EmailFacebookKontakt

Dëshmori i Shenjtë Ursiku (14 gusht)

Shën Ursiku lindi në Sirmion të Ilirisë. Ashtu siç shumë ilirë të tjerë, ai shërbente në ushtrinë romane, në kohën e perandorit Maksimian. Trimëria, ndershmëria dhe besnikëria e tij e madhe e kishin ngritur në gradën e tribunit. Një shok i tij, i cili ishte shtirë si i krishterë, e denoncoi tek perandori. Përnjëherë e arrestuan dhe e dorëzuan në duart e prefektit Aristidh. Kur e dërguan para gjykatësit ai iu përgjigj me trimëri e siguri. Kur e pyetën nëse ishte i krishterë, ai u përgjigj se kam nderin të jem. Kur gjykatësi dëgjoi këtë përgjigje, dha urdhër ta rrihnin me kamzhik të bërë me deje kau në kurriz dhe në ije. Pastaj ia mbështollën duart me pëlhura të zhytura në vaj, mbi të cilat hodhën squfur dhe rrëshirë dhe i vunë zjarrin. Por shenjti, duke i duruar dhimbjet me një qetësi jo njerëzore tha se ishte e drejtë që këto duar të dënoheshin, meqenëse ato e kishin çliruar një herë perandorin, kur ai kishte rënë në duart e armiqve. Kur njeri nga të pranishmit e qortoi tiranin për mosmirënjohje, Maksimiani dha urdhër ta shuanin zjarrin. Por, perandori dha urdhër të dënohej me vdekje. Shoku i tij që e kishte tradhtuar, i cili quhej Valenti, u caktua të kryente ekzekutimin. Ai e goditi me shpatën e tij tri herë në qafë, para se t’i pritej koka. Kështu, tribuni trim i ushtrisë tokësore u bë tribuni i besës së vërtetë të ushtrisë qiellore dhe mori kurorën e lavdishme të dëshmorit.

Trupi i tij u varros nga një grua shpresëtare në një vend jo shumë larg qytetit. Rreth viteve 470, shën Marsel Akemeti (29 dhjetor), i mori lipsanet e shenjta të dëshmorit të lavdishëm për manastirin e tij. Lipsanet u bënë një burim shërimesh dhe kulti i shenjtit u përhap në shumë vende. Kujtimi i tij ka mbetur deri në ditët tona në dioqezat e Gjakovës dhe të Sarajevës, i shoqëruar me shenjtorët Irene, Seren, Montan, Maksim, Polion dhe Kuirin. Fakti që shën Ursiku paraqitet në mozaikët, që gjenden poshtë arkadave në të djathtë të naosit kryesor të shën Apolinarin të Ri në Ravena, tregon që nderimi i shenjtit ishte mjaft i përhapur.

Kisha jonë Orthodhokse e kujton këtë dëshmor të shenjtë në 14 gusht.

Ark. Joani