Afro 6 vjet më parë, kur Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipëri, shoqëria shqiptare dhe sidomos rinia ballafaqoheshin me pasojat shkatërruese të mungesës së besimit. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që po përpiqej të gjente organizimin e mëparshëm, kishte nevojë për një frymë të re besimi dhe shprese për të ardhmen. Ardhja e Kryepiskopit Anastas ishte fillimi i ngjalljes së kishës sonë. Një ngjallje kërkon gjallërimin e fuqive njerëzore të venitura, shpresave dhe besimit që i kishte mbijetuar shkatërrimit. Ringritja e kishës nuk do të ishte vetëm fizike, por kryesisht shpirtërore, dhe do konsistonte në afrimin e të rinjve pranë saj. Ky afrim ishte fruti i inisiativës dhe përkujdesjes së veçantë të Kryepiskopit Anastas. Në atë kohë dukej absurde vëmendja e veçantë kushtuar rinisë, ndërkohë që në mbarë Shqipërinë shiheshin nevojat e kishave dhe manastireve që duhej të ringriheshin; por vetëm sot kur rinia merr pjesë aktive në të gjitha strukturat dhe aktivitetet e kishës mund të vërehet se sa largpamës ishte ky mendim. Sot rinia orthodhokse është e organizuar në qytetet kryesore të Shqipërisë por ky organizim po vazhdon të përhapet dhe te përsoset gjithnjë e më shumë. Merita më e madhe në këtë proces ngjalljeje i takon Kryepiskopit Anastas, dashurisë së tij të madhe për të rinjtë dhe përpjekjeve të tij të shumta.
Ai na frymëzoi ne të rinjve që të zhvillohemi bashkarisht brenda kishës si pjesë e trupit të saj dhe me përkujdesjen atërore të tij të ecim në një rrugë të drejtë në jetën tonë si të krishterë.
Të rinjtë orthodhoksë kanë gjetur në personin e Kryepiskopit Anastas jo vetëm një atë të dashur, por edhe një pikë referimi, një shembull besimi dhe sakrifice për të afërmin. Një bekim të tillë, Perëndia ia jep shumë pak kombeve. Ai përfaqëson një shembull të Krishtit që ndryshoi jetën tonë.
Shumë nga të rinjtë, para pak vjetësh nuk do ta imagjinonin kurrë veten kaq pranë besimit. Mungesa e pikave të referimit ishin një karakteristikë thelbësore e të rinjve të brezit pas viteve 90, një mungesë që çoi në krizë të pashmangshme të vlerave dhe të vetë ekzistencës. Shumë prej nesh kanë ndryshuar. Nëse para 6 vjetësh u gjendëm pranë kishës në kërkim të vetvetes, sot në sajë të përkujdesibtë kishës dhe veçartërisht të Kryepiskopit Anastas e ndjejmë veten më të pjekur dhe më të rritur. Sot mund të vlerësojmë punën e madhe që Fortlumturia e tij ka bërë për ne. Ashtu si dhe fëmijët, që asnjëherë nuk arrijnë të falenderojnë sa duhet prindërit për dashurinë, përkujdesjen, mirëkuptimin dhe sakrificat e mëdha që kanë bërë për ta, ashtu edhe ne të rinjtë orthodhoksë kurrë nuk do të mund të falenderojmë sa duhet Imzot Anastasin për gjithçka që ai ka bërë dhe bën për rimëkëmbjen shpirtërore të këtij vendi. Lidhja rinore “Bij të Dritës”, si pjesë e KOASH, është sot një organizatë me të drejta të plota si anëtare e SYNDESMOS-it dhe BOYA-as (Organizata ballkanike orthodhokse).
Mariana Bello