Nga data 29 Qershor – 4 Korrik 1997, qyteti i Grazit ishte mikpritës i Asamblesë së 11 të Konferencës së Kishave Europiane, Asamble e cila ishte vazhdim i Asamblesë së dytë Ekumenike Europiane, që u zhvillua më 23-29 Qershor 1997. Në Asamble ishin të pranishëm 279 delegatë të zgjedhur nga 119 kisha anëtare të KEK.
Në këtë Asamble pati përfaqësues nga Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës, si dhe kishat orthodhokse në Serbi, Bullgari, Rumani, Rusi, Finlandë, Greqi, Qipro etj. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga një delegacion i përbërë nga Arkimandrit Joan Pelushi, Nina Gramo drejtuese projekti në zyrën “Shërbimi i Dashurisë” e Irine Pandelejmoni kryetar i Lidhjes Rinore të Tiranës.
Pajtimi dhe dialogu shoqëroi të gjithë ditët e këtij takimi ekumenik. Prezantimi i punës së bërë nga ky organizëm ishte fokusi i ditëve të para të Asamblesë. Takimet, vizitat, deklaratat, shkëmbimet e eksperiencës kishte qenë fokusi i KEK gjatë 5 viteve.
Shërbesat e lutjeve dhe adhurimit ia linin vendin sesioneve plenare dhe punës në grupe. Katër ishin temat kryesore që u diskutuan në punën në grupe:
1. Sekretariati i Përgjithshëm i KEK dhe komunikimi (grup, në të cilin u diskutuan marrëdhëniet ndërmjet kishave anëtare, marrëdhëniet ndërekumenike etj.).
2. Uniteti dhe Misioni (diskutime për studimet e ndryshme që mund të bëhen, dialogu fetar etj.).
3. Çështje të Dhiakonisë, shërbimit si dhe dekada ekumenike (si mund të shërbejmë në kishë, dekada ekumenike, refugjatët etj.).
4. Kisha dhe shqetësimet e shoqërisë (si mund të ndihmojmë në vendosjen e drejtësisë, paqes, të drejtave të njeriut, ekologjisë etj.).
Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të ekzistojë ndërmjet kishave. Një nga objektivat e asamblesë ishte zgjedhja e Komuntetit Drejtues së saj si dhe e Sekretarit të Përgjithshëm të KEK.
KOASH për herë të parë do të ketë përfaqësuesit e saj në dy prej komiteteve të KEK. At Joan Pelushi u zgjodh anëtar i komitetit të referimit të direktivave, kurse Nina Gramo u zgjodh anëtare e komitetit drejtues të KEK.
Eshtë një sfidë e kishave Europiane, të cilat kanë qenë viktima të mosunitetit, për të punuar së bashku, për të shoqëruar njerëzit dhe kombet në mijëvjeçarin tjetër me një mesazh paqeje, shprese dhe uniteti.
Në ditën e fundit të këtij takimi u diskutua për punën që do të zhvillojë KEK në të ardhmen. Tre janë drejtimet kryesore ku do të përqëndrohet veprimtaria:
1- Kishat në dialog, 2- Kishat në shoqëri, 3- Kishat në solidaritet.
Grupe të ndryshme pune do të organizohen për të përmbushur sa më mirë objektivat që përcaktoi kjo Asamble. Për të gjithë të pranishmit në Asamble ishte rezervuar një pritje nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Grazit.
U larguam me eksperiencën e dëshirën e mirë për të gjetur dialogun dhe dashurinë. Në rrugën që kemi nisur në rindërtimin e kishës nuk jemi vetëm, por kemi edhe mbështetjen e vëllezërve dhe motrave nga e gjithë bota.
Nina Gramo, Irine Pandelejmoni