U shfaq si një yll i ndritshëm mbi errësirën e tejskajshme shpirtërore, që ishin përpjekur prej vitesh t’ia vinin si mbulesë këtij vendi, duke përsëritur atë që Zoti e kishte thënë kohë më parë: “Merrni dritë nga drita që nuk perëndon”. Do të ishte ky refreni që do ta shoqëronte atë gjatë gjithë periudhës në krye të KOASH. Fortlumturia e tij, me emrin e tij të Ngjalljes (Anastas), erdhi dhe vazhdon me të gjitha përpjekjet veprën për ngjalljen e kësaj rrënoje që la e kaluara. Dora e tij do bekonte në emrin e Perëndisë çdo gur të këtij vendi, çdo vend mbi të cilët dikur kishte qenë kishë dhe ku duket se kumbojnë akoma himnet “Lavdi Perëndisë në më të lartat”. Nga çdo vend i Shenjtë shpërndahen edhe sot si jehonë tingujt hyjnorë të bashkuar me zërat e mijëra besimtarëve që sot adhurojnë e lavdërojnë Perëndinë në dhjetëra kisha të reja, të restauruara apo të ringritura në themelet e tyre të hershme. Zërat dhe urimet e të gjithëve për jetë të gjatë bashkohen me cicërimat “ëngjëllore” të femijëve që nga shpirtrat e tyre të njomë sapo kanë filluar të lavdërojnë e lartësojnë emrin e Perëndisë. “Lërini femijët të vijnë tek unë se e tyrja është Mbretëria e Qiejve” tha Perëndia dhe ata femijë-ëngjëj çdo të diel rrethojnë Kryepiskopin e i marrin bekimin e Perëndisë gjatë Liturgjisë Hyjnore.
Janë këta fëmijë, dashuria për të cilët nuk mund ta lërë Kryepiskopin pa i bërë pjesë të rëndësishme të veprës së tij të pafund. Me bekimin dhe kujdesin e një prindi të dashur kemi filluar dhe vazhdojnë përpjekjet për realizimin e një programi afatgjatë edukativo-mësimor me hapjen në disa qytete të Përkujdesjeve Ditore të femijëve, të financuara nga Këshilli Botëror i Kishave dhe nga fondi i veçantë i KOASH. Vijueshmëria e Përkujdesjeve Ditore ndiqet nga një sektor i veçantë pune që zhvillohet në Kryepiskopatën e KOASH nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Të pajisura me të gjitha mjetet e kushtet e nevojshme për një zhvillim sa më të mirë fiziko-psikik të femijëve, me program edukimin mësimor të një niveli bashkëkohor, femijët do të marrin bekimin e Perëndisë nëpërmjet mësimeve njohëse të besimit për të qenë përjetësisht engjëj të Tij. E kjo vepër e madhe nuk zhvillohet vetëm në Tiranë por edhe në Durrës, Korçë e Kavajë me një numër të përgjithshëm prej 220 femijësh. Së shpejti edhe femijët e Lushnjës, Gjirokastrës, Sarandës etj. do të gëzojnë në vatrat e reja shpirtërore që do të ngrihen me bekimin e Kryepiskopit Anastas.
Dashuria e Perëndisë përqafon rreth vetes të gjithë ata që e duan dhe lavdërojnë emrin e Tij, ndaj kjo vepër do jetë e vazhdueshme. “Perëndia nuk do të na braktisë”, – thotë shpesh Kryepiskopi. Dhe është e vërtetë. Që tani në këtë moshë femijët me bekimin e Kryepiskopit, me gjithçka që ai po bën për ta, ndjejnë dorën e Perëndisë, ndihmën e Tij të pafund, kujdesin e Atit Qiellor që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre.
Për këtë vepër të madhërishme që Ai ka nisur dhe po vazhdon me shumë sakrifica në këtë vend të sfilitur, ai merr urimet më të mira prej mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë.
Kristina Hanxhari