EmailFacebookKontakt

Më tepër se një mik, Kryezot dhe At i dashur

Të shtunën, më 02.08.97, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u kremtua me madhështi 5-vjetori i fronëzimit të Hirësisë së Tij, Imzot Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Kisha qe mbushur plot me besimtarë orthodhoksë të qytetit, por dhe të ardhur nga Durrësi, Elbasani e Kavaja. Mbizotëronin të rinjtë.

Në Liturgjinë Hyjnore të celebruar me këtë rast, veç zemrave shpresëtare të besimtarëve, ishin të pranishme dhe pesë vitet histori të Kishës sonë, që, të lidhura tashmë pazgjidhshmërisht në personin e Kryepiskopit Anastas, mbartin në vetvete, veç arritjeve të mëdha të Kishës edhe sulmet dhe persekutimet e parreshtura të këtyre viteve të fundit.

Për pesë vjet nuk rreshtën pengesat dhe akuzat ndaj kreut dhe kishës tonë. Por, tashmë dihet formula e vërtetuar: akuzojnë të tjerët, për atë që bëjnë vetë. Tani është koha për të bërë bilancin, që të dalë e vërteta dhe të kuptohet, se ata janë gjetur në luftë me vetë Perëndinë. A nuk pretenduan se po ndërtonin dhe u gjetën, duke shkatërruar? A nuk pretenduan se ishin të ndershëm, ndërsa u gjetën pa moral? A nuk pretenduan se janë paqedashës, ndërsa dolën luftënxitës, vëllavrasës? A nuk tentuan të nëpërkëmbnin figurën e Kryeepiskopit, ndërsa u nëpërkëmbën dhe u tallën nga i gjithë populli? A nuk tentuan të përzinin nga jeta fizike e Kishës Kryepiskopin, por u përzunë vetë nga i gjithë populli? Ndërsa kishin frikë nga të huajt u bënë vetë të huaj. Lavdet e dekoratat që i dhanë vetes dhe personave nga jashtë me reputation të dyfishtë, populli ua zhvleftësoi, ndërsa Kryepiskopin tonë e lavdëroi Perëndia me kurorën e drejtësisë, dashurisë dhe shenjtërisë së tij.

Por, duke iu referuar historisë së krishtërimit, për më tepër vetë jetës dhe thënieve të theksuara të Imzot Anastasit, mbi të gjitha këto qëndron misteri i faljes, i dashurisë ndaj atyre që të bëjnë keq, si edhe falenderimi me mirënjohje karshi Perëndisë, karakteristika që përbëjnë dhe bazën e Meshës që u kremtua në këtë ditë. Shpesh Kryepiskopi përmend faktin se gurët që na hodhën për të na dëmtuar, i përdorëm si gurë ndërtimi të kishës, por, mbi të gjitha edhe të shpirtërave të krishtere.

Dhe faktet flasin: kishat, kopshtet, klinikat etj., ashtu sikurse përmendi gjatë falenderimit në emër të klerikëve, arkimandrit At Joan Pelushi.

“Në qoftë se puna dhe zelli i tij është baza e çdo Kishe dhe objekti të ndërtuar, virtyti dhe shenjtëria e tij është themeli, mbi të cilin lartësohet jeta shpirtërore e besimtarëve, duke u forcuar nga vuajtjet e tij, ashtu sikundër ndodhi edhe me Apostujt. Dhe, duke pasur parasysh një figurë dhe shembull të tillë, s’ka si të mos i ftoj besimtarët, që krahas gëzimit, të kenë frikë Perëndie, që të ecin sadopak në këtë shembull, ashtu sikundër dhe Shën Pavli i këshillon besimtarët, që të ndjekin shembullin e tij, siç edhe ai, ndiqte atë të Krishtit.”

Në fund të Meshës shprehën falenderimet në emër të grupeve rinore dhe të rinjtë Irine Pandelejmoni nga Tirana, Julia Kokoshari nga Durrësi dhe Sonila Dede nga Elbasani, të cilët i dhuruan Kryepiskopit, Imzot Anastasit një ikonë të Ngjalljes të punuar nga i riu ikonograf Josif Çano. Ishte kjo një dhuratë simbolike bashkë me lulet, drejtuar atij që erdhi i pari për t’u dhënë lajmin njerëzve, se Krishti është gjallë. Duke qenë të bindur, se ikonë e vërtetë e Ngjalljes, me Krishtin brenda në shpirtrat e besimtarëve, është puna e Kryepiskopit, shprehim falenderimet dhe mirënjohjen tonë:

Për shumë vjet o Kryezot.

Irine Pandelejmoni

Në foto: Kryepiskopi Anastas mes të rinjve të Lidhjes Orthodhokse “Bij të Dritës”, të cilët e uruan për 5-vjetorin e Fronëzimit.

Në foto: Çast nga kremtimet për 5-vjetorin e Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas.

Libra në shitje nëpër kisha:
– Kungata Hyjnore
– Një vështrim mbi Manastiret e Pogonit
– Liturgjia Hyjnore
– Ungjilli si bazë e jetës
– Shenja e Kryqit
– Çfarë Besojnë të Krishterët Orthodhoksë
– Historia e një princi Indian
– Orthodhoksia
– Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer më 1944
– Pasdarka e vogël
– Engolpioni i çdo Orthodhoksi
– Mësime Fetare Orthodhokse 1-3
– Jetë Shenjtorësh 1-8
– Mëngjesorja