Dritë nga Ungjilli
Mësime të Perëndinjeriut, Zotit tonë Jisu Krisht
Mos mblidhni për veten tuaj thesare mbi tokë, ku tenja dhe ndryshku i prishin, dhe ku vjedhësit rrëmojnë e vjedhin; por mblidhni për veten tuaj thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk i prishin, dhe ku vjedhësit as nuk rrëmojnë as nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.
Kandili i trupit është syri. Pra, në qoftë se syri yt është i kthjellët, i gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në qoftë se syri yt është i prishur, i gjithë trupi yt do të jetë në errësirë. Pra, në qoftë so drita që gjendet në ty është në errësirë, sa e madhe do të jetë kjo errësirë?
(Matth. 6:19-23)
Fjalë të Arta
-Shën Kirilli i Jerusalemit thotë:
Të mos turpërohemi nga Kryqi i Krishtit. Edhe në qoftë se, tjetri turpërohet dhe e fsheh, ti bëje dukshëm kryqin tënd, që të shohin demonët këtë shenjë të mbretërisë së Perëndisë dhe të ikin larg, duke u dridhur. Bëje pra, shenjën e Kryqit gjatë ngrënies, gjatë ndenjjes e në çdo rast. Sepse kush kryqëzohet këtu në tokë do të gjendet mendërisht sipër në qiell.
-Arkimandriti Kleopa Ilie thotë:
Njëherë një nxënës e pyeti Arkimandritin Kleopa Ilie: -Në qoftë se dikush është i sëmurë e i pashkollë, pra nuk ka mundësi të lexojë shumë lutje, si mund të përgatitet për kungimin e Shenjtë?
Arkimandriti iu përgjigj: -Nëpër lutjet nuk është nevoja që të themi shumë fjalë, ashtu siç na mësoi edhe Zoti ynë Jisu Krishti (Mattheu 6,7). Në qoftë se dikush vuan, le të thotë me përulësi “Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë mëshiromë mua mëkatarin” ose lutjen drejtuar Hyjlindëses: “E Tërëshenjta Hyjlindëse mëshiromë mua mëkatarin,” ashtu siç edhe lutje të tjera të shkurtra.