Mqa shenjtorët e muajit
Shtatë djemtë e Efesit (4 gusht)
Festa e tyre kremtohet edhe më 22 tetor. Ata quhen: Maksimilian (ose Maksimian), Jamlik, Martinian, Dhionis, Antonin (ose Joan), Konstantin dhe Eksakustodian. U kapën në Efes (brigjet Përëndimore të Azisë së Vogël), në kohën e perandorit Dekiu (v. 249-251), i cili u bëri presion që të bëheshin idhujtarë. Ata kërkuan një afat për të vendosur, dhe parapëlqyen që të mbylleshin e të vdisnin në një shpellë, pasi më parë ua ndanë gjënë e tyre të varfërve. Kur Dekiu e mori vesh këtë gjë, urdhëroi të mbyllnin hyrjen e shpellës me gurë. Pas rreth 200 vjetësh, në kohën e mbretit Shën Thedhosi i Dytë (29 korrik), mbiu një herezi që hidhte poshtë ngjalljen e të vdekurve. Në Kishë u krijua konfuzion, kështu që monarku i lutej Perëndisë që të tregonte dogmën e vërtetë. Prandaj, ndërsa ndërtohej një vathë, përdorën edhe gurët e shpellës, pa i ndjere, me sa duket, “banuesit” e saj. Atëhere u ngjallën që të shtatë si nga gjumi i një nate të vetme, madje as rrobat nuk u ishin prishur! Meqënëse kishin uri, dërguan Jamlikun për të blerë bukë. Duke u ruajtur, ndofta për shkak të persekutimit, hyri në qytet, të cilin e gjeti të krishterë, e për më tepër, të çoroditur! Habinë e tij e përforcuan shitësit e bukës, të cilët duke parë monedhat e vjetra të tij, e kërcënuan se do ta denoncoonin nëse nuk do të ndanin së bashku thesarin, që gjoja kishte zbuluar. Ai u frikësua se mos e çonin tek Dekiu. Por, ata e çuan te nënkonsulli, i cili e mori për një mashtrues ordiner me ato … “gënjeshtrat” trashanike që radhiste. Bashkëbisedimin e tyre e ndërpreu Marini i Efesit (v. 408 deri ndofta në v. 431), i cili dëgjoi dhe dyshoi se ishte fjala për mrekulli. Pastaj Jamliku i çoi në strofkën e tij dhe çështja u sqarua! Të gjithë të mahnitur iu falën të shenjtorëve dhe lajmëruan edhe perandorin, i cili vrapoi dhe iu fal edhe ai. Ashtu siç ishin duke biseduar, të rinjve u erdhi gjumë dhe dhanë shpirt. Shenja e përmbinatyrshme bindi fuqimisht për ngjalljen e të vdekurve. Gjatë natës Theodhosi i pa në ëndërr sikur i kërkuan që t’i varroste aty, në “dhomën e gjumit”. Dhe kjo dëshirë e tyre e fundit u respektua.
At Ju.