Një delegacion i Patrikanës Ekumenike, i përbërë nga Eminencat, Mitropoliti i Pergjit, z. Evangjelos dhe Mitropoliti i Filadelfias, z. Meliton, si dhe nga i Përndershmi Protoprezviter At Ilia Katre, nga diaspora shqiptare e Amerikës, u takua me Ministrin e Shtetit, z. Kastriot Islami, i ngarkuar nga Qeveria Shqiptare për të biseduar me delegacionin për çështjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Zoti Islami deklaroi se ishte ngarkuar nga Qeveria Shqiptare për t’i komunikuar delegacionit të Patrikanës Ekumenike, se vendimi i njëzëshëm i Qeverisë dhe i Presidencës së Republikës është, që të mos pranohen në Shqipëri tre Mitropolitët grekë, të cilët janë zgjedhur dhe janë dorëzuar për Kishën e Shqipërisë. Ai sqaroi se ky qëndrim përputhet me traditën historike të shtetit shqiptar, ku ngulmohet që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të drejtohet nga qytetarë shqiptarë, sipas statutit të kësaj Kishe. Së fundi u vendos që të vazhdohet dialogu midis Patrikanës Ekumenike, Kishës së Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare, për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.
Nga zyra e Shtypit e Patrikanës Ekumenike dhe ajo e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë komunikohet se “nuk janë të vërteta ato që janë shkruar në një pjesë të shtypit lidhur me një marrëveshje ndërmjet zyrtarëve të ndryshëm, për sa i përket dorëzimit të episkopëve me një prejardhje të caktuar kombëtare [serbe, rumune, greke – shën. i rd.] për mitropolitët e Shqipërisë.
E vërteta është, se pas ftesës së Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, çështja e Sinodit të Shenjtë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë u diskutua në një atmosferë miqësore dhe vetëm midis personave të vetëm kompetentë, pra, të përfaqësuesve të Patrikanës Ekumenike – me të cilën Kryepiskopi ruan marrëdhënie të shkëlqyera – të vetë Kryepiskopit dhe të përfaqësuesve të Qeverisë Shqiptare.
Konkluzioni i bisedimit ishte, se mund të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë dhe në këtë drejtim do të vazhdojë dialogu”. (8 tetor 1997)