EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi Anastas, pasues i denjë i misionit Apostolik në Shqipëri

Përhapja dhe përqafimi i krishtërimit në Iliri historikisht fillon në shek. I me Apostull Pavlin, që shkeli i pari në këto troje. Pas tij ishte Shën Qesari, episkop i parë i Durrësit dhe një nga 70 nxënësit e Jisuit, Shën Asti edhe ky episkop i Durrësit; Shën Lefteri episkop i Vlorës; Shën Angjelina, vajza e Princ Gjergj Arianitit, dhe po të vazhdonim do të përmendnim, misionarë apostolikë, dëshmorë dhe martirë të orthodhoksisë që janë në shumtë. Gjatë pushtimeve të huaja, dolën misionarë si Shën Kozmai, Shën Joan Vladimiri i Elbasanit, Shën Nikodhimi etj, që janë të njohur për sakrificat sublime që kanë bërë për mbrojtjen e orthodhoksisë tek ne. Kjo është një histori e pandërprerë sa madhështore, aq edhe e dhimbshme me periudha lulëzimi, por dhe të errëta përndjekjesh, ku kurdoherë ka triumfuar vetmohimi dhe sakrifica për mbrojtjen e krishtërimit. Periudha më shkatërrimtare për besimet fetare, veçanërisht për orthodhoksinë, ka qenë ajo e regjimit diktatorial komunist, gjatë së cilit u shkatërruan nga themelet mbi 1600 kisha e manastire, u përndoqën egërsisht klerikët e besimtarët dhe u ndaluan ritet fetare. Kjo çoi në një boshllëk të madh shpirtëror dhe tjetërsimin e njeriut që ishte i jashtëzakonshëm dhe la ndikime negative. Qindra mijëra të rinj u lindën dhe u ushqyen me ideologjinë ateiste që shkatërroi ndërgjegjen e njerëzve, prandaj duhej ringjallja e kishës orthodhokse. Kjo do të kishte karakterin e një misioni të madh apostolik, gjë që u realizua me fronëzimin e Kryepiskopit Anastas më 2 gusht të vitit 1992, që ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e KOASH.

Kryepiskopi Anastas është një udhëheqës shpirtëror me autoritet të padiskutuar brenda dhe jashtë vendit. Me një përvojë shumë të madhe në shërbim të orthodhoksisë, Fortlumturia e Tij në kushtet tona shumë të vështira veproi me shpejtësi duke iu bërë ballë me guxim problemeve të shumta dhe të ndërlikuara të ringjalljes së KOASH.

Kënaqësia e tij më e madhe ishte kur shikonte se si gjallërohej ndjenja e besimit tek të vjetrit dhe si mbinte e rritej ajo në brezat e rinj. Atë e gëzon fakti se kishat tona nisen të mbushen plot e përplot me besimtarë. Riungjillëzimi i komunitetit orthodhoks në Shqipëri është arritja më e madhe e misionit të tij apostolik. Ky mision u ndesh me pengesa dhe vështirësi të paimagjinueshme për të dhe u shndërrua në një “via doloroza”. Por, çdo gjë e përballoi me urtësi, dinjitet, guxim, ndershmëri dhe lavdi Zotit doli faqebardhë.

Imzot Anastasi solli me vete mesazhin e ndjenjave të pastra të dashurisë, miqësisë dhe vllazërimit. Në fillimet dramatike të demokracisë ai i ngjante një ambasadori të veçantë që vinte i pari në Shqipëri. Ai përjetoi dhe përjeton me dhimbje fazën e tranzicionit, kolapsin e jetës ekonomike, varfërinë e madhe dhe anarshinë, përpiqet me të gjitha mjetet të zbusë sadopak egërsinë e saj.

U preokupua dhe vazhdon të preokupohet shumë për fatin e refugjatëve duke ndërhyrë publikisht në favor të tyre. Përdëllimi i tij ndaj njerëzve të sëmurë që kërkojnë ndihmë njihet tashmë nga të gjithë. Me qindra të sëmurë pa shpresa shërimi u mjekuan dhe mjekohen falas në spitalet e Janinës, Selanikut dhe Athinës, pa dallime fetare.

Gjatë periudhës të fronëzimit të tij KOASH ka arritur rezultate të mëdha. Janë përfunduar ose janë në proçes ndërtimi, katedrale dinjitoze të cilat janë monumente të kulturës si në Sarandë, Berat, Durrës, Fier, Tiranë, Pogradec, Shkodër, Korçë etj.

Për dioqezën e Korçës veprat e tij janë të shumta: klinikë shëndetësore, kopsht fëmijësh, shkollë profesionale mbi shkollën e mesme, gjithashtu është menduar të ngrihen qendra kulturore dhe muzeale si dhe kampinge e qendra turistike në Voskopojë dhe Liqenas.

Mbi 40 jetimë nga dioqeza studiojnë nën kujdesjen e vazhdueshme të tij. I angazhuar me përkushtim të lartë si misionar apostolik, i palodhur ndaj mësimeve të Zotit tonë Jisu Krisht, dhe duke ecur në traditën e rrugës së autoqefalisë të ierarkëve të Kishës Orthodhokse Shqiptare që nga Imzot Fan Noli. Kryepiskopi Anastas është bërë jo vetëm një figurë e dashur, dhe respektuar për mbarë komunitetin orthodhoks në Shqipëri, por dhe një faktor për ruajtjen e unitetit fetar mbarëkombëtar.

Gjatë periudhës së tij u ngrit në një shkallë më të lartë vepra e filluar nga Noli dhe u konsoliduan pozitat e KOASH. Gjithë kësaj pune titanike të Kryepiskopit Anastas, media dhe televizioni i kanë lënë një vend shumë të vogël pasqyrimi dhe janë përpjekur në shumë raste edhe ta denigrojnë atë.

Goditje me qëllime regresive iu bë Kishës Autoqefale të Shqipërisë edhe nga puçi i Elbasanit i projektuar nga dashakeqësit e orthodhoksisë brenda dhe jashtë vendit dhe i ndihmuar edhe nga segmente të veçanta shtetërore.

Por, Kryepiskopit Anastas, gjatë kësaj periudhe të vështirë i është dhënë një mbështetje mjaft e madhe në punën e tij, jo vetëm nga bashkësia orthodhokse, por dhe nga besimtarë të feve të tjera të cilët e respektojnë veprën e tij.

Kur u nderua me titullin e lartë të anëtarit të Akademisë së shkencave të Athinës, ai tha: “Shqipëria mund të merret si shembull në botë për bashkëkzistencën paqësore fetare të arritur mbi bazën e respektit të ndërsjelltë.” Kryepiskopi Anastas i kushton një rëndësi parësore marrëdhënieve të mira dhe mirëkuptimit të plotë të komuniteteve fetare.

Shumë e rëndësishme është vepra e Kryepiskopit Anastas gjatë ngjarjeve të muajve të fundit, jo vetëm për ndihmat materiale shumë të domosdoshme, por edhe për qetësimin shpirtëror të njerëzve nëpërmjet pjesëmarrjes së tij aktive për qetësimin e situatës. Në përshpirtjen e bërë në Vlorë për viktimat e Otrantos u cilësua si kleriku më i përkushtuar për qetësimin e dhimbjes së popullit.

Lusim Zotin që t’i japë Fortlumturisë së Tij Anastas shëndet, jetë gjatë për vazhdimin e misionit të tij Apostolik në Shqipëri.

Thoma Piluri, Grigor Mulla, Vasil Stas a, Vangjush Simaku

Edhe një here me urimin:

“Anastasit, Fort të Lumturit Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Atit dhe Kryebariut tonë, të shumta i qofshin vjetët”.