Në priftërinë e krishterë ka tre shkallë: dhjak, prift dhe peshkop. Të tria këto shkallë kryhen nëpërmjet misterit të dorëzimit (hirotonisjes). Peshkopi është shkalla më e lartë e priftërisë dhe është ai, i cili kryen dorëzimet e priftërinjëve dhe dhjakëve, meqenëse vetëm ai e zotëron priftërinë në plotësinë e saj dhe mund t’ua japë atë të tjerëve. Në Kishën Orthodhokse, shërbesa e peshkopit është shërbesa drejtuese e Kishës. Roli i tij është mësimi, drejtimi dhe mbikqyrja e Kishës.
Peshkopët e Kishës Orthodhokse janë peshkopë të një territori të caktuar gjeografik, të quajtur dioqezë. Ata e marrin titullin nga emri i qytetit kryesor, ku ndodhet selia e tyre. Ndërsa titulli kryepeshkop ose patrik i përket peshkopit të kryeqytetit të një zone, e cila përfshin mitropoli dhe dioqeza të tjera. Sot, kjo kupton një shtët dhe një Kishë Autoqefale. Kur peshkopët e një Kishe autoqefale mblidhen në asamblenë peshkopale, siç ata mblidhen periodikisht sipas Ligjit të Kishës, kryeson kryepeshkopi ose patriku (në vendet ku primati quhet patrik). Primati i një Kishe Autoqefale është edhe kryetari i Sinodit të asaj Kishe. Lidhjet bazë ndërmjet peshkopëve dhe peshkopit primat (kryepeshkopit ose patrikut), shprehen shumë qartë në Kanonin Apostolik 34: “Peshkopët e një kombi duhet ta njohin atë (kryepeshkopin) që është i pari ndërmjet tyre dhe duhet ta shohin atë si kreun dhe të mos bëjnë asgjë të jashtëzakonshme pa pëlqimin e tij; çdo peshkop duhet të bëjë vetëm gjërat që i përkasin dioqezës së tij dhe zonave që varen prej tij. Por, gjithashtu, peshkopi i pare, të mos bëjë asgjë pa pëlqimin e të gjithëve. Sepse në këtë mënyrë do të ketë harmoni dhe Perëndia do të lavdërohet me anë të Zotit në Shpirtin: Ati, Bin dhe Shpirti i Shenjtë.”
Pra, nga ky kanon mund të shohin se: a. Peshkopi lokal ka autoritetin legjitim brenda dioqezës së tij. Por, megjithëse çdo peshkop është përgjegjës për dioqezën e tij, ai duhet ta kryejë shërbesën e tij në kungim me peshkopët e tjerë: b. Kanoni afirmon rëndësinë e peshkopit primat, i cili kryeson Sinodin. Ndonëse primati është primus inter pares (i pari ndërmjet të barabartëve), raporti ndërmjet peshkopëve është raport ndërvarësie: peshkopët nuk mund të veprojnë veçan primatit dhe gjithashtu, primati nuk duhet të veprojë veçan peshkopëve të tjerë. c. Kanoni e sheh raportin ndërmjet peshkopëve si pasqyrim të raportit ndërmjet Personave të Trinisë së Shenjtë. E gjithë jeta njerëzore dhe si rrjedhim edhe jeta e Kishës, duhet të pasqyrojë realitetin e Trinisë së Shenjtë.
Si përfundim, Kanoni 34 dhe kanone të tjerë, që kanë të bëjnë me primacinë, njohin se kryepeshkopi ka disa privilegje në lidhje me peshkopët e tjerë. Ai kryeson Sinodin, ka të drejtën të konfirmojë zgjedhjen e peshkopëve lokalë dhe të drejtën të kryesojë në dorëzimin e tyre. Por, këto privilegje të primatit nuk e pakësojnë frymën e pastër konciliare ndërmjet peshkopëve të një Kishe Autoqefale. Të gjithë peshkopët në Kishën Orthodhokse janë të barabartë dhe kanë krejtësisht të njëjtën shërbesë për të kryer. Në kuptimin misteror (të kryerjes së mistereve) të gjithë peshkopët janë të barabartë dhe identikë.
Peshkopi i një dioqeze, zgjidhet nga peshkopët e tjerë lokalë (Sinodi), në mënyrë konciliare. Kërkesat për Zgjedhjen përfshijne: një karakter moral të padiskutueshëm, një shërbesë priftërore të dalluar në Kishë, aftësi drejtuese, kompetencë teologjike dhe një moshe jo më pak se 35 vjeç (ngadonjëherë për nevoja të Kishës minimumi i moshës mund të jetë 30 vjeç.) Duke filluar nga shekulli VI, në Kishën Orthodhokse ka qenë rregull që kandidatët për peshkopë të zgjidhen nga priftërinjtë e pamartuar (arkimandrit apo hieromonak) ose të ve, meqenëse peshkopi kërkohet të jetë i pamartuar.
Peshkopi dorëzohet nga tre peshkopë të tjerë ose të paktën nga dy, për një dioqezë të caktuar ose si një peshkop ndihmës pranë krypeshkopit. Dorëzimi i peshkopit është dogmatisht i njëjtë me atë të priftit. Dy elementët përmbushës kanonikë duhet të jenë patjetër, d.m.th. “vënia e duarve” nga peshkopë kanonikë dhe thirrja e Shpirtit të Shenjtë, përndryshe dorëzimi nuk është kanonik dhe si pasojë i pavlefshëm.
Gjithashtu, veshja e peshkopit ndryshon nga ajo e priftit. Fillimisht, peshkopi dhe prifti vishnin të njëjtën veshje, që përbëhej nga petrahili dhe feloni. Por kur peshkopët, gjatë zhvillimit historik të Kishës, morën edhe detyra të tjera, përveç misionit shpirtëror e pastoral, veshja e tyre filloi të ndryshojë e të zhvillohet. Ndonëse petrahili u ruajt, si një shenjë e instrumentes të domosdoshëm për transmetimin e hirit misteror, mbi atë, në vend të felonit, u vendos sakoja perandorake. Në fillim, kjo përdorej vetëm në disa raste të caktuara, por më vonë u bë pjesë e përhershme e veshjes. Gjithashtu, mbas rënies së Konstandinopojës, peshkopët filluan të përdornin mitrën perandorake.
Ndonëse peshkopi është thirrur që të jetë celebruesi kryesor i eukaristisë, përgjegjësitë e tij i kapërcejnë kufijtë e akteve liturgjike. Si ati dhe bari i një Kishe lokale ai ka edhe detyra të tjera, si: a) Të mbikqyrë; ai ka përgjegjësinë për administrimin e pasurisë së Kishës, për mbarëvajtjen e jetës në Kishë, pajisjen e kishave me klerikë, nëpërmjet dorëzimeve dhe zbatimin e shërbesave liturgjike. b) Të mësojë; ai duhet të kujdeset për mësimin në Kishë dhe sidomos për Orthodhoksinë e mësimit; ka përgjegjësinë për predikimin e drejtë të doktrinës së krishterë dhe ruajtjen e pastër të saj nga mësime të gabuara. c) kujdesi pastoral; duke qenë bariu i grigjës së Krishtit, ai duhet të kujdeset për ushqimin shpirtëror të popullit të Perëndisë. Gjithashtu, ai është thirrur të qortojë, të falë, të pagëzojë, të pajtojë, të frymëzojë, të shërojë, të lutet, të jetë i mëshirshëm, si dhe të kordinojë talentet e të gjithë atyre që duan të shërbejnë në Kishë dhe të kontribuojnë në shpëtimin e botës. Detyra e peshkopit është “ndërtimi i Trupit të Krishtit” (Efesianët 4:12).
Në Kishën Orthodhokse i vetmi kryeprift, bari dhe mësues i Kishës është vetë Krishti. Peshkopi është objekti garantues i pranisë së përhershme të Krishtit tek populli i tij. Ai nuk eshtë as mëkëmbësi i Krishtit, as zëvendësi dhe as përfaqësuesi i Tij, por ikona e dukshme e pranisë së Krishtit në mes të popullit të Tij.
Në shërbesën e Tij, Krishti “dorëzoi” të Dymbëdhjetët, duke i thënë atyre se “ju nuk më keni zgjedhur mua, por unë ju kam zgjedhur juve.” Si Dhjata e Re, ashtu edhe Etërit e Kishës i njohin të Dymbëdhjetët si peshkopët e parë ose mbikqyrësit e Kishës. Kur Juda ra për shkak të tradhëtisë dhe nxënësit po mendonin për t’a zëvendësuar, Pietri, duke cituar psalmin 109:8, tha, “Tjetërkush e marrtë shërbesën e tij” (Veprat 1:20). Kjo peshkopaci u dha tek Matia (Veprat 1:26).
Në Kishën Orthodhokse, peshkopët e sotëm formojnë një lidhje të pashkëputur në zinxhirin e pandërprerë, hallka e parë e të cilit lidhet direkt me vetë Apostujt. Kështu, ndërmjet një peshkopi të sotëm (qoftë edhe të Kishës më të vogël lokale) dhe një prej Apostujve, është një linjë e pandërprerë peshkopësh. Vazhdimësia Apostolike qendron në faktet që: a-peshkopi i sotëm kryen funksionet që vetë Apostujt kryenin; b-peshkopët që kanë kryer dorëzimin e peshkopit duhet të vinë nga një zinxhir i pandërprerë, i cili shkon tek vetë Apostujt; c- ai trashëgon nga Apostujt Hirin e Shpirtit të Shenjtë, me anë të cilit ai është fuqizuar të kryejë misionin e tij. Fakti i vazhdimësisë peshkopale nga Apostujt dhe i Apostujve nga Krishti theksohej shumë nga Shën Klementi, para mbarimit të shekullit të parë. Nevoja e vazhdimësisë Apostolike është njohur nga Kisha historike gjatë gjithë zhvillimit të saj.
Funksionet specifike të peshkopit brenda Kishës, ndonëse duken sikur kanë të bëjnë kryesisht me administrimin, përfshijnë funksionet shumë të rëndësishme të mësimit, të ruajtjes së doktrinës dhe të shenjtërimit me anë të kryerjes së mistereve. Peshkopi si administrator ka luajtur një rol të përcaktuar dhe të gjërë në funksionin e Kishës, si një institucion me origjinë Apostolike. Peshkopët kanë qenë përgjegjës për një rregull shpirtëror e administrativ, i cili e ka lejuar Kishën të rritet pa qenë e coptuar nga mungesa e uniformitetit. Peshkopët janë anëtarët udhëheqës të klerit, në kuptimin se ata kanë përgjegjësinë dhe shërbesën e mbajtjes së unitetit të Kishës në tërë botën, duke siguruar të vërtetën dhe unitetin e besës dhe të praktikave të Kishave të tyre respektive me të gjitha Kishat e tjera. Prandaj, peshkopët përfaqësojnë Kishat ose dioqezat e tyre të veçanta, tek kishat ose dioqezat e tjera, ashtu siç ata përfaqësojnë Kishën Universale tek priftërinjtë, dhjakët dhe popullin e dioqezës së tyre. Një funksion tjetër i rëndësishëm i peshkopit eshtë ai i mësimit e ruajtjes së doktrinës. Për një kohë të gjatë, për shembull, predikimi i Ungjillit në Kishë ishte prerogativ vetëm i peshkopit.
Mësimi i doktrinës shërben për përgatitjen në pjesëmarrjen në shenjtërimin nëpërmjet mistereve të Kishës: kryesisht pagëzim-mirosjes dhe kungimit. Në Kishën e parë, ishte vetëm peshkopi ai që kryente misterin e kungimit. Kur Kisha filloi të rritej dhe ishte e pamundur që e gjitha të mblidhej në një vend, atëhere peshkopi shenjtëronte kungatën dhe ajo shpërndahej nga priftërinjtë në mbledhjet e tjera eukaristike. Kur Kisha u rrit akoma dhe kjo praktikë tashmë ishte e pamundur, atëhere priftërinjve iu dha funksioni i kryerjes së misterit, nëpërmjet peshkopit. Kjo është arsyeja që prifti në kryerjen e mistereve duhet të përmendë peshkopin dhe në kryerjen e eukaristisë duhet të ketë antiminsin të firmosur nga peshkopi, sepse ai po i kryen këto mistere duke marrë pjesë në funksionet liturgjike të peshkopit. Pra, një prift e kryen shërbesën priftërore si delegat i peshkopit dhe nëse prifti nuk është në kungim me peshkopin, shërbesa e tij priftërore është e pavlefshme dhe jo kanonike.
Shën Ignati i Antiokisë merret gjerësisht në letrat e tij, drejtuar kishave të ndryshme të Azisë së Vogël, me urdhërat hierarkike të Kishës. Ai i krahason peshkopët me kujdestarët që ka lënë Krishti për grigjën e tij: “Kujdestari duhet të pritet njësoj si i zoti, peshkopi njësoj si Krishti.” Gjithashtu, Shën Ignati e përcakton qartë peshkopin si të vetmin përfaqësues të Kishës dhe si qendër të unitetit të jashtëm. Në një nga letrat e tij ai pohon “ku është peshkopi, atje janë besimtarët; ashtu si ku është Jisu Krishti, atje është Kisha universale dhe pa Kishën universale. Nuk është e lejueshme të pagëzohet apo të mbahet Eukaristia pa peshkopin. Çfarëdo që ai aprovon, që gjithashtu është e pëlqyeshme tek Perëndia, kjo është rruga që ju duhet të ndiqni që të jeni të përcaktuar dhe të sigurtë.”
Kisha gjithmonë e ka parë peshkopin si manifestimin e unitetit të saj dhe te pandarë nga celebrimi Eukaristik. Teologjikisht, misteri i Eukaristisë është një shenjë dhe realitet i anticipimit eskatologjik të Mbretërisë së Perëndisë dhe peshkopacia – qendër e nevojshme e këtij realiteti – është vijëzuar kryesisht në funksionin e saj misteror. Aspektet e tjera të shërbesës peshkopale, si mësimi, kujdesja pastorale etj., bazohen në funksionin e tij “kryepriftëror” në bashkësinë lokale. Peshkopi është para së gjithash, imazhi i Krishtit në misterin Eukaristik.
Por, perceptimi Orthodhoks i Kishës si një bashkësi e besimit, e lidhur ngushtë me Shën Trininë dhe duke e paqyruar atë (Shën Trininë) në mbledhjen Eukaristike, na jep një kuptim më të qartë për urdhërat priftërorë në përgjithësi dhe për shërbesën peshkopale në veçanti. Sipas perspektivës së eklesiologjisë eukaristiko-trinitare, shërbesa priftërore nuk duhet të shihet si një urdhër që qëndron mbi Kishën. Kisha është populli i Perëndisë dhe personi që është thirrur për shërbesën priftërore, është thirrur nga Perëndia Triadik nga mesi i Kishës, për shërbesën e Kishës, me autorizimin dhe lutjen e Kishës. Këta persona vijnë nga Kisha, ndonëse janë thirrur t’u shërbejnë anëtarëve të tjerë. Këtu nuk ka ndryshim natyre por ndryshim dhurate.
Si një shërbëtor i Krishtit, peshkopi duhet të jetë një udhëheqës e jo një sundonjës, një model dhe jo një legjislator. Sundimi e legjislacioni i përkasin vetëm Zotit. Por, është peshkopi ai që ka përgjegjësinë para Perëndisë dhe njerëzve, për jetën e Kishës që ai udhëheq.
Arkimandrit Joan Pelushi