EmailFacebookKontakt

Psaltët Vlash Nushi e Vlash Semini

Ata që punuan për kishën

Psaltët Vlash Nushi e Vlash Semini

Duke ndjekur Liturgjinë Hyjnore dëgjon psaltët, të cilët futen herë pas here në shërbesë. Me pak mundim i vë re ata, diku djathtas tek psaltiri, afër vendit të korit. Këndojnë bukur. Hymnojmë Zotin tonë. Dikur në kohën e fëmijërisë time ata qenë më të dukshëm, si në pozicion edhe në pjesëmarrje në shërbesë. I djathti pranë fronit episkopal dhe i majti përballë nga ana tjetër. Në liturgji ndërthureshin bukur të dy anët e psaltëve, veç e veç apo edhe bashkë. Natyrisht, sot një pjesë të punës së tyre e ka kori, por gjithnjë ata mbeten bazë. Psalja është art më vete dhe mjaft i vështirë. Mbaj mend shumë psaltër në kishën e Tiranës, ku secili kish veçoritë e tij (zë kumbues, i ëmbël, i qetë, melodioz etj.), madje ka qenë një kohë, kur këto zëra të bukur sikur hynin në garë me njeri-tjetrin. Veç tim eti ishin Vlash Dhora, Jorgji Pano, Aleks Pjetri, Vlash Semini, Andrea Noti, Vlash Nushi etj. Këta e kryenin këtë detyrë me një dëshirë e shpresëtari shumë të madhe çdo të Dielë e të kremte.

Dua të veçoj dy, të cilët i kam njohur më mirë e më nga afër. I kishim miq të familjes. Të dy festonin emrin në të njëjtën ditë: Vlash Nushi dhe Vlash Semini; njëri gazmor, i gjatë e me zë kumbues, tjetri i urtë, i shkurtër e me zë shumë të qetë.

Vlash Semini, i lindur në Kavajë më 1906, studioi për teologji në Bukuresht. Pasi u kthye në Shqipëri punoi si mësues feje, fillimisht në Korçë e pastaj në Tiranë, ku kryente edhe detyrën e psaltit. Ka qenë bashkëpunëtor në revistën e kishës “Predikimi”, që në muajin Prill të vitit 1937, kur botoi dhe artikullin e parë. Ka shkruar mjaft artikuj me tema të ndryshme.

Vitet e fundit të Kishës, deri më 1967, shërbeu si kujdestare si psalt në kishën e Shën Prokopit – Tiranë. Meqë banonte aty familjarisht kish kujdes edhe ish Kryepiskopin K. Kisi, i cili ishte i izoluar në atë vend.

Si mësues ka qenë shumë i qartë e tërheqës në shpjegimet e tij. Nxënësit e tij të shumtë e kujtojnë edhe sot me mjaft respekt për sjelljen e tij të butë e prindërore. Ky shpresëtar vdiq më 24 Qershor 1989.

Vlash Nushi, i lindur në Tiranë më 1914, ishte ndër studentët e parë të Seminarit Orthodhoks Kombëtar “Ap. Pavli”. Pasi mbaroi seminarin u aktivizua si mësues feje, madje dhe në punët e kishës. Në revistën “Predikimi” të Gusht-Tetorit 1937 gjejmë artikullin e parë të tij “Thirrje e Perëndisë Fjalë”. Nuk është shkëputur nga kisha deri në mbylljen e saj, madje, edhe në kohën kur punonte në Ministrinë e Ekonomisë. Në periudhën 1951 – 1959 punoi si referent i pasurive kishtare. Vdiq më 23.8.1981.

Për këta teologë, periudha e pasluftës qe një zhgënjim i madh, por me shumë vështirësi mundnin të kryenin detyrat e tyre fetare, me të cilat ishin brumosur që në vogëli, e i kishin thelluar ato me studimet e tyre. Pavarësisht se nuk qenë të veshur me rason e klerikut, ata bënin një punë të madhe me besimtarët e në shërbesat fetare, për të dhënë e përhapur Fjalët e Zotit tonë.

Lidhjet që mbanin me njeri-tjetrin (gjithë teologët e seminaristët) dhe dashuria e shpresëtaria midis tyre sikur lehtësonte disi persekutimin që u bëhej për besimin ndaj Perëndisë. Me shumë kujdes kremtonin të gjitha festat fetare, madje, shpesh bënin grumbullime të rastësishme në manastire apo kisha të ndryshme.

Eshtë për t’u theksuar se familja e thjeshtë e Vlash Nushit ishte një vatër ku mblidheshin me shumë dëshirë teologët e seminaristët, ku e ëma e tij i priste ata me dashurinë e humorin e saj. Ish vllam me tim atë, kurse Th. Popën e kish nun të dy djemve të tij. Ndërmjet tyre ekzistonte sinqeritet, besim dhe një lidhje shumë e fortë shpirtërore. Sot, me rihapjen e Kishës, koha solli njerëz të rinj, besimtarë të mirë, por siç thotë Zografa, e bija e Vlashit: “… ne jemi krenarë për prindërit tanë. Ata burra do të mbeten jo vetëm në kujtesën tonë, por edhe në kujtesën e të tjerëve që i kanë njohur, si shembull, personifikim i mirësisë, i dashurisë, i respektit, vetmohimit dhe sakrificës për një mbarim të krishterë”.

Kristofor Beduli