EmailFacebookKontakt

Mësimi i tij

Marrë nga libri “Kozmai nga Etolia”

Mësimi i tij

“Nga u nisa, o vëllezërit e mi, dhe dola të predikoj, do t’ua them tani. Kur ika nga vendi i im, këtu e 40 vjet më parë, shëtita shumë vise, kalara, vende dhe fshatra dhe sidomos në Konstandinopojë, por më shumë ndenja në Ajohoros, shtatëmbëdhjetë vjet, dhe qaja për mëkatat e mia dhe tuajat. Ndërmjet aq të mirave që më bëri Zoti im, më bëri të denjë dhe mësova në shkollë. U bëra dhe kallogjer. Duke studiuar Ungjillin e Shenjtë, gjeta në të, mendime dhe kuptime të shumta e të ndryshme, të cilat janë që të gjitha margaritarë, diamante, thesar, pasuri, gëzim, ngazëllim, jetë qiellore. Ndër të tjera gjeta dhe këtë porosi që jep Krishti i ynë, që çdo i krishterë, burrë ose grua nuk duhet të kujdeset vetëm për shpëtimin e tij, por duhet të kujdeset edhe për vëllezërit e tij, që të mos gabojnë. Duke e dëgjuar edhe unë, o vëllezërit e mi, këtë fjalë shumë të ëmbël të thënë nga Krishti i ynë, që të kujdesemi edhe për vëllezërit tanë, kjo fjalë më brente brenda në zemër, siç bren krimbi drurin. Ç’duhej të bëja edhe unë? U këshillova me etërit e mi shpirtërorë, epikopët, patrikët. U shfaqa atyre mendimin tim, nëse do të ishte gjë e pëlqyer që ta vija në zbatim. Të gjithë më nxitën që ta filloj, e më thanë se një punë e tillë është e mirë dhe e shenjtë. Prandaj lash rehatin tim, të mirën time dhe dola për të shëtitur nga një vend në tjetrin, për të mësuar vëllezërit e mi. Duke studiuar përsëri Ungjillin e Shenjtë, gjeta atje dhe një porosi tjetër të Krishtit tonë, i cili thotë: falas ta dhashë unë hirin tim, falas t’ua japësh edhe ti vëllezërve të tu; falas të predikosh, falas të japësh këshilla, falas të eksomolloisësh të tjerët dhe në rast se do të guxosh të marrësh ndonjë pagesë për mësimet e tua, qoftë edhe një aspër, do të të dënoj me vdekje dhe do të të çoj në skëterrë. Kur e dëgjova, o vëllezër, këtë fjalë shumë të ëmbël të Krishtit tonë, m’u duk në fillim si fjalë shumë e rëndë. Po pastaj m’u duk me të vërtetë fjalë shumë e ëmbël, si mjalta në dyll, dhe lavdërova Perëndinë, dhe lavdërova njëmijë herë Krishtin tim që më ruajti nga kjo e metë e argjendashjes dhe me ndihmën e Zotit tonë Jisu Krisht Perëndisë, i cili u kryqëzua për ne, nuk kam as qese, as shtëpi, as çantë, as ndonjë raso tjetër, veç kësaj që kam, dhe vazhdimisht i lutem Zotit tim që të më bëjë të denjë që deri në fund të jetës sime të mos kem asgjë, sepse s’mund t’u shërbej dy zotërve, edhe Perëndisë edhe djallit. Une punoj për popullin…”