EmailFacebookKontakt

Dorë e shtrirë në ndihmë të Shqipërisë

Mbas viteve 90 filloi periudha e rifitimit të lirisë fetare në Shqipëri. Kur hedhim sytë mbrapa në këta shtatë vjetët e fundit, kujtimi i ditëve të gëzuara të fillimit dhe konsolidimi aktual i Kishës sonë, mund të na i heqë ose zbehë nga mendja vështirësitë dhe problemet e kapërcyera gjatë viteve të para.

Vështirësia vinte, kryesisht si një trashëgimi e rëndë e gjysmë shekullit ateizëm dhe dhunë, që kishte tjetërsuar psikologjinë e njerëzve. Dy breza njeri pas tjetrit, të rritur, i pari me terrorin fillestar dhe me ngushtimin e vazhdueshëm të hapësirës qytetare dhe fetare, ndërsa i dyti me ndalimin e plotë të çdo të drejte, kishin prurë në prakun e viteve 90 një gjeneratë, pothuajse pa asnjë ngacmim në drejtim të idealeve njerëzore, e aq më pak të a tyre fetare.

Pa përmbysjen e diktaturës, materializmi mbizotërues, do të vazhdonte të thithte çdo impuls të pastër rinor, për ta përlyer në baltën e një jete, që mbante hapur vulën e Anti-Krishtit.

Megjithatë, kthesa erdhi e madhe, e pakrahasueshme me atë që pritej! Për shkak të shkëndisë që gjallesa-njeri mban thellë në shpirt, tok me dëshirën e paepur për liri, njerëzit u shkulën në masë nga ishin dhe mbushën kishat e sheshet përreth tyre, ndërsa kleri që kishte mbetur në jetë meshoi me mallëngjim mes turmave entuziaste. Të gjithë kishin braktisur brenda një nate frikën dhe gënjeshtrat materialiste, kishin hedhur tej, sidomos bezdinë e fund javës-angari e përjetshme. Më në fund ishte kthyer e Diela në Shqipëri, me dinjitetin njerëzor dhe të gjithë ishin përfshirë, me vetëdije ose vetvetiu nga një ngazëllim i madh para Diellit të Jetës: Krishtit të Ringjallur!

Por, a duhej të mjaftohej me kaq? Vetëm me prirjen e vetvetishme të njerëzve? Apo duhej vepruar për ta rimëkëmbur tërësisht kishën, me rindërtime tempujsh, ringritje kleri dhe edukim shpirtëror të brezit të ri? Për të qenë vërtet të krishterë, duhej menduar për themelin e së nesërmes dhe jo vetëm të rihdhej filli me atë që mbijetoi kaq e dëmtuar.

Kjo ishte detyrë, jo vetëm ndaj kishës, por edhe ndaj Shqipërisë, e cila ka te Krishtërimi shtyllën kryesore dhe më të vyer të saj.

Gërmadhat ishin anembanë, varfëria sundonte, nismat individuale krejt të pamjaftueshme. Ardhja në këtë kohë e një misionari të sprovuar si Imzot Anastasi, personalitet i njohur në botë në sferën e shkencës dhe të lëvizjes Ekumenike, u prit me gëzim sepse problemet e rimëkëmbjes kishin filluar të nxirrnin krye.

Selia e tij fillestare u bë një kishë e paliruar mirë nga mbeturinat e klubit sportiv, që diktatura i kishte ngjeshur sipër gjatë një çerek shekulli; stafi i tij – dhjetë priftërinj pleq, një teolog i vetëm, veterani Dh. Beduli dhe një grusht njerëzish të gatshëm për të punuar, por pa njohuri… Pra, një bazë shumë e varfër. Por, motoja e tij e përhershme ishte: “Nuk do të na braktisë Perëndia!”

Gjatë eksarhatit të tij, punët patën një nisje të gjithanshme. Seminari Theologjik filloi punën mes njëmijë pengesash, por edhe meremetimi apo ringritja e kishave në qytetet kryesore, haste në vështirësi e ndalesa. Megjithatë, shoqëria jonë e hyrë rishtas në demokraci (pra, ende e pa familjarizuar me mundësitë edhe të shpërdorimit të saj) e çmoi, me ndonjë përjashtim të rrallë, kontributin e tij, si ndihmë e vlefshme për normalizimin e jetës së vendit. Në fakt, përkëdo që mendon drejt, përparimi vjen më i qëndrueshëm kur bëhet me një ecje ballore në të gjithë sektorët, që siguron drejtpeshimin e duhur të interesave e kërkesave të të gjitha anëve dhe shmang pakënaqësitë edhe të kategorisë më margjinale. Ndërkaq, një kontribut të konsiderueshëm po jepte Kisha jonë edhe në përballimin e varfërisë në pikat më emergjente.

Ishte fronëzimi i Fortlumturisë së tij Anastasit si Kryepiskop, që i dha shkas disa personave, që s’kishin asnjë lidhje me kishën, madje, më të shumtit as me Orthodhoksinë, të ngrejnë çështje rreth ligjshmërisë së kësaj zgjedhjeje dhe të bëjnë zhurmë për shkelje ndaj kishës dhe tradhëti ndaj atdheut. Fushata e tyre përdori një gjuhë kaq të padenjë, sa opinioni serioz, megjithëse mbeti për ca kohë i papërcaktuar (edhe për shkak të njëanshmërisë së mediave), u bind më në fund, se e tërë kjo ishte thjesht keqdashje dhe me qëllime për të destabilizuar.

Sot, pavarësisht nga rezultatet shumë të qarta të punës së Kryepiskopit në krye të kishës (mijëra kilometra anembanë vendit për të predikuar Ungjillin e për të inaguruar kisha të reja, 100 priftërinj e dhiakë të rinj të hirotonisur prej dorës së tij, botimet e shumta që i shtohen atyre të paraluftës me një tirazh të madh, pjesëmarrja e KOASH në kongrese e konferenca ndërkombëtare, me një përfaqësim të denjë e me nivel, mijëra ton ushqime e ndihma për të varfërit), njerëzve të tillë, që pa qenë njohës të çështjeve kishtare, e që u shprehën kundra gjithë asaj që bënte kisha, u duhen dhënë disa sqarime:

Kisha e Krishtit është në themelin e saj dhe mbi të gjitha Apostolike, d.m.th e bazuar mbi misionin, mbi përhapjen (“Shkoni dhe lëçitni Ungjillin në gjithë popujt”, MK 16,15) dhe prandaj, të ngulësh këmbë që t’ia heqësh këtë tipar themelor, do të thotë ta pengosh, ta ndalosh, për pasojë ta përndjekësh, ashtu si deri dje. Nuk është e rastit, që politikanë kundërshtarë të kishës (në thelb ithtarë të mbylljes) u shprehën atëherë publikisht: “Fundja, le të rrijë e mbyllur për ca vjet Kisha Orthodhokse, meqë s’ka episkop”, pa u shqetësuar të na thonë sesa vjet, dhe sesi do të dalë pastaj episkopi nga një kishë e mbyllur?!

Eshtë pikërisht logjika e përmbysur e kësaj deklarate, që i vë gishtin thelbit të problemit: se Kisha kishte nevojë patjetër për një bari shpirtëror e me autoritet, që ta konsolidonte nga çdo ndërhyrje e jashtme, por edhe që të ngrinte klerin vendas, dhe hierarkinë shqiptare që mungonte. Por, ky veprim nuk mund të arrihej në një kishë të mbyllur ose lënguese, por në një jetë të gjallë të komunitetit, brenda të cilës rishtarët bëhen barinj shpirtërorë me njohje të plotë të problemeve të tij. Kritikat e atëhershme përqëndroheshin edhe tek aspekti ligjor i çështjes, vetëm për të mos i dhënë zgjidhje, pra për të penguar daljen e kishës nga vështirësia: ndërlikime me nene e statute, sikur të mos jetonin me realitetin shqiptar.

Pra nga sa thamë më lart, zgjedhja që u bë më 1992, e përqëndruar tek një person i vetëm, Kryepiskopi Anastas si rilidhës i fillit, e njëherazi si përtëritës i një kleri shqiptar deri tek episkopët e ardhshëm, del më e mira dhe më e matura në ato kushte. Ajo i bënte ballë kërkesës Apostolike dhe asaj historike të një kishe Autoqefale, dhe rezultatet e deritashme flasin vetë.

Megjithatë, siç thamë në fillim, edhe kjo zgjidhje e matur, u prit egër nga ithtarët e mbylljes së plotë, të pasuar nga ata që, nga frika, ishin tepër të matur edhe kundrejt zgjidhjeve të matura. Të dy palëve mund t’u thuhet, se KOASH ka qenë përfshirë në kriza gjatë këtij shekulli, ku politika lozte rolin kryesor. Por, kjo nuk do të thotë se ajo duhet të trajtohet vetëm me syrin politik dhe prandaj të merret “nën tutelë” nga politikanët. Kjo për të vetmen arsye, se besimtari i njeh vetes vetëm një mjet për të mbrojtur kishën e vet, “Vullnetin e mirë”, ndërsa politikanët shpesh përdorin edhe prapamendimet (”vullnetin e keq”), që çojnë edhe në ndrrim drejtimi në këtë tutelë. Ndaj këtij qëndrimi jo serioz të autoritetit tokësor “që shkon e vjen” masat e besimtarëve parapëlqejnë autoritetin epatundur të Perëndisë, dhe prandaj kërkojnë prova të vërteta për të besuar vullnetin e mirë të tutorit.

Duke e mbyllur shkrimin do të bënim një parafrazim të fjalës së Zotit në paravolin e samaritanit: Kush është i afërmi i kishës: njeriu i saj, që shkon rrugës dhe as kthen sytë nga kisha në kohë shtrëngimi, që të “jetë brenda”; ai tjetri që flet e përflet, por s’lëviz as gishtin për ta ndihmuar apo i huaji që i vjen afër, i mbyll plagët dhe e ndihmon për tu ngritur e për të ecur?

Të jesh patriot nuk është të qëndrosh i ngulur në rrethana të tejkaluara, duke e dëmtuar kështu atdheun, por të shfrytëzosh të gjitha mundësitë që ofron një botë e hapur dhe një shoqëri e hapur, për të hequr dëmet që iu shkaktuan atij pa kursim dhe për ta ndihmuar atë në sektorë të veçantë dhe në tërësi. Edhe për këtë duhet falenderuar Kryepiskopi Anastas për punën e tij të madhe, jo vetëm si rimëkëmbës i Kishës sonë Orthodhokse por edhe si ndihmës në rimëkëmbjen e Shqipërisë moderne, demokratike dhe Europiane.

Lekë Tasi