program kishte edhe shfaqje videoje, ku udhëtimi do të fillonte me vendin tonë: I ligu kish hyrë thellë në palcën e tokës dhe kish shkatërruar Kishat e Shenjta. …Në çdo vend lotë, ankth dhe agoni… Por…, një Pishtar u ngrit në Shqipërinë e harruar, që mbante emrin +Anastas. -Vetë emri i tij Ngjallja!- Vetë misioni i tij – rimëkëmbje dhe ringjallje e Fesë dhe e Kishave të vendit tonë! Secila prej nesh ndjente gëzimin që i fali ajo mbrëmje, duke parë rimëkëmbjen e Krishtërimit në vendin tonë.

-Aborti- Një tjetër natë kjo, që u shijua më sytë e njomur, duke ndjekur ato se ç’faqte videoja…. Mijëra foshnja të hedhura përtokë! Mijëra Serafim, të pakrijuar ende, harroheshin… Shkuleshin dhunshëm filizat nga një tokë që harronte se kishte një bekim të virtytshëm! Si është e mundur?

-Po largojmë nga vetja, qelizën tonë! -Po humbasim ngjashmërinë e Mbiqiellorit, që do të jetojë me ne!

Dhe pastaj fjalët e Shën-Vasilit “Ata, të cilët japin doza helmi për shkatërrimin e fëmijës janë Vrasës!… Vrasës!… Dhe… ne na ndiqte pas një sy foshnjeje, që lëshonte lotin e tij të parë… Perëndoi tej si një meteor… dhe ne s’arritëm ta preknim dot… S’arritëm të preknim dot atë që kish gdhendur i shumëlarti…

6 Shtator- Kryeëngjëlli Mikail, që festonte çudinë e tij, na shoqëroi atë ditë me krahët e tij, me drekën të shijuar pranë plazhit; me lojrat dhe shëtitjet pranë bregut të lagësht, si dhe me këngët e krishtera. Kjo ditë do të ishte e fundit për të gjithë ne. Mbrëmja na priste të gjithëve me skeçet, me këngët dhe me posterat e çdo grupi. I pranishëm ishte edhe At Joan Pelushi, ku në fund të skeçeve do të bëhej një bisedë shpirtërore rreth pyetjeve që kishte secila prej vajzave.

Të dielën e 7 shtatorit do kalonim minutat e fundit në Shën-Vlash. At Luka do të shpjegonte kuptimin e bukës së Meshës. Pjesët e saj Qengji i Perëndisë; pjesa që i takon të Tërëshenjtës; pjesët për të gjallët dhe të Qeturit, dhe pjesa që do të shndërrohej në Trupin e Krishtit, ku do të dëgjohej… “Të Shenjtat e të Shenjtave.”…

Më pas, At Joan Pelushi dhe At Luka do të celebronin Liturgjinë Hyjnore të “Paralartësimit të Kryqit”.

“O Kryq, ruajtës i Botës…” Këto do të ishin fjalët që përmbante ai mëngjes i fundit. Të gjithë së bashku do të rriteshim në rrugën e Tij; Të marrim kryqin mbi supe; Të shpallim Atë me mënyrën si flasim, si ecim, dhe mbi gjithçka, të njihemi se ne i përkasim Atij…

Dhe… Çasti i Ndarjes erdhi! Vajzat e kishin të vështirë, por, megjithatë, ato ndjenin një zë brenda tyre se… “Do të ishin gjithmonë të bashkuara, si frytet e një peme.” Ndjenin zërin e Atij që i thoshte: “Bëhuni si fëmijë, e me gjuhën e Engjëjve flisni për Ngjalljen.

Kjo fletë e këtij takimi do të mbyllej me urimin për atë, që me Bekimin e Tij bëri të mundur hapjen e këtij sezoni katër ditor, Fortlumturisë së Tij Anastasit, të cilit të gjitha së bashku i dhamë urimet tona: “Të shumta i qofshin vjetët”!

Kristina Sota, Durrës