Perëndia më krijoi dhe më solli në këtë tokë, sigurisht jo pa ndonjë qëllim të veçantë. Dielli bën punën e tij, duke dërguar dritë e ngrohtësi; toka mban dhe ushqen pemët e bimët, që janë të nevojshme për jetën e njeriut; ajri u jep mushkërive ushqimin që kanë nevojë; kafsha ndihmon e na shërben…
Gjithësija, pra është kurdisur për nevojat dhe për dobinë e njeriut. Po njeriu vallë, për ç’qëllim është bërë dhe çfarë misioni i është dhënë?
Besa më përgjigjet: Njeriu u bë prej Perëndisë, e për Atë duhet të jetojë.
Nuk është nevojë të jem i pasur, i lumtur dhe plot me nderimet e kësaj bote. Më mjafton se jam njeri i pajisur prej Zotit me dhuratën më të vlefshme, me arsyen, e si i tillë duhet t’i shërbej Atij, që më krijoi e më solli në këtë jetë. Perëndia, pra më dha arësyen për këtë qëllim: të jesh i tëri në shërbim të dëshirave të Tij, të veprojpërAtë.
Po, o Zot i im! Ti që je Krijuesi i im, je dhe qëllimi im. Ty duhet të të ketë parasysh mendja ime. Ty të të adhurojë zemra ime. Për ty duhet të flasë gjuha ime. Për Ty duhet të lëvizin buzët e mija dhe gjymtyrët e mija. Ç’gjë kam, që nuk e mora prej Teje? Oh! Ndriçomë që të kuptoj tërë detyrimet që kam ndaj Teje, si dhe lumturinë e pakufishme, në rast se qëndroj besnih në Ty!