EmailFacebookKontakt

“Kemi marrë mësimin e madh dhe të vështirë të dashurisë”

– Kurset e katekizmit me gratë në Katedralen e Ungjillëzimit bëjnë 5 vjet nga fillimi. –

Këto ditë mbushen 5 vjet që atëhere, kur me ndrojtje filloi të mbillet Fjala e Perëndisë në takimet e të mërkurës, në Kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë. Në fillim kushtet ishin shumë të vështira. Kisha ishte një godinë e zhveshur, pa xhama, e papërshtatshme për mbledhje. Njerëzit ishin të trembur, e të pamësuar të mblidhen që të mësojnë për besimin e tyre. Të mëdhenjtë kishin harruar shumë gjëra nga besimi, ndërsa të rinjtë nuk kishin dëgjuar kurrë. Por, me bekimin dhe nxitjen e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas, u hodhën hapat e parë.

Në këtë betejë i pari ishte i paharruari zoti Dhimitër Beduli, që dha kaq shumë për Kishën tonë. Pavarësisht nga mosha dhe detyrat e tij të shumta, ai gjendej kurdoherë aty që të ndihmonte murgeshën që jepte mësim. Populli u përgjigj me gatishmëri, pavarësisht nga vështirësitë. Njerëzit e të gjithë moshave vinin të etur, që të dëgjonin Fjalën e Perëndisë.

Me kalimin e kohës kushtet e Kishës u përmirësuan dhe sot mblidhemi në një vend të qetë, e të ngrohtë adhurimi.

Po ç’u bënë këto 5 vjet?

Shumë nga temat e besimit tonë u biseduan në mënyrë të thjeshtë, por të thellë, që të bëhen pronë e besimtarëve dhe secili të kuptojë se ç’duhet të besojë një i krishterë i vërtetë.

Vitin e parë studiuam Simbolin e Besimit, ndërsa në vitin e dytë morëm shpjegimin e Liturgjisë Hyjnore, që të kuptojmë ato që shohim dhe dëgjojmë dhe që pjesëmarrja jonë të jetë e saktë. Në 13 mësime folëm për vdekjen, jetën e ardhshme, varrimin, përshpirtjen, sepse nga përballimi i drejtë i tyre duket i krishteri i vërtetë.

U mrekulluam në takimet tona nga paravolitë e Zotit tonë dhe nxorëm prej tyre mësime të pasura për jetën tonë të përditshme. E vëzhguam Zotin tonë në mrekullitë që bëri, duke u dhënë jetë të vdekurve, duke shëruar të verbër, lebrozë, paralitikë dhe mësuam të studiojmë Shkrimin e Shenjtë, që të marrim fuqi, ngushëllim dhe nxitje në betejat e shumta e të vështira të jetës sonë. U morëm me kuptimin e të kremteve të Kishës sonë, Misteret dhe ndoqëm shembujt e gjallë të shumë shenjtorëve të Kishës.

Ç’gjurmë lanë këto mësime në zemrat tona? Kjo nuk transmetohet në letër. E njeh vetëm Perëndia, që mund të lexojë në zemrat tona.

Të gjitha gratë që ndjekin takimet tona në Kishë, kush më shumë e kush më pak, kemi mësuar mësimin e madh dhe të vështirë të dashurisë: të vizitojmë të sëmurë, të ngushëllojmë të dëshpëruarit, qoftë edhe, duke i privuar diçka vetes. Përpiqemi të jemi të parat që të ofrojmë diçka në kutinë e të varferve që ndodhet në Kishë. Shpeshherë kemi mbledhur rroba për në azile dhe fshatra të ndryshme. Në festat e mëdha, por edhe herëpashere përpiqemi për pastërtinë e Kishës dhe ndjekim sa më shpesh shërbesat e adhurimit në Kishë.

Disa njohuri të vullnetit të Perëndisë që morëm në këto takime ndryshuan mjaft jetën tonë. Mësuam të jemi përdëllimtare për të tjerët dhe të ngremë me qetësi dhe durim vështirësitë e jetës.

Mësuam sekretin e madh, se vetëm pranë Krishtit, pavarësisht nga problemet dhe vështirësitë, jeta zbukurohet e merr kuptim.

Sa do të donim që të gjithë të krishterët, dhe pse jo gjithë njerëzit, të mësonin sekretin tonë.

Një pjesëmarrëse e bisedave