EmailFacebookKontakt

“Faktor paqeje, stabiliteti dhe shprese”

Të enjten, 25 shtator, Presidenti i Republikës Rexhep Meidani priti një përfaqësi të lartë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të përbërë nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, Përfaqësuesi i përgjithshëm arkihieratik, Protopresviter Jani Trebicka, Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Fetar të KOASH, Arkimandrit Joan Pelushi dhe Sekretari i Kryepiskopatës, z. Artan Kosti.

Takimi u zhvillua i ngrohtë. “Erdha t’iu përcjell nga afër urimet më të mira të të gjithë Komunitetit Orthodhoks shqiptar për jetë të gjatë dhe suksese për të mirën e popullit shqiptar,- iu drejtua Kryepiskopi Anastas, Presidentit Meidani. E filluam veprimtarinë para gjashtë vjetësh nga zeroja, – tha Fortlumturia e Tij -, ndërsa sot me ndihmën e Zotit, në Shqipëri funksionojnë mbi 200 kisha dhe është krijuar gjenerata e re e klerikëve orthodhoksë.” Pasi bëri një ekspoze të rimëkëmbjes së Kishës dhe të përgatitjes e dorëzimit nga brezi i ri të 82 klerikëve, Kryepiskopi përmendi se gjatë këtyre viteve të vështira Kisha Orthodhokse ka qenë një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe pajtimi kombëtar e shoqëror, si dhe ka punuar fuqishëm për një dialog e mirëkuptimin ndërmjet Komuniteteve fetare. Kryepiskopi Anastas vuri në dukje ndihmat e mëdha të shpërndara në krahina të ndryshme, pa dallim feje, si dhe programet e ndryshme për zhvillimin rural në disa zona.

– Bota shpirtërore nuk ndryshohet me ligje, por me mesazhet e paqes, dashurisë dhe mirësisë midis njerëzve, – tha në takim Presidenti i Republikës, i cili çmoi punën e Komunitetit tonë Orthodhoks, që në harmoni me të gjitha besimet e tjera fetare në vend, po mbështet gjallërimin e fuqive shpirtërore të shqiptarit, duke i dhënë atij shpresë për një të ardhme më të mirë. – Ne na nevojitet edhe ndihmë ekonomike, – tha Presidenti Meidani,- por fjala e mirë e Zotit është shumë e rëndësishme. Ajo të zbukuron shpirtin dhe të jep energji për të punuar për një jetë më të mirë, për dashuri, paqe e për butësi, që ka aq nevojë shqiptari pas asaj që kaloi gjatë muajve të parë të këtij viti.

Presidenti falenderoi Kryepiskopin për vizitën dhe fjalët e ngrohta dhe shprehu respektin dhe mirënjohjen personale dhe të popullit shqiptar për kontributin e madh të Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në pakësimin e plagëve sociale me ndihmat ekonomike, si dhe në rigjallërimin shpirtëror të kombit tonë.

Gjithashtu, Presidenti shprehu vlerësimin e tij për marrëdhëniet e mira ndërfetare, ku Kryepiskopi dhe Komuniteti Orthodhoks kanë luajtur një rol të rëndësishëm, gjë që ka lehtësuar problemet e vështira të vendit.

Gjithashtu, në emër të Komunitetit Orthodhoks dhe të besimtarëve të Korçës, Protopresviter Jani Trebicka uroi z. President që Zoti ta ndihmojë në detyrën e tij sa të lartë, aq dhe të vështirë për përparimin e Kombit dhe të shtetit shqiptar, si gjithë vendet e Europës.

Arkimandrit Joan Pelushi uroi z. President për detyrën e lartë e fisnike të tij dhe u shpreh se Kisha jonë përparimin e saj nuk e ndan me përparimin e të gjithë vendit dhe se doktrina e Kishës Orthodhokse është që të respektojë dhe të shikojë tek çdo njeri ikonën e Perëndisë, pa dallim race, ngjyre e pozite shoqërore.

Korresp i “Ngjalljes”