EmailFacebookKontakt

“Shembull se si duhet të veprojë Kisha”

– Kryeministri i Greqisë, Z. Simitis, vizitoi Kryepiskopatën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. –

Në 15 tetor, në kuadrin e vizitës në Shqipëri, Kryeministri i Greqisë, z. Simitis bëri një vizitë dhe në Kryepiskopatën e Kishës sonë. Ai shoqërohej nga ministri i Jashtëm, z. Pangallos, i Rendit z. Romeos, i Informacionit z. Repas etj.

Në fjalën e mirëseardhjes Kryepiskopi Anastas falenderoi mikun e shquar për këtë vizitë, duke thënë:

– Mirëseardhët, Shkëlqesi, Zoti Kryeministër, në Qendrën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas shtrëngatës së tmerrshme, që përfshiu vendin kohët e fundit dhe shkaktoi aq shumë gërmadha, prezenca pranë nesh e një miku të shquar, të sinqertë, të popullit të Shqipërisë, siç jeni ju, e përforcon shpresën. Ju falenderojmë nga zemra, sepse në programin tejet të ngarkuar të vizitës suaj na dhuruat këtë komunikim.

Kisha jonë, tashmë e ringjallur, pas persekutimit shumëvjeçar, përjeton këto gjashtë vitet e fundit ankthet e vuajtjet e popullit, duke kontribuar në rimëkëmbjen shoqërore dhe shpirtërore të vendit. Megjithë pengesat që ka përballuar herë pas here, u rimëkëmb nga gërmadhat dhe me hirin e Perëndisë dhe dhuratat bujare të shumë njerëzve, të njohur e të panjohur, po zhvillohet me ritme të shpejta. Enoritë orthodhokse janë riformuar në shumicën e qyteteve dhe të lokaliteteve me popullsi orthodhokse dhe në qindra fshatra. Nga viti 1992 funksionon pa ndërprerje Shkolla jonë Theologjike-Hieratike dhe numri i klerikëve orthodhoksë u shumëfishua. Gjashtë klerikëve të moshuar, që mbijetojnë nga brezi i vjetër, u janë shtuar 82 klerikë të rinj. Janë ngritur nga themelet 67 kisha, 63 të tjera janë restauruar, ndërsa janë riparuar rreth 100. Gjithashtu, janë ndërtuar Shkolla Theologjike-Hieratike dhe Manastiri i Shën Vlashit, afër Durrësit; janë blerë e rikonstruktuar ndërtesa e Kryepiskopatës dhe Mitropolia e Gjirokastrës; është rindërtuar Pallati Mitropolitan i Korçës dhe janë në proces punimet restauruese në Manastiret e Ardenicës dhe Shën Kozmait në Kolkondas. Kisha jonë ka organizuar Shërbimin e saj Teknik dhe me punën e gjerë ndërtimore kontribuon në mënyrë të heshtur në zhvillimin ekonomik, duke u ofruar punë dhjetëra firmave vendase dhe qindra punëtorëve.

Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj; boton gazetën mujore në gjuhën shqipe “Ngjallja” e libra të ndryshëm fetarë. Së afërmi, do dalë në qarkullim revista e parë orthodhokse për fëmijë dhe është gati për të funksionuar dhe radiostacioni i parë orthodhoks. Gjithashtu, kemi hapur kopshte fëmijësh e qendra rinore në qytete të ndryshme dhe kemi siguruar infrastrukturën për krijimin e instituteve të edukimit profesional. Njëkohësisht, është zhvilluar në të gjithë sektorët puna sociale e Kishës, me shpërndarjen e mijëra tonëve ushqime, veshmbathje, ilaçe. Vetëm gjatë vitit 1997, në çastet më të vështira që kaloi vendi, janë shpërndarë rreth 800 tonë ushqime e material spitalor, në qytete e fshatra të ndryshme. Nga viti 1995 funksionon në Tiranë Poliklinika e Kishës sonë, ndërsa së shpejti do të përfundojë dhe ndërtesa e re shtatëkatëshe. Gjithashtu, janë gati për t’u hapur poliklinika në Korçë, Kavajë e po bëhen gati të tjera në Lushnjë, Gjirokastër. Janë përuruar programe të zhvillimit rural, ujitjes, higjienës e ekonomisë shtëpiake. Kontributi i Kishës sonë njihet tashmë përgjithësisht në shoqërinë shqiptare.

Njëkohësisht, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë merr pjesë në veprimtaritë e Kishave Orthodhokse nëpër botë. Ajo është anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane dhe e Këshillit Botëror të Kishave. Kështu, Kisha jonë kontribuon thelbësisht në nxitjen e zhvillimin e bashkëpunimit paqësor e të solidaritetit në Evropën Juglindore dhe në mbarë rruzullin…

Ju urojmë bashkëpunim të frytshëm me udhëheqjen politike të Shqipërisë, për zhvillimin e një bashkëpunimi esencial, në dobi të dy popujve, veçanërisht të brezit të ri. Perëndia t’ju falë gjithnjë urtësi largpamëse, vendosmëri të patundur e durim të hekurt, për të vazhduar nismat tuaja të frymëzuara, që i tërë rajoni i Evropës Juglindore të bëhet një vend paqeje, vëllazërimi e begatie të të gjithë popujve të tij.

Z. Kryeministër, pasi falenderoi Fortlumturinë e Tij, për fjalët e ngrohta, tha:

– Ju faleminderit për fjalët shumë të mira! Thatë se kjo vepër që realizuat, u bë realitet me shumë përpjekje e sakrifica. Duhet të vëmë re dhe diçka tjetër. Dihet se më parë ka ekzistuar një klimë intolerance fetare dhe klimat me vështirësi ndryshojnë. Më parë ndryshojnë rregullat, drejtimet e përgjithshme, por një mentalitet që ka mbizotëruar për dhjetëvjeçarë të tërë, nuk mund të ndryshojë nga dita në ditë. Dhe arritja juaj e madhe është se realizuat gjithë këto, megjithëse kishte indiferentizëm, megjithëse shpeshherë kishte armiqësi, megjithëse bashkëpunimi, që ishte i nevojshëm, nga shumë anë nuk ju dha në mënyrën që do të duhej t’ju jepej, megjithëse Kisha e Shqipërisë, edhe pse ka përpara për të kryer një vepër të madhe, për shumë njerëz ishte një kishë e vogël në një pjesë të Ballkanit. Mendoj se keni kryer një vepër shumë të madhe dhe për këtë vepër keni përgëzimet e të gjithëve. Vepra juaj është një shembull se si duhet të veprojë Kisha dhe ç’do të thotë Orthodhoksi në epokën e sotme. Eshtë diçka e veçantë dhe ç’është kjo e veçantë e keni treguar shumë bukur. Ju lumtë!

Pastaj z. Simitis i dorëzoi Kryepiskopit një dhuratë simbolike, ndërsa Fortlumturia e Tij i dhuroi një ikonë të Ngjalljes, vepër e një ikonografi të ri shqiptar, realizuar në frymën e traditës së pasur të Kishë sonë.

Korresp. i “Ngjalljes”